Poezi-Nikollë Loka

Nikollë Loka

 E shijoj vetminë

E shijoj vetminë me një ujëvarë të mbetur pezull,

atë çast kur bora zbardh e t’i hap sytë,

herë duke qarë, herë duke qeshur,

dhe pse vetëm jam, ndihem vet i dytë.

E shijoj vetminë te një burim me ujë të dlirë

kur shoh lotin e gurit të bardhë në sy,

lotin që parandjen mot të mirë,

e shterret atypëraty.

E shijoj vetminë si një udhëtim që zgjat,

prej mendimit deri te fjala,

prej fjalës deri te një poezi,

në vetminë që vetes ia fala.

Njeriu

Njeriu është sa pesha e tij,

vlerësuar me sy nga të njohur të rinj e të vjetër,

sa hapi i tij në një shtërngatë që vjen papritur,

kur përgatitet te hedhë hapin tjetër,

e i kërkohet atë hap ta ndalë,

ç’të bëjë: Të ndëshkojë apo të falë!

Njeriu është sa hija që lëshon përdhe në ditë të kthjellët,

sa ngritja në lartësi,

aq sa peshon zemra e tij,

sa e lëshon zërin në largësi,

kur vjen një shtërngatë e kur bie tërmet,

në mot të vranët me shi,

e në mot të kthjellët.

Njeriu është siç e don vetë,

herë zjarr që djeg, herë pluhur që bie,

shkel udhë të reja në përditshmëri,

tregon e fsheh çfarë ka të shtrenjtë,

herë ai,

herë hija e tij

Po vjen një fllad

Po vjen një fllad,

e më pastaj,

endet mbi asfalt një frullizë bore,

që preku lart,

e u nis për rrugë të gjatë,

me dimrin përdore.

Në këtë nënqiell të ftohtë,      

digjet me zjarmi një tjetër botë.

Iku vjeshta e parë,

por çfarë na la,

askush s’e pa,

mbi gjurmë të vjetra ra.

Hyn vjeshta e dytë

e na i hap sytë,

nën këtë nënqiell të ftohtë

ndjen dhimbje e lotë.

Vjen vjeshta e tretë,

me hap të lehtë,

frulliza bore

mbushin qiellin plot.

Dikush mërdhin,

tjetrit një mendim në ballë i ngrin.

Coptohet ai mendim i gjatë,

në flutura bore mbi asfalt.