Boris Miska

Sa e ke!! ( Humor në pension).
Është pyetja për ata që do dalin në pension, e cila do ju plasariti më shumë atë pjesën e pasme që ka veç një ndarje. Edhe unë sapo u bëra subjekt i këtij kurioziteti, u gjenda në pak ditë nën brëshërinë e këtij kurioziteti malinj, dhe nuk po gjeja derman derisa më erdhi në ndihmë një veteran.
Unë më tha e zgjdha kollaj. Sa më pyesin u them një shifër pas të cilës shoh se si i hyn llapa brenda dhe iki në punën time duke i lënë të dhjerë në mes të rrugës. Dhe vërtetë ajo shifër qe aq e lartë në raport me shokët dhe mbi të gjitha preçize si këto çmimet e naftës që vendos Bordi, sa të fuste në dyshime.
U thoshte se më ka dalë 736 mijë lekë. E ndava dhe unë mendjen, do u them po këtë shifër e ndokujt edhe më lart, gjithnjë preçiz si Bordi i Edit. Praktikën e fillova që sot me njërin. M’u qep keq; sa të doli, sa të doli. Ça t’i thoja, fillova ta vërdallos që ta kuptonte se ; gratë për moshën e burrat për paret, nuk pyetën. Ja hyra muhabetit, u futa ke Unaza e vogël, dola ke Zogu i Zi, ndala pak tek 21-shi e u ktheva në qendër. Sa arrira poshtë topeve të kalit të heroit dhe gënjeva veten se do harronte.
Mazalla, prap ke ajo pika; hë sa të doli! Pashë ç’pashë, u nisa prap por këtë radhë më gjatë, nga Unaza e Madhe, dola ke Sheshi Shqiponja, Astiri, Kopshti Botanik, TEG e zbrita ke rruga e Elbasanit. Mendova se ja bëra mendjen dhallë, por nuk ka derman, sa u afruam tek Namazgjaja, më shkundi prej xhakete duke më parë në sy; hë mor burrë se nuk ta ha, sa të doli!! Taksiratë i hipa prap makinës e dola në autostradën Tiranë-Durrës. Muhabet pas muhabeti, arritëm në Vorë, pastaj në Shënavlash, ke Plepat. Unë muhabet, ai veç dëgjonte i hutuar. Arritëm tek Mali i Robit, u ktheva në Rrogozhinë, prap unë t’u llafos kodra mbas bregut, ai me sy hap. Kaluam tunelin, arritëm ke TEG, dhe për shkurt prap ke rruga Elbasanit. Aty kur po kalonim i fola për ambasadorin e ri amerikan, që do na vijë shumë shpejt, dhe në fund ndala ke Kinema Partizani.
Shigjeta ke shenja e kuqe nuk kisha më as frymë as karburant, lashë sa për të marrë gruan nga puna. Zbrita, thashë po ndahemi e shkon në hesap të vet!!! Jooo. Kaloj nga ana ime dhe po më shikonte pas xhamit pa u tundur. E ula, nuk kishte derman pa e dëgjuar se; sa e kisha. Ja bëra me dorë të afrohej në mënyrë që t’i jepja konfidencë. Dëgjo vëllain; ty të kam mik e po ta them, po sakën se më nxjerr llaf kund, se as gruas nuk ja kam treguar ‘sa e kam’!
Pa merak, më siguroj. Afroi veshin dhe ja lëshova më në fund rrenën; më ka dalë, i them me zë të ulët; 828 mijë lekë. E pashë që u mpi, e lashë si të menderosur, ngrita xhamin, i dhashë gaz duke parë shigjetën e kuqe që kishte dalë tek kroskoti, naftë e harxhuar kot për ta shmangiar atë dreq pyetje që s’ta le kush pa ta bërë; ‘sa të doli’. Të dalshin sytë që nuk mësove një herë se nuk pyetet tjetri për gjëra private.