Nga Petrit Zeneli–Gjuhëtar,studiues dhe kritik letrar

Lirizmi i ëmbël,i mgrohtë, të ngjall emocione të fuqishme me origjinalitetin e tij befasues te poeti tashmë i Syrit të Kaltër, Panajot Boli
Poeti Panajot Boli tashmë është një zë që zë një vend të veçantë në letërsinë shqiptare bashkëkohore duke e përmbushur profilin e tij si poet dhe prozator, por edhe si publicist , është autori i 11 librave deri tani
Panajoti prej dekadash shkruan me pasion poezi, prozë dhe publicistikë. Ai ka lindur më 20 janar 1959 në fshatin Velahovë të Delvinës, në vitin 1983 është diplomuar për Gjuhë dhe Letërsi në Universitetin e Shkodres.
Ka filluar të botojë skica, poezi, tregime, reportazhe, fejtone në organet e shtypit që kur ishte nxënës në shkollën e mesme Delvinë. Në vitin 1986 fitoi çmimin e tretë nga dega e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Librazhdit me ciklin me poezi “Lule nga Vurgu’’. Ka botuar librin me skica ‘’Sy të trishtuar’’, vëllimet me poezi ‘’Nostalgjia çapitet në rrugët me kalldrëm’’, ‘’Lotët e hardhisë’’, ‘’To μνστiκó τoν nλioν’’ vëllimin me tregime e skica, ‘’Pyeta syrin e kaltër’’, “Sonte hëna”, si dhe librin ‘’ Njerëz si ata’’ (edhe greqisht) dhe kohët e fundit ka botuar librin tjetër me poezi ”Pranverë e kaltër’’, s’ka pak ditë ka botuar dhe vellimin tjetrër me poezi “Më përqafojnë kaltërsitë”. Për një kohë të gjatë punoi si përgjegjës i kolegjiumit të gazetës ‘’Llaiko Vima’’ dhe redaktor i emisionit greqisht Minoriteti Enik Grek, sot në radio Saranda 96, 1 FM. Është anëtar i Unionit të gazëtarëve të pavarur të Shqipërisë. Është kryetar i Bordit të AJMMI (Agjencia Joniane e Medias, Mjedisit dhe Informacionit – Sarandë).
Aktualisht është mësues dhe gazetar. Ai po aq bukur shkruan edhe në greqisht, greqisht ka shkruar ‘’Thlimena matia’’ (Sy të trishtuar), dhe ‘’Anthropi san afti’’ (Njerëz si ata) me tregime dhe skica dhe ‘’To mistiko u iliu’’ (Sekreti i dielli).
Analizë e vëllimit poetik ‘’ Pyeta syrin e kaltër’’
Të shkruash për krijimet letrare të mikut, të shokut bashkëstudent ndien kënaqësi, sepse shkruan për një poet, por edhe për një prozator, publicist dhe përkthyes, i cili tashmë është një zë që ka bërë emër. Nga vëllimet poetike të botuara deri tani zgjodha vëllimin me poezi ‘’Pyeta syrin e kaltër’’, i cili zë vendin e duhur ndër pesë vëllimet e tjera poetike të tij.
Poezitë e tij kur i lexon, jo vetem që të japin ndjesi, por i përjeton ndjenjat dhe emocione e autorit bashkë me të. Ja si shprehet kritika për origjinalitetin dhe të veçantën e këtij poeti ku gjallon një lirizëm i ëmbël që të shkakton emocione të fuqishme dhe të shijosh poezinë e vertetë
” Panajoti është i dashuruar me të bukurën, në natyrë, në jetë dhe në jetën e përditshme, prandaj është një artist i butë, ekspert i bukurisë dhe dashurisë, kultivues i shkëlqyer të fjalës dhe të vargut. Ka aftësi prej mjeshtri kur skalit vargun, është krijues po aq i mirë i frazës artistike për tema shumëdimensionale.
Shpirti i tij lirik dhe emocional, vëzhgimi i tij i njohur dhe i matur. Është i ditur për jetën shoqërore, është vëzhgues i mirë dhe i drejtpërdrejtë, gjen të ëmblën, të rëndësishmen dhe të bukurën, e përpunon dhe ia dorëzon të përsosur lexuesit. Ai është një shprehës i shkëlqyer i vetvetes, i jep masë kohës dhe vendit të tij, kërkon të bukurën dhe të mirën përreth.. Vargu i tij pikturon jetën pa moshë, natyrën, kohën me ditën dhe natën kozmike, djepin e dritës, pushin e luleve dhe atmosferën e natyrës.” Ndersa poeti dhe shkrimtari Thoma Thmjo do ta cilësonte poezinë e Panajotit
” Një poezi e ëmbël, lirikë e ngjyer me lëngun pranveror, me aromë shpirti çiltërsie dehese”

Lirizmi në poezitë e tij ushqehet me nota të thella lirike dhe me plot imazhe poetike, ku natyra dhe elementet e saj përsonifikohen duke u veshur me veti a tipare njerëzore, marrin jetë dhe bëhen personazhe që mbartin emocione, ndjenja dhe sjellje njerëzore, si: dielli, hëna, yjet, mali, lumi, deti, valët e detit, era, retë, shiu, shelgu, mani, lulja; shpendët si, dallëndyshet, kukuvajka, bulkthi etj. Ja si shprehet ai në poezitë e tij me anë të personifikimit: tek poezia ‘’Në mëdyshje’’: Zbriti dielli me gaz në mëngjes në dritaren time/ Me afsh më puthi, më vari në vesh ca ledhatime; tek poezia ’’U iku dielli valëve’’: Deti po e luste diellin të rrinte edhe ca/ Valët nazike, bijat e tij, t’i zbaviste edhe pak/ Ato u hipnin në qafë rrezeve, i puthnin pa turp; tek poezia ‘’Meditim pranë detit’’: Një yll sonte shoi etjen në buzë të detit/ u dehen valët dhe puthën gushën e qyteti; tek poezia ‘’Hënën pres’’: Të rrëmbyen sonte retë/ e nuk i shoh sytë e tu/… Zbrit moj të të kreh flokët/ Si i dalldisur aromën ta rrufit…; tek poezia ‘’Erdhi e përmalluar era sonte’’: E pash tek zbriste nga mali i fshatit tim era/ Nuk mbahej, me inat zvarriste ca re gërmuq…; tek poezia ‘’Do t’i pres në pranverë’’: Ngarkuan ca mall në vallixhet e tyre dallëndyshet/ Nga shtëpia ime në fshat/ Me shpirt të lënduar…/ Nxituan të lënë pas/ horizontin e menduar; tek poezia ‘’Natë e lagur me mërzi’: Bregu i lumit tim sonte ka rënë në mendime/ Nata nga të ftohtët dridhet e lagur në mërzi; tek poezia; ‘’Gjethes’’: Gjethja shkëlqeu në gjelbërimin e saj/ Me diellin u dashurua e u bë e verdhë…/ Lulet u çmenden duke ndërruar fustanet/ U lodhën në pasarela; tek poezia ‘’Kjo luledele psheretimë’’ Mister kjo luledele/ Çudi. / Me zemër dielli/ Me petale dritë/ Me shpirtin qiell. I solla këta shembuj për të treguar se natyra si për çdo poet edhe për Panajotin nuk është thjesht një peizazh fizik, por është një botë e magjishme ku poeti merr frymëzim, ai ka vënë në barazpeshë veten me natyrën e cila e ushqen shpirtin e tij poetik, një shpirt herë-herë të qetë, herë-herë të trazuar. Lumi Bistrica dhe Syri i kaltër janë muza e poetit, frymëzimi i tij, ndaj dhe në këtë vëllim poetik dashuria dhe natyra ushqejnë njëra-tjetren dhe freskohen me ujin dhe kaltësinë e Bistricës dhe Syrit të Kaltër. Ja si shprehet te poezia
‘’SA HERË MË TRAZOHET SHPIRTI’’: Sa herë shpirti më trazohet, tek ti vij kokulur/ Tek ti gjej ngushëllim, e imja, e bukura Bistricë / Ti me një pece ballin ma lag me ujin e bekuar / Më shkund nga supet: Mbahu more burrë, një çikë! Apo tek poezia ‘’PSHERETIN DHE LUMI’’: Nuk më qetësoi prapë fytyrëkaltra ime, e mira Bistricë / Në zall më shtroi një gunë e gur të latuar më vuri jastek / Spektakël bëri me hënën në një vallëzim elegant, brilant / Pastaj e mori përdore e ma solli si nuse të bukur në breg. Panajoti për mes vargjeve të tij, që të frymëzojnë dhe të emocionojnë, krahas natyrës dhe dashurisë i këndon edhe jetës, dhimbjes, brengës dhe gëzimit, u këndon me mall dhe me një ndjeshmëri me tone të buta dhe të ëmbla, por shpesh herë edhe me tone mallëngjyese a nostalgjike duke kujtuar fëmijërinë, gjyshërit, fshatin, qendren e fshatit dhe manin nën hijen e te cilit mblidheshin burrat në kuvend dikur, këtu mund të përmendim disa poezi, si: tek poezia
‘’U ZGJUAN PËRRENJTË, poeti te kjo poezi ka shprehur mallin dhe nostaligjinë për fëmijërinë e humbur, përrenjtë që “zgjohen” simbolizojnë ringjalljen e kujtimeve, ndërsa kali i bardhë është simbol i gëzimit të asaj kohe dhe i pafajsisë. Poeti ndiem dhimbje për atë kohë të fëmijërisë të humbur , por është bukuria e brishtësia dhe e pafajshme e saj që e mban gjallë kujtimin: U zgjun përrenjtë e kokën nxjerrin tinëz mbi gurë / Me femijërinë mbi kalin e bardhë që humba dikur; tek poezia ‘’TËZGJAHU I ËNDRRAVE’’ poeti bën një portret poetik për gjyshen si zonjë e
rëndë, paraqitet si një grua me dinjitet dhe si një figurë e paharrueshme e cila përfaqëson dashurinë, punën, urtësinë dhe tashëgiminë shpirtërore, ai shpreh respektin, mallin dhe nderimin për gjyshen:
Me sy ëndërrimtarë dikur / Gjyshja ime si zonjë e rëndë, ulur në tezgjah / Me krehrin e rëndë / Ngjishte penjtë shumë ngjyrësh / E thurte mozaikë jete; poezia ‘’ KU FLE GJYSHI IM’’ është një këngë mallëngjimi për gjyshin ku shpreh, dashurinë, respektin dhe krenarinë për të, i cili është i lidhur fort me origjinën, traditën dhe vendin e tij, përsoni më i rëndësishëm i familjes, shtylla e shtëpisë: Lugina ka mbështetur supin te fshati im /
E lumtur,si një djep i gdhendur me lule / Përkund gjyshin tim./ Gurgullima nxjerr nga shpirti me gaz / Dhe ligjëron në katarakte të bardha mbi gurë / Si ligjëronte gjyshi im; poezia ‘’
KU ËSHTË MËNI DEGËGJERË?’’:
Është një poezi me nota elegjiake dhe me një frymë nostalgjike, mani është si një shenj i shenjtë, vendi aty ku banorët e fshatit takoheshin në ditë gëzimesh, por edhe fatkeqesish, vendi i gëzimeve dhe kujtimeve, është qendra shpirtërore e fshatit. Ai simbolizon vendin e bashkimit, kujtesës kolektive dhe jetës shoqërore, lidhjen e njeriut me traditën, historinë dhe natyrën. Gjyshi që hidhte valle me dorën të mbështetur te trungu është simbol i traditës, gjallërisë dhe haresë së dikurshme. Detaji i gjetur mjaft bukur nga poeti, kur gjyshi njërën dorë e mbante te mani me tjetren godiste dhenë, tregon lidhjen e ngushtë me natyrën dhe me dheun, tokën dhe jeten. Mësuesi plak është simbol i dijes, i diturisë. Drita e hënës i jep frymë dhe nota romantike skenës nën hijen e manit dhe vetë poezisë: Kërkoj manin degëgjerë / Në sheshin e heshtur te fshatit tim/ Aty ku hidhte vallen gjyshi i ndjerë /
Aty, te salla pa stola/ Ku burrat uleshin këmbëkryq për kuvendim./ Ku është mani ku hidhte vallen gjyshi im?/ Një dorë ia mbante mani, tjetra godiste dhenë/ Mesuesi plak mbeshtetur te trungu / Ne dritën e hënës si romantik / Historikun ia qëndiste me penë.
Disa poezi kanë një tematikë ndryshe nga tematikat që cekem më sipë, si poezitë: ‘’Në Butrint’’, ‘’Mëngjes në Athinë’’, ‘’Gradimi i veshgjatit’’, ‘’Pula e pandershme e komshiut’’:
Në poezinë ‘’NË BUTRINT’’
autori përmes një tabloje poetike nuk sheh vetem qytetin e gurtë që bën gjumin e thellë, kredhur në heshtjen e gurtë, por sjell në vëmendje zërin e tragjedive të Eskilit që gjëmonte në skenën e qytetit antik, qyteti i gurtë me heshtjen e gurtë ruan kujtesën e miteve dhe të legjendave: Qyteti i gurtë bën gjumin e thellë/ Me heshtjen e gurtë……/ Seç thotë për jetën e tij.
Në poezinë ‘’MËNGJES NË ATHINË’’,
autori në mënyrë imagjinare përfytyron dhe përsonifikon figura të mëdhta të historisë, filozofisë, letërsisë dhe mitologjisë së lashtë greke, Perikliun, Eskilin, Pitagoren, Safon dhe Maratonomakun, të cilet shfaqen sikur të ishin të pranishëm në një ditë të zakonshë në Athinë, autori i vendos në një tablo të përbashkët të kohës antike me kohën e sotme për të treguar lidhjet, vazhdimësinë dhe trashëgiminë e këtyre kulturave, si dhe një harmoni mes historisë, artit, shkencës dhe mitit: Perikliu ….mban shënime, / Eskili…..vrapon në Amfiteatrin e madh të Athinës, /Safoja me një degëz borziloku i spërkat sytë e bukur, / Mararonomaku… dihat ky ushtar i Prometeut, Kah lindjes së diellit trokon…Olimpi e shikon dhe buzëqesh.
Në poezinë ‘’GRADIMI I VESHGJATIT’’
ndryshe nga poezitë e tjera është një poezi satirike me të cilën autori në mënyrë ironike përmes humorit thumbon dhe godet ngritjen a gradimin në detyrë të njerëzve të paaftë, duke menjanuar njerëzit e aftë dhe të zotë. Poeti i referohet Dritëroit në formë dialogu dhe bashkëbisedimi me të në mënyrë imagjinare përme pyetjeve retorike. Ç’na bëre kështu , o i madhi Dritëro?/ Ngarkove kalin e prijës na vë gomarin. Ç’na bëre kështu , o i madhi Dritëro? / Na ke mbjellë një Zylo e dolën njëmijë. Ironizon sundimin e mediokërve e të paaftëve kudo dhe shumëfishimin e Zylove, të cilët marrin grada e poste të larta të pamerituara. Vendin e të bukures e zë e shëmtuara dhe kultura bëhet banalitet.
Në poezinë ‘’PULA E PANDERSHME E KOMSHIUT’’
poeti përmes satirës dhe alegorisë ironizon banalitetet e njerëzve duke u grindur e konfliktuar për gjëra të parëndësishme a situata të thjeshta, duke u dhënë zgjidhje tragjike.
Tek poezia ‘’’’E PYETA SYRIN E KALTËR’’
prej nga e ka marrë edhe titullin ky vëllim poetik, poeti ndërthur natyrën me legjendën në një narrativë poetike, me anë të personifikimit trajton origjinën legjendare të “Syrit të Kaltër” duke e paraqitur si një krijesë mitike e lindur nga një bashkëbisedim midis natyrës dhe legjendës Në thelb, kemi një cikël lindjeje poetike të personifikuar ku legjenda merr frymë dhe lind Syrin e Kaltër, ndërsa Syrin e Kaltër lind vetë legjendën – një qark i pafund ky, ku miti dhe realiteti bashkëjetojnë dhe ushqejnë njëri-tjetrin.
Ngjyra ashtu siç është për çdo poet edhe për Panajotin është një element i rëndësishëm simbolik, por edhe metaforik me të cilen shpreh gjendjen emocionale ose botën e brendshme shpirtërore, bluja me kaltërsinë e saj është e pranishme dhe sunduese në poezitë tij në këtë vëllim poetik, gjë që vihet re edhe në vëllimet e tjera, e cila lidhet me përjetimet shpirtërore të tij, kur është pranë Syrit të kaltër a Bistricës, por edhe pranë detit Jon e ka shpirtin të qetë, ndien qetësi dhe paqe.
Ja si shprehet poeti te poezia ‘’Psheretin dhe lumi’’, Nuk më qetësoi prapë fytyrëkaltra ime, e mira Bistricë ….. / Ca gëllënjka kaltërsi më jep lumi të kungoj shpresën time….
Një element tjetër simbolik dhe metaforik është edhe hëna, hëna është e pranishme në një varg poezishë, poeti e përfytyron hënë si figurë femërore, të butë dhe të brishtë, si mike , si te poezia ‘’Çaste ëndërrimi ’’: Besoj s’do ma prishë edhe hëna, kjo mikja ime e mirë…., por e sheh edhe si dritë që e çliron nga terri i natës dhe ia heq merzinë a vetminë: ja si shprehet te poezia ’’Hëna është aty’’: Natën vonë zbret edhe hëna dhe lepin kanatat/ Pikla melankolike rigojnë nga sytë e saj verdhoshe, Hëna u var te dritarja e era e tund si medaljon/ si tiktaku i orës së murit që mat kohën mërzi. Poeti hënën e sheh edhe si simbol të dashurisë dhe mallëngjimit, ajo bashkë me yjet dhe malin bëhet pjesë e gjendjes emocionale të tij: Hëna ime nuk të le/ Me malin e mallit mundet, të vij tek ti / Të sjellë me vete edhe yjet, shkruan poeti te poezia ‘’Kur harron hëna të dalë’’. Apo te poezia ‘’Hëna lahet në lumin tim’’, hëna paraqitet si një vajzë e brishtë dhe e dashururar, e cila simbolizon bukurinë dhe pastërtnë dhe brishtësinë.
Poezitë e dashurisë janë të shkruara me një lirizëm të ëmbël, me tone të qeta dhe të ngrohta.
Lirizmi i tij lëshohet si rrjedha e butë e Syrit të Kaltër, duke shprehur qetësi, ngrohtësi, por edhe mall, vetmi, dhimbje a pritje të gjatë, të mbushur me shpresa dhe ankth, ndonjëherë edhe me njëfarë përhumbje ëndërrimtare e mbështjellë me tisin e ëmbël të ëndërrimit dhe imagjinatës, duke ‘’u arratisur’’ nga realiteti, duke bërë një arratisje poetike të ‘’fshehtë’’. Natyra bëhet pjesë e ndjenjave të tij dhe e kësaj arratisje, poeti pret të dashuren që t’i shkojë me xixëllonja mbi kaçurrela, bëhet hënë dhe yje dhe ngelet varur në buzët e së dashurës, diku puthja hënore ia shtyn ngadal ëndrrën, diku tjetër poeti lë dritaren hapur dhe pret të dashurën, por dhe hënën ta ledhatojë, mbush grushte me yje për t’i bërë varëse floriri të dashurës, sytë e vajzës i ngjanin me Syrin e Kaltër.
Ndjenjat e poetit dhe drita e hënës yjet, Syri i Kaltër bëhen bashkë në gjendjen emocionale në përjetimet dhe në përhumbjen e ëmbël të tij. Poezi të tilla janë : ‘’Të pres në buzëmbrëmje’’, ‘’Dritaren e lë hapur’’, ‘’Ti bëhu neraida në liqen’’, ‘’Malli e ka emrin dashuri’’, ‘’Pranvera s’ndihet më’’, ‘’Lulja e sherebeles’’, ‘’Nuk erdhe edhe sot’’, ‘‘Të kundroj pak sytë e tu’’, ‘’Në plazh’’.
Ashtu si skulptori që laton gurin me çekiç dhe daltë me shumë kujdes duke i lëmuar faqet për t’ia dhënë linjat dhe formën e pastër dhe të duhur, edhe Panajoti laton fjalën dhe vargjet e tij poetike me mjeshtërinë e poetit me përvojë duke i dhënë bukuri të magjishme fjalës e duke e bërë vargun të rrjedhshëm e melodioz dhe duke i dhënë peshë me ngarkesë të fuqishme emocionale. Figurat stilistike janë të pasura e të larmishme, poeti i ka zgjedhur me shumë kujdes duke ua gjetur vendin e duhur, si: personifikimet: lumi flet me vete, ëndrra thur një gërshet, ç’u marros era, era seç më përkëdhel, era fëshfërinte me zemërim, e pyeta Syrin e Kaltër, dielli nga syri u fsheh, legjenda ka zë dhe ndjenja, përtyp zjarrin dhe vdes duke lindur, deti i brengosur, nata zbret nga mali. buzëmbrëmja ime zbërthen një kopsë, t’i japë hëna një puthje, hëna puth gjoksin e bardhë të buzëmbrëmjes, zjarrin përtypte në gojë, në grahmat e natës së shurdhët, u zgjuan përrenjtë, u hutua dhe shpirti, shiu u çlodh pak, mali hedh në krahë gunën e dhirtë, ëndrra u lodh, zbret dielli me gaz, hutohen qërpikët, një re ledhaton hënën, mornica i kalojnë mbrëmjes, mbrëmja me vetulla të ngrysura, zgjohet shpirti, agu puth kreshtat; metaforat: dhembjes që pikon, buzët që digjen zjarr, dritaren e zemrës, më bëri shpirtin e dashurinë liqen, po bëhem hënë dhe yje, porta e ëndrrës, puthja hënore, mbretëreshë hyjni, varëse rubini, dritë qiellore, pika malli kanë vesuar. puthja e florinjtë, yjet varëse, me një hidhërim në buzë, i tokës amë, mbush grushtet me dritë, për kostumin e qytetit, krahët e përmalluar, sytë e qelqtë, pikat e mallit, një trëdafil dhëmbërënë, dritaret e zemres, mëngjes i hirtë, natë e lagur me merzi, hojete shpirtit, nata e tulatur, dielli i syve, puhizat e shpirtit; e mbledh me vete buzëqeshjen tënde, me dritë të ëmbël buzët, me fytyrë pranvere; simbolet: hëna, yjet, muzgu, qiellin, dielli; epitetet: në malin tim të ëmbël, mali i mplakur, në lumin tim të mirë, heshtja e argjenduar, nata hyjnore, hëna e zbehur, nanurit ëmbël, fytyrëkaltra ime. ky i paudhi, bregu i tij i sertë, horizonti i qullur, yjet llahtar, gjoksi i bardhë, vij kokëulur, mal i lartë krenar, me buzë blu të kristalta, fytyrëkaltra ime, hëna e dhëmbshur, gjoksin e zjarrmuar, natë hyjnore, flet një gjuhë të lëngët, mëngjes i buhavitur, në thellimin e hidhët, mëngjes të hirtë; krahasimet: si një kalë po gulçon, si plak buzëngrënë, si varëse rubini, dridhet si purtekë, si një vals melodia, si agu në kaltërsi, të mbajtur si nuse, si llamba yje të tërë, si hajmali në fluturim, si nimfë, si agu në kaltërsirë, si muzg i zi mjeran, si nuse të mirën pranverë, si trëndafil i derdhur, si xixëllonjë prilli, si një sy i kaltër, si ujku në mes të dëborës, si flutura kurore, si një zog i hutuar, si një llambadhe yjesh, si në rënien e Trojës, si kali në lëmë, si gëlqerja kur shuhet, si ylli polar pa gdhirë, si i çmendur, si lot stalagmite; hipërbolat: buzëve të etura nuk u mjafton një lumë, në pikën e vesës vezulloi befas një ylber, piklat në vesë liqen i bëri në sy, në pikën e vesës la dritën ylli polar; litotë: gota me pikla dhimbje u mbush; enumeracionet: me lulen, agimi, flladin, bukurinë; edhe mali, edhe fusha, edhe lugina; anastrofat: e kuqe rubin, e bukura flori, të mirën pranverë, e mira Bstricë, i paudhi trishtim, i miri lumi im; aliteracionet: fëshfërin flet’ e freskët, shelegut që hesht; asonancat: era e qetë vjen dhe fle; onomatopetë: bubullima gjëmonte larg, u zgjua dhe bubullima.
Edhe ky libër me poezi i autorit Panajot Boli, pa dyshim zë vendin e duhur atje ku e zënë librat e çmuar, librat me vlerë në letërsinë bashkëkohore.