
Shpjegimi i fundit
Kur e shohin që s’munden dot
të bëjnë keq në poezi,
me tangërllik më pyesin plot:
-Ti kush je, dhe nga e di?!
Kur e shohin që kam mendim,
kritikë me faturë të prerë,
më thonë ata:
-Nga dole ti,
dhe ku e gjete këtë derë?!
Si oborr babe e kanë bërë,
grupe, çeta poezinë,
kë do “vdesin”, kë do “ngjallin”,
kanë firmosur “vendalinjtë”.
U hedh vargun para syve,
sikur s’shohin bëjnë cmirzinjtë,
nuk i ke për lavdërime,
veç të vjedhin djathin minjtë.
Kur u thua: “Është i imi”,
nuk të njoh, të thonë nën dhëmbë,
poezi pa fund u shtrova,
-Kush je ti? -më pyesin rëndë.
“Ti dje erdhe, moj e gjorë,
unë me vite kam peshuar,
mos më thuaj s’ke të drejtë,
sa të jem unë, ke dështuar.”
Kanë harruar rehatxhinjtë
shqipen drejt edhe ta shkruajnë,
kur guxon t’u bësh kritikë:
-Kush je ti që plagët kruan?
E vërteta është e hidhur,
s’ju pëlqen, por ta dëgjoni:
vargu nuk është pronë private,
do ta shkruaj, doni s’doni.
Sa për mua, kur të pyesni
se kush jam dhe nga u gjenda,
jam një grua nga bregdeti,
kam synime, kam dhe ëndrra.
Kam dhe shpirt të mbushur plot
me mesazh dhe poezi,
mos më pyet nga mbiva unë,
pyete veten: -sa vlen ti?