Poezia e Shpresa Kapisyzi Rama ,si ndalesë e vetëdijshme dhe akt meditativ-Teuta Sadiku

Teuta Sadiku

 

Poezia e Shpresa Kapisyzi Rama ,si ndalesë e vetëdijshme dhe akt meditativ.

Në peizazhin e poezisë bashkëkohore shqiptare, vëllimi “Lutja e pemëve” i Shpresa Kapisyzit përfaqëson një rast të veçantë, ku thjeshtësia formale maskon një thellësi të ndjeshme meditative dhe filozofike. Siç është vënë në dukje edhe nga Sulejman Mato, kjo poezi nuk i nënshtrohet një leximi linear apo të shpejtë, por kërkon një ndalesë të vetëdijshme të lexuesit, një zhvendosje drejt një regjistri më të qetë dhe introspektiv.

“Një merimangë rendte bukur fytyrën time,

Ngadalë,me kujdes, gjithë argjend”

Në këtë kuptim, poezia e Kapisyzit mund të konceptohet si një formë “lutjeje” ,jo në kuptimin fetar tradicional, por si një akt i përqendruar i qenies që artikulohet përmes gjuhës minimale. Ajo nuk synon të komunikojë drejtpërdrejt një mesazh, por të krijojë një gjendje përjetimi, duke e zhvendosur leximin nga niveli informativ në atë ontologjik.

Një nga karakteristikat themelore të kësaj poezie është refuzimi i qëllimshëm i narrativës dhe i retorikës së ngarkuar. Struktura e vargut është e përmbajtur, shpesh fragmentare, duke krijuar një poetikë të reduktimit , të përqendrimit të ekonomisë së fjalës (Emi Krosi)

Kjo qasje mund të lexohet në dritën e teorisë së Roland Barthes mbi “shkrimin e shkallës zero”, ku gjuha çlirohet nga ngarkesa retorike dhe ideologjike, duke synuar një transparencë të brendshme.

Në këtë prizëm, imazhe si ndërtimi i një merimange mbi fytyrë nuk funksionojnë si metafora dekorative, por si figura të hapura, që mbajnë një tension të brendshëm midis kohës, identitetit dhe transformimit. Minimalizmi këtu nuk është vetëm zgjedhje stilistike, por një etikë e të pathënës, ku heshtja bëhet pjesë aktive e diskursit poetik.

Një nga temat qendrore të poezisë së Kapisyzit është raporti midis kohës dhe vetes, i cili artikulohet përmes një vetëdijeje retrospektive. Subjekti lirik nuk paraqitet si një identitet i qëndrueshëm, por si një proces i vazhdueshëm njohjeje që realizohet përmes rikthimit në përvojë.

“Shumë kohë ka humbur

Pa e ditur që ishte brenda meje,

Isha unë “

Kjo qasje mund të interpretohet në dritën e filozofisë së Paul Ricœur, sipas të cilit identiteti njerëzor ndërtohet përmes kujtesës dhe rrëfimit të brendshëm. Edhe pse poezia e Kapisyzit refuzon narrativën klasike, ajo ndërton një formë të brendshme të saj: një narrativë të heshtur, të fragmentuar, ku vetja zbulohet nëpërmjet kohës së kaluar.

Në këtë mënyrë, poezia shndërrohet në një hapësirë ku koha nuk është lineare, por ciklike dhe refleksive, duke e bërë përvojën poetike një proces të vazhdueshëm vetëkuptimi.

**

Një tjetër element i rëndësishëm është figura e nënës, e cila tejkalon dimensionin e kujtesës personale dhe fiton një status metafizik. Në këtë poezi, nëna nuk paraqitet thjesht si subjekt biografik, por si një formë e vazhdueshme e pranisë.

“Nanë, mos je ti,sa të kërkova,

Derisa   u shndërrova në shi “

Kjo mund të lidhet me konceptet e Julia Kristeva mbi dimensionin semiotik të përvojës, ku figura e nënës përfaqëson një nivel para-gjuhësor të ndjeshmërisë dhe ritmit. Në këtë kuptim, nëna nuk është vetëm kujtim, por strukturë e vetë përjetimit.

Siç është vërejtur edhe nga kritika, kjo krijon një “akuarel emocional”, ku përvoja intime përthithet në një dimension më të gjerë ekzistencial.

***

Raporti me natyrën është një tjetër shtyllë e rëndësishme e kësaj poezie. Elementet natyrore , pemët, shiu, stinët , nuk janë thjesht sfond, por pjesë integrale e ndërtimit të kuptimit.Nuk mungojnë imazhet e bukura të qëndisura me përjetime,kujtime e gëzime,një nga pensionistët e freskëta,ku poezia ka hijeshi ligjërimore,shkruan akademiku Gjovalin Shkurtaj.

 “Hëna pikloti në qerpikun e çadrës

Iku dhe një ditë

Në këtë drejtim, poezia e Kapisyzit mund të lexohet në dritën e filozofisë së Gaston Bachelard mbi imagjinatën e elementeve.

“Dy pëllumba frymëmarrin,

gugasin, gati për fluturim

Nën bluzën me kopsën blu,

të hapur rastësisht.

Aty vdesin vështrimet,me zjarrin e vetëtimave.”

Sipas Bachelard-it, elementet natyrore nuk janë vetëm realitete fizike, por forma përmes të cilave strukturohet imagjinata njerëzore.

Në letërsinë shqipe, figura e femrës ka kaluar disa faza:

  1. Femra si figurë simbolike (tradita klasike)

Te autorë si Lasgush Poradeci apo Migjeni:

  • femra është shpesh figurë e idealizuar ose tragjike
  • trupi i saj është i nënkuptuar, jo i artikuluar drejtpërdrejt

 Ndërsa te poezia e Kapisyzit trupi emërtohet dhe përjetohet, nuk është më metaforë e largët, por hapësirë konkrete përvoje

 Te  poezia e Mimoza Ahmetit kemi një shpërthim të subjektivitetit femëror.Trupi dhe dëshira bëhen më të drejtpërdrejta. Ahmeti shpesh është provokuese, thyen tabu,kurse Kapisyzi  është   më e përmbajtur, metaforike, simbolike.

Pra, poezia e Kapisyzit nuk e shpërthen trupin, por e sublimon në figurë poetike.

Te  Silvia Plath trupi është vend i dhimbjes dhe krizës ekzistenciale.Imazhet që ndërton Plath  janë shpesh të errëta, të dhunshme.

Te poezia e  Kapisyzit trupi është energji e butë, sensuale, por jo shkatërruese.Në poezinë e Shpresa Kapisyzit nuk kemi tragjizëm, kemi një ekuilibër estetik. Kapisyzi përdor një erotikë të filtruar poetikisht :

“dy pëllumba” është një metaforë që fsheh dhe njëkohësisht zbulon. Këtu kemi një dallim kulturor:

Tek poezia e Europës  perëndimore kemi  eksplicititet, ndërsa

tek poezia shqiptare kemi  metaforizim dhe elegancë.

Në teorinë feministe të Simone de Beauvoir femra është historikisht “tjetri”. Trupi i saj është parë përmes syrit mashkullor.

Në poezinë e Kapisyzit vështrimi mashkullor ekziston (“vështrimet”),por ai shkatërrohet nga brenda (“vdesin me zjarrin e vetëtimave”)

Tek poezia e Kapisyzit nuk kemi  rebelim të zhurmshëm, kemi  çmontim të heshtur të pushtetit.

Kapisyzi qëndron në një balancë mes simbolizmit dhe modernitetit.Poezia e saj është e përqendruar, pa tepri dhe i afrohet  poetikës moderne europiane minimaliste,edhe pse shpesh ka tendencë  drejt mbylljeve hermetike.

Pra:

 Tek Kapisyzi poezia ka një  subjekt të qetë por të fortë

Tek  Plath kemi subjekt të trazuar,

Tek Mimoza Ahmeti kemi subjekt rebel.

  Tek poezia e saj Kapisyzi krijon një model tjetër: femra si prani e vetëdijshme, jo si krizë dhe as si revoltë ekstreme.Poezia e saj shquhet

-për përpunim të lartë metaforik

-elegancë në trajtimin e trupit

-përmbysje e butë  e patriarkalitetit.

-ekonomi e admirueshme e gjuhës.Në traditën letrare, sidomos në atë patriarkale, trupi i femrës është parë shpesh si objekt i vështrimit mashkullor . Por këtu ndodh një përmbysje e qartë:

   “dy pëllumba frymëmarrin, gugasin”  metafora nuk është vulgarizuese, por jetësore dhe organike.   Trupi nuk është i “ekspozuar”, por i gjallë, që merr frymë dhe komunikon.

Në këtë kuptim, mund ta lidhim me qasjen fenomenologjike të Maurice Merleau-Ponty: trupi nuk është objekt që shihet, por mënyra përmes së cilës feminitetin,femra egziston në botë.

Pra, femra në këtë poezi është prezente si vetëdije trupore.

Vargu kyç:

“aty vdesin vështrimet me zjarrin e vetëtimave”

Këtu kemi një kthesë shumë interesante:

  Vështrimi mashkullor paraqitet si agresiv, i zjarrtë, pothuaj konsumues.Por ai nuk triumfon , digjet në vetvete.

Kjo mund të lexohet përmes teorive të Michel Foucault mbi pushtetin: vështrimi është formë kontrolli, por këtu pushteti ç’fuqizohet nga vetë objekti i tij.

Pra,femra nuk është viktimë e vështrimit, ajo bëhet hapësira e egzistencës.Këtu vjen në ndihmë Imagjinata materiale dhe simbolika e Bachelard-it.

*   “pëllumba”-t, janë element ajror, fluturim, liri

*   “zjarr” -i, është pasion, konsum, shkatërrim.

Këto nuk janë vetëm figura estetike, por archetipa të imagjinatës:

* ajri është  hapje, shpirt, erotikë e lehtë

* zjarri   është tension, dëshirë, rrezik.

Në këtë poezi, ajri (pëllumbat) mbetet potencial (gati për fluturim), ndërsa zjarri (vështrimet) shuhet.

Kjo krijon një hierarki simbolike: femra jepet si potencial i lirë përballë mashkullit ,i cili është energji që vetë digjet.

 Koncentrim emocional

e afron poetikën e Kapisyzit me poetikën moderne minimaliste:

më pak fjalë, më shumë tension kuptimor.Por këtu mund të japim edhe një vërejtje kritike: rreziku i hermetizmit: lexuesi më pak i përgatitur mund të mbetet jashtë kuptimit, nëntekstit.

Gjithashtu, mungesa e një konteksti më të gjerë narrativ mund ta bëjë poezinë të duket e mbyllur në vetvete, hermetike,të shkurtër ashtu si poezia e mirënjohur e Ungaretit,nënvizon akademikuGjovalin Shkurtaj.

Një element shumë i rëndësishëm në poezinë e Kapisyzit është se Erotika nuk është eksplicite.Në poezinë e saj  nuk ka objektifikim vulgar.Përkundrazi,Erotika në poezinë E Kapisyzit është një erotikë e brendshme, e vetëdijshme, që buron nga vetë femra.

Kjo lidhet me teoritë feministe bashkëkohore ku trupi i femrës rimerr autorinë mbi vetveten, dëshira nuk është për t’u parë, por për t’u ndjerë dhe përjetuar,si qenie, si egzistencë.

Kjo poezi e Shpresa Kapisyzit, përmbys raportin klasik subjekt–objekt.Ajo e vendos trupin e femrës si qendër vetëdijeje dhe force.Kapisyzi përdor një gjuhë të kursyer, por të ngarkuar simbolikisht. 

Poetika e Shpresa Kapisyzit është një poezi që mund të vendoset mes fenomenologjisë së trupit, imagjinatës materiale dhe kritikës feministe të vështrimit.

Analogjitë e vazhdueshme midis njeriut dhe natyrës krijojnë një egzistencë organike, ku jeta dhe vdekja nuk paraqiten si kundërvënie, por si pjesë e një cikli të përbashkët. Në këtë mënyrë, poezia artikulon një etikë të pranimit, ku bukuria qëndron në kalimin e viteve .

Përdorimi i figurave mitologjike si Odiseu, Penelopa apo Troja,Priami,Kasandra, krijon një dialog të drejtpërdrejtë me traditën evropiane. Megjithatë, këto figura nuk mbeten në funksionin e tyre klasik, por rikodohen në kontekstin e përvojës personale.

“ Odisea prehej…

Ndërsa Penelopa, shpresë humbur,

Përsëri kishte filluar të endte”

Ky proces mund të lidhet me konceptin e T. S. Eliot për “metodën mitike”, ku miti përdoret për të strukturuar përvojën moderne. Në poezinë e Kapisyzit, kjo metodë merr një formë më intime: Penelopa, për shembull, nuk është më simbol i besnikërisë, por i një shprese të zgjatur përtej arsyes.

Megjithatë, në disa raste, referencat mitologjike mbeten në nivel aluziv dhe nuk integrohen plotësisht në strukturën organike të poezisë, duke krijuar një tension midis traditës dhe përvojës individuale.

****

Minimalizmi dhe përqendrimi i imazhit e afrojnë poezinë e Kapisyzit me traditën e haikut japonez, veçanërisht me poetikën e Matsuo Bashō. Ashtu si në haiku, edhe këtu kemi një ekonomi të skajshme të gjuhës dhe një intensitet të përqendruar të përvojës.

Megjithatë, ndryshe nga haiku, ku momenti është i pastër dhe i jashtëm, te poezia  e Kapisyzit ai është i brendshëm, i ngarkuar me kujtesë dhe reflektim. Kjo krijon një formë hibride, që mund të përkufizohet si një haiku i brendshëm, ku imazhi natyror shndërrohet në bartës të përvojës ekzistenciale.

Gjuha artistike ka evoluar nga vëllimi i parë”Ju ndjej pranë”, 1979 deri në vëllimin poetik”Lutja e pemëve”.Poetika e  Shpresa Kapisyzit ,është e kursyer por me një nënteks plot domethënie,realizuar mes detajesh origjinale,shkruan Ndoc Gjetja për librin e saj “Koha luan me njerëzit”.

Tashmë Shpresa Kapisyzi Rama është një poete me përvojë, dhe ka lënë jo vetëm emrin ,por gjurmën e saj në logun e krijimtarisë letrare.Ajo edhe me një ekonomi fjalësh di të plazmojë bukur  materien poetike ,ashtu siç e cilëson Ndoc Gjetja,pjesëtare e shkollës poetike të Lezhës.