Nexhi Hasani
Pranvera Belba Fusha , mbese nga Cameria


Pranvera Fusha një autore dhe poete shqiptare, e lindur në Durrës më 1963.
Jeta e saj pasqyron rrugëtimin e shumë grave shqiptare: një udhëtim i përshkuar nga sfida, guxim dhe shpirt i pathyeshëm.
Në vitin 1994 emigroi në Itali, ndërsa prej vitit 2014 jeton në Gjermani, ku vijon të kultivojë pasionin e saj të hershëm për letërsinë dhe poezinë.
Shkrimet e saj burojnë nga përjetime të thella njerëzore: dhimbje, dashuri, mërgim, si dhe forca e gruas në përballje me jetën.
Natyra e Durrësit të lashtë me detin herë zulmëmadh e herë qetanak, rrethinat si ato
kopshtet e varura shkallë- shkallë, kanë qenë dhe janë mrizi ku gjallojnë zanat e poezisë.
Deti, deti me gjuhën e dallgëve, që herë shkërmoqet me zulme brigjeve dhe batllave, e herë
puthet ëmbël në rërën e artë, janë një poezi e pambarimtë. Currilat, Kallmi, Kodërvila, Bishti
i Pallës si një gisht stërmadh në zemër të detit, Shkëmbi i Kavajës, ku gugasin pëllumbat e
këndojnë pa pushim bilbilat, janë magjeja ku gatuhet kjo nostalgji e pjellon kjo poezi e
pakufi.
Në këto mjedise u lind dhe u rrit dhe poetja Pranvera Belba Fusha, ajo “shehelija” durrsake
siç e quan veten në një poezi.
Ka botuar dy libra:
“Lule Akulli”, një përmbledhje poezish, ku ndjenja ndërthuret me ndershmëri shpirtërore, dhe
dashuri.
Për këtë libër , mendimi kritik është shprehur: “Vëllimi poetik “Lulet e akullit” i vjen lexuesit
me një amalgamë lirike e motivesh subjektive të qëmtuara nga jeta e autores. Që në leximin
telegrafik vihet re se kjo përqasje i ka dhënë poezive hapësira shumëdimensionale, si në
planin shoqëror dhe në atë shpirtëror.
…. Me arkeologjinë e memorjes, kësisoj, autorja arrin të kodifikojë arkeologjinë e poezisë së
saj me anë të palimsesteve poetike. Këtë ajo e maturon nëpërmjet metaforave, simbolike
anaforave e similitudave, duke pikturuar poetiksht tablotë e jetës me kolor shpirtëror, në
funksion të fisnikërimit, shpirtëzimit, përmes tabulateve të artit poetik.
….Poezia e Pranverës në tërësinë esaj, priret nga e thjeshta, ka vlera kuptueshmërie nga një
kategori e gjërë lexuesish, ka pak nuanca të poezisë inteligjente.
Vladimir Muça:
PARADIGMA LIRIKE ME SYRIN E SHPIRTIN E NJE FEMRE
(Vështrime kritike për librin “Lule akulli ” të Pranvera Belba Fusha)
Libri i dytë i saj titullohet “Dhimbja e një Gruaje”, një vëllim me tregime që pasqyrojnë
realitete të forta, me një zë të ndjeshëm, por të drejtëpërdrejtë,përplot fantazi.
Për të poezia është shpirti i kthyer në fjalë, ndërsa proza është dëshira për të thënë të
vërtetën, edhe kur ajo është e hidhur. Ajo beson thellësisht se, Toka është parajsa, por
njerëzimi ende nuk e kupton.
Author: Belba, Pranvera
Në gjirin e Artës u ndala
Rrezet e arta puthnin detin
Si mijëra diamante shkëlqente
Malli për Çamërinë më treti
Për tokën e të parëve
Për Morenë e bukur
Për vashat si Zana
Për djemtë si Osman Taga
Për trimat që rriti, për suljotët me nam
Për Marko Boçarin, luftëtarin me famë
Për Ali Pashanë, që tradhtia e vrau
Për Bubulinën trime heroinën çame
Ç’të them e ç’të qaj moj Çamëri?
Bukurinë tënde e kishin të gjithë zili
Të dogjën, të shuan çakejtë mizorë
Me shpata e thika, trupat me gjak larë
Ikën vitet, ikën shekujt, ti mbete e re.
Bijtë e tu enden si zogj mbi atdhe.
Një shpresë na mban gjallë,
Të kthehemi tek rrënjët, ku lindën gjyshërit tanë.