
Ruzhdi Gole
1.SHPLARJE
O gur i madh,
o gur i vogëlth, shkundu,
merr frymë, rrokullisu në det !
Laj fytyrën, kokën, gjoksin,
shpatullat, kërcinjtë,
shputat !
O gur i agut,
jetoje mëngjesin,
mos iu afro shpejt mesditës,
perëndimit, shpejt, mos iu gëzo !
Gëzoju pendimeve të tua !!!
Pendimit se një ditë, pa lajmëruar
askënd, ti i ike bregut, ia more një
nga gjymtyrët e ia le thërrmijat
e tua trazuar me valë rrugës.
Thërrmiat rrugën
tënde përgjakën.
Pendohu se kur t'erdhi afër një valë
ti i ktheve shpinën dinake , o gur
mendjemadh, i vogëlth.
Vala u përtha keq aq keq
sa nuk mbeti kund
as kripa e saj.
Pendohu se fishkëllima e erës
(ndonse asnjëherë s'të gënjeu
kur duhet të mbuloheshe
vjeshtodimnor dhe kur
duhej të visheshe me
pantolla të shkurtra
e këmishë të hollë)
nuk gjeti bujtinën
shplodhëse
tek ty.
O gur, mos u pendo
për shakatë e mia,
mos u tkurr,
mos u fshih
nga gjindja!
Gjindja vet është një mal me gurë
guralecë sa s'i çan kryet nga vjen
e ku shkon të marrosesh ti.
Gjindja është rrëpirë baltovine,
humnerë, teh përgojojës,
kamxhik, qytë qytetare.
Gjindja është shkel shko,
tërhiq e mos e k'put,
gjindja është gishti
në këmbëz,
shpejtësia e të gllabëruarit,
foltorja e hilesë, qindarka
e pikur e qesesë hudhër.
Eja, të pijmë një kafe të dy,
o gur mendjemadh,
i vogëlth !
Edhe kësaj here
të hollat tona
do t'i paguaj
mjerimi...
2.PIKËL
D'bora po mendohej
të zbriste më tëposhtë
a të rrinte tek rrëpira e saj.
Nga aty të këqyrje gjatë drurët .
Moti i premtonte tjera stihi.
Stuhitë i gëzoheshin vrundullit.
Ciklonin s'e mbanin më këmbët.
-A dëgjove,
do ta shembin xhaminë ?
-Xhaminë, lojën tonë të fëmijërisë ?
Ne, shpesh, vinim rrethqark saj
me hap e me vrap, me gunga
dhe rrunga, me sy e me vetull.
Fantazia jonë dukej aq e madhe
sa në përgjumje na dukej
sikur flinim në xhami.
E rroknim minaren e saj
me dy pëllëmbë,
minarja e saj
rrokte gjithë
qytetin.
(Po a bie borë në jug ?
Qënka bora e
fëmijërisë.
Pak diell, ndonjëherë
ftohtë edhe nën
globin e zjarrtë...)
Juga, asnjëherë, nuk flinte.
Nuk merakosej s'e po
i bjerrej pak fryma.
Hovte përpjetë,
u belbëzonte reve.
Ato përhera jetonin afër saj.
-A dëgjove,
do shembin kishën ?
-Kishën a kishëzën ?
Deti aty afër dukej fatkeq.
I pamëshirshëm moti.
Moti premtonte
rrëmuja.
Arrat kokërrmëdhaja pulitnin
sytë të mos shihnin asgjë.
Njeri breg po mundohej
t'i fshihej vrik rrëmujës,
i afrohej bregut tjetër
edhe ai i rraskapitur.
I jepnin dorën (e butë) gurore
njëri-tjetrit, përqafoheshin
puthethin buzë e sy,
mjekër e ballë.
Pastaj, secili kthehej
tek vendlindja e tij
ujore, luante prapë
me guacka,
duke ndjerë ndonjë grep
të këputur më keqas
nën sqetullën e tij.
(Paska det në alpe ?
Liqene, lumenj plot.
Jetokam ende
tek deti motak
prej fëmije ?...)
Oh, qënka gëzim të shembësh
një kishë, qënka brohorimë
t'ia këpusësh qafën
një xhamije ?
Një pikël gjaku prej tyre,
piklën më të helmët
e kam ende në trup.
Të tjerët e kanë në turp.
Cilët ...prindërit tanë,
festat def e gërnetë,
dhjami zi i zotave,
fishkja proletare,
cilët pra, thuamani !!!
Xhamia e shembur
qysh nga fëmijëria
ende më këqyr
plot keqardhje,
Diku është fshehur.
Kisha më mbikqyr.
Kisha a kishëza ?.
%%%