Kasam Shaqirvela

PËR QEPALLA KUJTIMESH
Ah dhe juve vullkane e erëra të përdala…
Që shpërtheni a endeni tokë-qiellit tim të etur…
….
Ëndërrimesh të trishta ka kohë që përkundem
Dhe sëmbimet e shpirtit më lodhin pa pra…
Druhem se mos ma përlyejnë, n’baltë-shkundem
Netë-kristaltat që paralajmërohen me kumt-hata.
Dhe mendimet kapen fort për qepalla kujtimesh
Mbushur kohënash nga jetëzeza në trastë…
Përse trungun e pemës ma brejnë termite helmimesh
Dhe zogjtë shtegtarë, sa vie e më rrallohen fluturimesh.
I pres Agimet e Bardha, shërues shpirtrash të lënduar
Sikurse një i sëmurë që pret ilaçet e trupi në lëngim
Shpirti më lëngon kohësh të bjerra, makthëruar
Ah dhe dallëndyshet, seç m’i vrasin në shtegtim…
E nesërmja po i pyet ndërgjejet e rënduara…
Dhe brezat…, mbase na presin me padurim
Cilat djerrina duhet t’i kthejmë në tokë të lëvruara
A mungesën për gjakun t’mos e kemi n’harrim.
Koha për kohën, vë vulën që bëhet emblemë etnish
E ti, jermish prej somnambuli..,.kthjellou sa më parë
Mos prit lëmoshë prej llavash e turma lukunish…
Që frymojnë gjakshëm për emrat, si ky i joni, legjendar!
….
Do t’ju fikë përgjithmonë, sikurse zjarrin gllabërues…, me
Dufin e zemrës së thyer dhe dashurinë e shpirtit te lënduar.
nga Kasam Shaqirvela