Retushimi i dokumentit të Pavarësisë-Gezim Llojdia

…Në dokumentin që u botua dhe që njihej në 50 vitet e shkuara, mbeti enigmë se përse u hoqën firmëtarët dhe u vendosën fotografitë.

…Në foto, Aristidh Ruci është në të majtë, në rreshtin e dytë, fare pranë Ismail Qemalit.

Gezim Llojdia

1.

Jeta e Aristidh Rucit.Për figurën e një prej firmëtarëve të Kuvendit historik të Vlorës, Aristidh Rruci, “mendje e Vlorës”, siç citohet në një botim, ka pak të dhëna historike si edhe dokumente e faksimile.

Aristidh Rruci, “mendje e Vlorës” -shkruan Etien Dilo në dy botime që ka lënë pas vdekjes aksidentale. Emri i Aristidh Rucit është i lidhur me përpjekjet për hapjen e shkollave të para shqipe që nga fundi i shekullit XIX, me luftën për pavarësi, armatosjen e luftëtarëve të lirisë, me Shpalljen e Pavarësisë, ngritjen e administratës shqiptare, me Epopenë e Vlorës, me luftën e paprerë për një Shqipëri të lirë, të pavarur e demokratike; shkurt, që ishte shpirt nga shpirti i shqiptarizmit, thotë ai. Ky autor na shtjellon historinë e firmëtarit A. Rruci.

Lindi në Sheper të Zagorisë, më 11 mars 1875. Pasi kreu mësimet e para në mejtepin e vendlindjes, ndoqi rimesimet në gjimnazin “Zosimea” të Janinës. Në vitet 1896-1898 shkoi në Stamboll, ku punoi në një dyqan që tregtonte lëndë ndërtimi. Më 1899-1904 qëndroi në Janinë duke punuar në tregun e drithit. Pas këtij viti erdhi në Picar të Vlorës, në çifligun e Haxhi Muhametit, si ekonomat. Në vitin 1906, e deri në fund të jetës, u vendos në qytetin e Vlorës dhe u mor me tregti.

2.

Aktiviteti atdhetar.Dilo na thotë se Aristidh Ruci, miku i ngushtë i Ilia Dilo Sheperit i cili ka qenë edhe inspektor arsimi në Vlorë zhvilloi një veprimtari të gjerë kombëtare. Ishte anëtar i klubit “Labëria” të Vlorës. Më 1908 financoi blerjen e armëve për çetat patriotike dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe.

Ndër të dhënat e rëndësishme është se në korrik 1911 ishte anëtar i komisionit të organizimit të Kuvendit të Drashovicës, në përkrahje të Memorandumit të Gërçës. Shkoi në Itali së bashku me atdhetarë të tjerë vlonjatë dhe u takuan me Ismail Qemalin, me të cilin biseduan për organizimin e Lëvizjes Kombëtare. Kishte korrespondencë me Çajupin, Jani Vruhon e Sotir Kolën.

Në vitin e ngritjes së flamurit, më 1912, emri i Aristidh Rucit si përfaqësues i Vlorës shënohet në Kuvendin Kombëtar të Shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit. Në vitet e Qeverisë së Vlorës zhvilloi veprimtari të gjerë në mbështetje të saj, për zgjidhjen e problemeve ekonomike dhe financiare. Ndihmoi në ngritjen e administratës në Fier, Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër dhe Delvinë.

Gjatë viteve 1918–1920 u përfshi në veprimtari të gjerë kundër pushtuesve italianë. Ishte anëtar i komisionit të organizimit të demonstratës anti–italiane me rastin e 28 Nëntorit 1919, te Xhamia e Tabakëve. Së bashku me Osman Haxhiun, Beqir Sulon, Ymer Radhimën dhe Abaz Mezinën i dërguan letër Qeverisë së Përkohshme të Durrësit ku protestuan për qëndrimin shtypës të pushtuesve italianë ndaj popullit të Vlorës (AQSh, Fondi DPB, dosja nr. 48, origjinal).

Mori pjesë në Luftën e Vlorës (1920) kundër pushtuesve. Në zjarrin e luftës u krijua shoqëria patriotike “PërLindja Kombëtare”, ku komisioni ngarkoi Aristidh Rucin dhe disa atdhetarë të tjerë për hartimin e rregullores së saj (AQSh, fondi 518, dok. nr. 640026).

Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” e ngarkoi për të shoqëruar bandën muzikore të Federatës “Vatra” dhe Komisionin e Kryqit të Kuq Amerikan në frontin e luftës. Në vitet 1920–1924 u përfshi në lëvizjen demokratike të vendit, në federatën “Atdheu” dhe shoqërinë “Bashkimi”.

Luajti rol të veçantë në krahinën e Himarës dhe Gjirokastrës. Bashkëpunoi me atdhetarë të njohur vlonjatë si Osman Haxhiu, Ali Asllani, Qazim Kokoshi, Murat Terbaçi, Abaz Mezini, Ibrahim Abdullai dhe Dom Mark Vasa.

Ndihmoi Kishën Autoqefale Shqiptare dhe Visarion Xhuvanin. Në vitet 1921–1939 ka qenë anëtar i Këshillit Administrativ të Bashkisë së Vlorës. Krahas tregtisë në Vlorë, ishte edhe sipërmarrës në fabrikën e duhanit në Durrës.

Në vitin 1937 u zgjodh anëtar i kryesisë së Bankës Kombëtare Shqiptare.

Gazeta “Jeta e re”, më 5 gusht 1938, shkruante:

“Veçanërisht urojmë mikun tonë z. Aristidh Ruci, i cili është një atdhetar i provuar e një inteligjencë e gjerë e Vlorës sonë…”

Në prill të vitit 1939, së bashku me Ali Asllanin, Vasil Dhimitrin dhe Pavlo Pavlin, krijuan Degën e Kryqit të Kuq për Vlorën.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, si antifashist, u arrestua dhe u internua nga pushtuesit italianë në Itali (Muzeu Historik i Vlorës).

3.

Retushimi i dokumentit të Pavarësisë.Për dokumentin kryesor të firmosur në Vlorë në ditën e ngritjes së Flamurit mbetet mister se ku ka përfunduar akti origjinal, ndërsa disponohet ende kopja e tij.

Fotokopja e dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë nga Kuvendi i Vlorës, 28 nëntor 1912, që gjendej në senduqin e librave të Aristidh Rucit, e ka firmën A. Rruci të lexueshme qartë (kthimi i “rr”-së së fortë në “r” të butë është veçori e të folmes qytetare).

Në dokumentin e botuar gjatë 50 viteve të fundit mbeti enigmë se përse u hoqën firmëtarët dhe u vendosën fotografitë.

E. Dilo sjell këtë të dhënë interesante:

“Në foto, Aristidh Ruci është në të majtë, në rreshtin e dytë, fare pranë Ismail Qemalit.”

Më 28 nëntor 1912, pas Shpalljes së Pavarësisë, I. Qemali me shokë dhe populli, shkuan në xhami dhe kishën kryesore të qytetit, ku u dëgjuan lutjet fetare të mbajtura nga klerikë shqiptarë. Edhe në xhami e kishë u duhej ngritur e valuar Flamuri i Shqipërisë. Sipas dokumenteve të elbasanasit Lef Nosi, këta dy flamurë u gjetën në shtëpitë e Aristidh Rucit dhe Eqrem Vlorës (Adem Hodo, “Koha e Jonë”, tetor-dhjetor 1973).

Letërkëmbimi i Rucit me Ilia Dilo Sheperin sjell përjetimin e 28 Nëntorit 1912. Aristidhi i shkruante nga Vlora për ato çaste historike, për miqësinë me Ismail Qemalin. Kur u hartua Deklarata e Pavarësisë, ai kishte bërë këtë vërejtje:

“Nuk është aq entuziaste si janë Deklaratat e Pavarësisë të shteteve të tjera.”

Krahasonte deklaratat e Austrisë, Italisë, Greqisë dhe i dukej se deklaratës sonë i mungonte flaka e entuziazmit.

I. Qemali e kishte bindur se, “ashtu si është hartuar, është e mirë, sepse shmangte kundërshtime e pastaj ftohje të disave.”

Në letërkëmbimet që patën, trajtoheshin mendime të tilla:

“Shqipëria i përballoi rreziqet e moteve. U bë një gjysmë Shqipëri. Nuk u bë dot Shqipëria e plotë. Shqiptari mbeti shqiptar në gjak, në gjuhë, në zakone e në vese. Mbetej për t’u forcuar ndjenja kombëtare. ‘Dobiçet e kombit’ – kështu quanin ata që s’merakoseshin për fatet e atdheut, ende të ndarë e të përçarë në fise e krahina.”

4.

Asnjë kambanë nuk lajmëroi shtegtimin e firmëtarit.Fjalë dhimbjeje gjenden në kohë mortesh.

Asnjë kambanë nuk lajmëroi shtegtimin e firmëtarit në vitin 1950. Atdhetari i madh Aristidh Ruci u nda nga jeta më 11 prill 1950. Vetëm njerëzit e tij, me dhimbje të thellë e pa zë, e përcollën në Sheper.

Shtypi i emigracionit politik shkroi:

“Vdiq në Vlorë, më 11 prill 1950, Aristidh Ruci, anëtar i Komitetit Qarkor të Ballit Kombëtar për Vlorën.”

“E kishin burgosur si tregtar. E vetmja kërkesë e tij: ‘Më çoni te shokët e mi, të dënuarit politikë.’” (Gazeta “Flamuri”, maj 1950.)

“Rrucajt -shkruan Jani Dilo – ishin të fjalës, të ndershëm dhe burra me gjithë kuptimin e fjalës. Aristidhi pastaj nuk kishte shok as në Vlorë, as në Shqipëri, aq ishte i mençur dhe i urtë. Do të na shërbenin shumë po t’i kishim deri pas çlirimit të vendit. Vdekja e tyre është një dackë për fatin tonë famëkeq.” (11 maj 1951)

Aristidhi, i ndershëm si Aristidhi, “koka e Vlorës”, mendja… “Pashai i ortodoksëve.” (Gazeta “Patrioti”, nr. 21, nëntor 1992.)