Miltiadh Davidhi

1)Për ty
Në këtë ditë feste, për ty,
Pesëdhjetë euro janë fare pak,
Njëmijë euro janë akoma më pak,
Një milion euro
janë shumë më pak,
Qindra miliona euro,
Janë ende shumë, shumë më pak.
Për ty, që fal një oqean me dashuri,
E lind jetën,
Për ty, që rrjedh me një lumë
Ëndrrash në mua,
Për ty, për ty,
Femër, nënë, grua!
2)Në ditën e Shën Valentinit
Sot s’kam fjalë për të folur,
Kam vetëm zemër të dashuruar,
E buzë për të puthur!
Fjalët m’i rrëmbyen
Zërat e të ikurve të mi,
E ritmi i lëvizjes së Universit,
E mua më duhet të jetoj
Ndër ngrica largësish,
E të ngrohem me trupin tënd.
Në vënd të Unazës
E të Vathëve të florinjta,
Do të vendos në shpirt, ndër veshë,
E nëpër gishtërinj,
Përkëdheljen e dashurinë, e pafund.
Kujdes, mos më shiko në sy!
Kam rrezatimin e diellit e verbohesh.
Më mirë puthmë!
Zili le të ketë Hëna në Qiell,
Që me asnjë yll ndër shekuj s’le takim,
Dhe, pse, me shikime i ha si e marrë,
Dhe ëndrrat i shikon
E veshur me një tis
Të bardhë velloje, si nuse!
Është dita e dashurisë së vërtetë,
Jo e dashurisë Platonike
Dhe e dashuriçkave!
Trupi dhe shpirti i të dashuruarve
Mer formën e Ylberit,
Me plot ngjyra e drita,
E pushton Globin.
Sot jemi duke udhëtuar
Nëpër rrugica ajri pranvere,
E të gjitha puthjet
Kanë formën e gonxhave,
E të trendafilave të çelur,
Dhe sinqeritetin e të dashuruarve.
Nga aroma e tyre lind jeta.