U ringrit lapidari i Brigadës XXIII Sulmuese me emrat e dëshmorëve-Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Nga inaugurimi drejt luftimeve

Më 21 shtator 1944, në Zall-Mner të rrethit të Tiranës, u formua Brigada XXIII Sulmuese (BrXXIIIS). Në përbërjen e saj u përfshinë batalionet e Matit, Krujë–Ishëm dhe Dajtit. Krijimi i kësaj brigade me partizanë nga krahinat e Matit, Krujës dhe Tiranës ishte një goditje e rëndësishme ndaj pushtuesve gjermanë dhe reaksionit të brendshëm, sidomos forcave të Legalitetit, të cilat e konsideronin këtë zonë si territor të ndikimit të tyre.

Në ceremoninë e inaugurimit mori pjesë populli i krahinës dhe të deleguar të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Drejtues të Brigadës u caktuan: komandant Hamit Keçi, komisar politik Xhavit Qesja dhe kuadrot e shtabit Haxhi Seseri, Muharrem Kokomani, Merkur Çela, Haki Fejzo, Sejdin Avdia etj.

Që ditën e formimit, Brigada mori urdhër të përqendrohej në drejtimin kryesor të tërheqjes së trupave gjermane, përgjatë rrugës Tiranë-Shkodër. Detyra e saj ishte pengimi i kalimit të autokolonave armike, goditja e posteve dhe përqendrimeve gjermane përgjatë kësaj rruge strategjike.

Luftime kundër autokolonave armike

Luftimet e brigadës qenë të shumta dhe të rëndësishme. Ndër to spikasin: 30 shtator 1944 – Fushë-Krujë-Milot. U godit një autokolonë gjermane që lëvizte nga Tirana drejt Shkodrës, duke e detyruar të tërhiqej. 6 tetor 1944 Brigada u përball me tri kolona gjermane që marshonin drejt Shkodrës. Pavarësisht humbjeve të shkaktuara, për shkak të epërsisë në njerëz e mjete, gjermanët arritën të çanin pritën. 16 tetor 1944 – Mamurras-Gjorm-Laç. U shkatërrua plotësisht një autokolonë prej 20 makinash. 17 nëntor 1944 – Kodra e Kuqe-Farukaj, pranë Mollzës.

Forcat e Brigadës goditën një autokolonë të blinduar gjermane, duke i shkaktuar humbje të mëdha njerëzore e materiale. Ndërkohë, batalioni i dytë luftoi në sektorin e Gjormit kundër forcave naziste, ndërsa batalioni i tretë mori pjesë në çlirimin e Milotit.

Brigada që ngriti flamurin e lirisë

Më 26, 27 dhe 28 nëntor 1944, forcat e BrXXIIIS, në bashkëveprim me njësite të tjera të Qarkut të Shkodrës, kontribuuan në çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë. Fitoret e këtyre ditëve u përhapën me shpejtësi në gjithë vendin dhe u festuan me krenari nga populli dhe Ushtria Nacionalçlirimtare.

Brigada vijoi ndjekjen e forcave gjermane që ishin përqendruar në Shkodër. Më 29 nëntor 1944, partizanët e saj ngritën flamurin e lirisë në kalanë e Shkodrës.

Ndërkohë, Brigada zhvilloi luftime të ashpra kundër prapavijes gjermane në Bërdicë dhe në kodrat e Beltojës, ku pati edhe 13 të vrarë e të plagosur. Rreth orës 02:00 të datës 29 nëntor, gjermanët u tërhoqën fshehurazi nga këto pozicione, duke shkatërruar urat mbi lumin Drin dhe Bunë. Në mëngjes, forcat partizane – të ndihmuara nga populli i Baçallëkut – kaluan Drinin me trapa dhe hynë në qytet, duke ngritur flamurin në kalanë “Rozafa”.

Pas çlirimit të Shkodrës, Brigada mori detyra për çrrënjosjen e mbeturinave të reaksionit në krahinat e Shkodrës, Pukës, Mirditës dhe Matit, si dhe në forcimin e pushtetit popullor.

Në rrugën e saj të lavdishme, Brigada XXIII Sulmuese dha dëshmorë që u bënë themele të Shqipërisë së lirë e sovrane, mes tyre: Rexh Delia, Bakushe Visha, Adem Gjeli, Avni Kazhani, Ali Metra, Besim Beja, Llesh Spai, Mustafa Mezini, Rexhep Shira, Shaban Lika, Turabi Duro, Vat Bushi etj.

U ringrit një simbol i LANÇ-it

Lapidari i parë i Brigadës XXIII Sulmuese ishte përmbytur nga ujërat e liqenit të Bovillës, në Zall-Mnerin e vjetër të komunës Zall-Bastar. Në kuadër të festimeve të Nëntorit, ai u vendos sërish në qendrën e zonës së Zall-Bastarit.

Rivendosja e lapidarit u realizua me kërkesën e kryetarit të Organizatës së Veteranëve dhe Pasardhësve, Bajram Hoxha, si dhe të Sulejman Elezit, kryetar i Organizatës së Dëshmorëve. Kërkesa u miratua nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe u zbatua nga Bashkia, e cila e mbajti fjalën.

Bajram Hoxha, kryetar i veteranëve dhe pasardhësve të Zall-Mnerit në zonën Zall-Bastar, ka një lidhje të veçantë me këtë njësi partizane. Prindërit e tij kanë qenë partizanë të Brigadës XXIII Sulmuese dhe shtëpia e familjes shërbeu si bazë e rëndësishme e kësaj brigade. Ai ishte dhe inisiatori për vendosjene simbolit kushtuar Brigadës XXIII Sulmuese dhe shkrimin e emrave të dëshmorëve në lapidarian e ngritur, për t’u ngelur si kujtim dhe dëshmi e kohës së këtu është formuar një njësi sulmuese dhe se këtu është luftuar dhe është fituar.