Eduard Demo
Shkolla e parë Shqipe e Vlorës




Ngjarjet që kanë bërë histori, ato që kanë lënë gjurmë të thella në kujtesën e njerëzve trashëgohen brez pas brezi. Hapja e Shkollës së parë Shqipe në Vlorë në Gushtin e vitit 1908, me kontributin dhe përpjekjet e pareshtura të patriotëve vlonjat e shqiptar, është një ndër to. Mbështetur në mënyrë të fshehtë nga klubi ” Shoqëria për shkolla shqipe ” ngjarja pati jehonë jo vetëm në qytetin e Vlorës, por edhe jashtë kufijve ku flitej gjuha shqipe. Mbas themelimit të klubit “Labëria” në Tetor të vitit 1908, shkolla u mor nën kujdestarinë e tij dhe u mbështet fuqishëm nga anëtarët në mënyrë të pakushtëzuar. Gjuha jonë si elementi thelbësor i Identitetit Kombëtar është sulmuar pambarimisht jo vetëm nga turqit por edhe nga patriarkana greke e Stambollit së bashku me serbët e Beogradit. Persekutimi i gjuhës shqipe nga Perandoria Osmane mbi gati 5 shekuj, duke mbytur çdo lëvizje për gjallërimin e saj, duke vrarë e burgosur çdo veprimtar, mësues apo mbështetës të saj, bëhej me egërsinë më të madhe. Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare për Gjuhën tonë shkruan se:”Gjuha Shqipe në Europë është e vetmja gjuhë e ndaluar me ligj për shekuj të tërë. Nuk ka një gjuhë tjetër indoeuropiane që është e ndaluar si shqipja ……” Ishte kjo egërsi e pashoqe ndaj Gjuhës sonë që hapja e shkollës së parë shqipe në Vlorë pati jehonë të gjerë. Mësimi i Gjuhës Shqipe në Vlorë kishte dhjetra vite para vitit 1908-të që bëhej në mënyr të fshehur. Në librin e tij ” 28 Nëntori ” e para shkollë shqipe e Vlorës” mësues Llukan Janku shkruan : “Në vitin 1875 me ardhjen në Vlorë të dijetarit të madh Hoxha Tahsin, në takim me Mustafa Pashë Vlora, Musa Çakërri, Nikolla Konomi e Gjergji Basile shtruan nevojën që administrata e shkresat zyrtare të hartoheshin në Gjuhën Shqipe. Hoxha Tahsini dhuroi vlonjatëve 10 abetare shqip të cilat u përdorën ato vite.” Viti 1908 ishte si një liberalizim i politikës Xhonturke të Perandorisë Osmane. E detyruar nga presionet e patriotëve shqiptarë qeveria turke ligjëroi shkollën e parë shqipe në Vlorë, sipas politikave të saj. Në gusht të vitit 1908 gazeta “Liria” e Selanikut në artikullin “Tej shkrim nga Vlora.” shkruante: “Sot hapmë në Vlorë shkollën Shqipe përpara mijëve shqiptarëve, gjithë nënpunësve të Qeverisë dhe Oficerëve të Ushtrisë. U thanë 5-6 fjalë shqip e në fund u hodhën 3 topa. U mblodh populli dhe gjëmuan recitimet ” O malet e Shqipërisë.”, ” O moj Shypni.” etj. si dhe vargjet kushtrim të Pashko Vasës:”Çoniu shqiptarë prej gjumit çoniu
E t’lidhun në një besë si vllazën shtrëngojuni.”
Shkolla e “Muradijes”, sipas emrit të lagjes ku ndodhet godina, ishte “Manushaqia” e parë në gjithë krahinën e Vlorës si shkollë zyrtare. Në godinën dy katëshe me ballkon nga jashtë nxënësit mësonin aty të ulur këmbëkryq, mbi rrogozë në rreshta me pllaka e kalemë guri. Drejtor i parë i Shkollës u caktua Leonidha Naçi dhe zëvendës i tij Hamit Lumi e më pastaj Hamza Isai e Jani Minga. Tingëllojnë aktuale këshillat e Diplomatit të shquar të asaj kohe Ismail Qemal Vlora më 20 Dhjetor 1908 kur e vizitoi shkollën. Mbas gëzimit dhe krenarisë që ndjeu kur pa që shkolla funksiononte në rregull i merr zilen Rrapo Qorrit, i bie ziles dhe thotë fjalët:”Para kësaj zileje të gjithë jemi nxënës … o me shkollë e në qytetërim, o pa shkollë dhe në errësirë.”
Një ishnxënës i atyre viteve të fillimit të shkollës në kujtimet e tij shprehet:”E vetmja qëndër kulturore e Vlorës aso kohe ishte shkolla e “Muradies”.Te dera na priste një burrë rreth të pesëdhjetave me një shtat të gjatë që quhej Mulla Xhaferri (Drashovica), ai na jepte fshehur shqipen e na thosh:”Kjo gjuhë do t’ju duhet gjithë jetën, do të kënaqeni e do të krenoheni me të. Kjo është gjuha jonë, gjuha e mëmës, gjuha Shqipe.”
Gjatë veprimtarisë së saj, shkolla u ndesh me momente të hidhura sepse 10 muaj më vonë ajo u mbyll nga administrata shtetërore turke dhe u arrestuan mësuesit dhe atdhetarët vlonjatë duke i dërguar në burgjet e Janinës e më gjerë. Dhe një ndër arsyet e mbylljes së saj ishte alfabeti me shkronja latine të cilët mësonin fëmijët vlonjatë. Vazhdoi përsëri në gjysmën e parë të vitit 1910 duke u mbushur me nxënës, bijë dhe bija shqipërie. Një ndër gazetat shqiptare të kohës ” Shqypja e Shqypnisë” më 25 Korrik 1910 në numrin e radhës shkruante se:”Mësonjëtorja e Vlonës po shkonë shumë mirë, është mbushur sërish mbrëmëtakja me pleq e të rij… për të mësuar shqipen.” Por përsëri turqit e rinj e mbyllën shkollën. Mulla Xhaferi vazhdonte tu mësonte fëmijëve gjuhën shqipe. Në vitin 1912 Drejtori i Shkollës ishte Jani Minga i cili nga kjo shkollë u zgjodh Delegat në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, duke dhënë një kontribut madhor në arsimin shqip së bashku me Luigj Gurakuqin, Bab Dud Karbunarën e patriotë të tjerë.
Gjatë vitit 1913 në drejtimin e vendit nga qeveria e Ismail Qemal Vlora, Minstri i Arsimit Luigj Gurakuqi vendosi zyrat e Ministrisë së Arsimit në katin e parë të shkollës. Një mësues i kohës kujton:”Për të hyrë në zyrë Luigj Gurakuqi, atij i duhej të kalonte nga klasa ime. Sa herë kalonte, ai përshëndeste me buzëqeshjen e ëmbël fëmijët, përkëdhelte ndonjërin dhe largohej pa bërë zhurmë. Fëmijët ngriheshin në këmbë pa e ditur se përshëndesnin Ministrin e parë të Arsimit Shqiptar. .. “
Në këtë klasë zyrë Luigj Gurakuqi ka përpiluar dhe firmosur disa nga shkresat, vendimet e thirrjet e Qeverisë Shqiptare për hapjen dhe zhvillimin e Arsimit Kombëtar.
Në këtë shkollë u shpalosën talente dhe në kohërat e vështira janë vënë në skenë drama e Mihal Gramenos dhe çdo 28 Nëntor janë recituar vargje e kënduar këngë të Poetit Kombëtar Ali Asllani.
Kjo shkollë mbeti përherë një vatër e zjarrtë e Arsimit Kombëtar, e edukimit patriotik të breza e brezave të tërë. Në këtë shkollë në një periudhe mbi njëshekullore mësuan personalitete të lëvizjes kombëtare, veprimtarë të shquar të arsimit shqip, të cilët më pastaj studjuan në universitete prestigjioze dhe u bënë Akademikë, Profesorë, Poetë, Shkrimtarë, Inxhinjerë, Ushtarakë etj. me emër jo vetëm në krahinat e Vlorës por në mbarë shqiptarinë brenda dhe jashtë kufijve ku flitet, ruhet, shkruhet dhe pasurohet gjuha shqipe. Edhe në ditët e sotme shkolla është një ndër krenaritë e qytetit. Në Nëntor të vitit 2006 nga Ministria e Kulturës, për ta përjetësuar si Shkolla e parë Shqipe në Vlorë godinës ju dha statusi “Monument Kulture” e Kategorisë së I-rë.
Emrat e mësuesve të parë e në vazhdim do të mbeten në përjetësi, frymëzim për të gjithë brezat që do të vinë. Nxënësit krenarë si nxënës të një shkolle me edukim atdhetar kombëtar. Mësues të cilët kishin nxënës emrat e mëdhenj si Poetin e Madh Ali Asllani, Profesorin e Nderuar Shaban Demiraj, Poetin e famshëm Fatos Arapi, Piktori i Merituar Zamir Mati etj.
Emri i saj ” 28 Nëntori” lidhur me ditën e shpalljes Pavarësisë së Shqipërisë e lartëson atë në nderin dhe krenarin e arsimit vlonjat.
Përveçse në detyrën e mirëfilltë të saj, shkolla është edhe një pasuri e Trashëgimisë sonë Kulturore për turizmin kulturor. Vizitorë të shumtë nga Kosova kryesisht, por edhe nga vendet e ndryshme Europiane shprehin shumë interes dhe e vizitojnë gjatë ditëve që kalojnë në qytetin e Vlorës. Ajo duhet të jetë në të gjitha guidat turistike si tregues i Identitetit tonë Kombëtar.Asgjë nuk duhet harruar.