Vullnet Mato

PËLLUMBESHA DHE PELIKANI
Dikur të thashë, se ti ishe pëllumbeshë,
me pupla të bardha, deri poshtë në thonj.
Më the, se isha pelikan, me të gjatin sqep,
për të arritur buzët e tua, sa herë i kërkoj.
Sqepin tim, ti e ke dashur, sa më shpesh,
duke pritur me gugitjet gazmore të tua,
përse t’u mërzit pelikani, e nise të vesh,
pas skifterit, që t’i gërricte buzët me thua?…
Kur skifteri të shpuploi, pendët e bardha,
dhe qe gati, të të shqyente, me kthetra,
the, se kishe dëshirë të filloje nga e para,
me pelikanin sqepgjatë e gugitjet e vjetra.
Por mes zogjve, s’ka vetëm pëllumbesha,
ka dhe zogëza, të arta në gushë e në bisht.
Pasi kaloi ajo stinë, kur ty fort të desha,
një pelikane tjetër, të zëvendësoi plotësisht.
Sekreti qëndron, të dish, kur të zgjedhësh,
si në muzgun e breshrit dhe agun e vesës.
Sytë në fole grabitqarësh, të mos i hedhësh,
se mbulohesh më pas, nga mjegulla e harresës!…
Po tё kishe sjellё atёherё ndërmend Penelopёn,
duke qepur e shqepu, pёlhurёn e besnikёrisё,
teksa priste Odiseun e dashur gjer përtej kohës,
do tё ishe sot patjetër, pёllumbesha e dashurisё…