Skënder Murrja promovon librin “Po kthehem në hotesh”-Nga Halil Rama

PROMOVIMI

Dhjetra personalitete akademike e të letrave vlerësojnë librin e mësuesit veteran, anëtar i Kryesisë së OBVLP

Skënder Murrja promovon librin “po kthehem në hotesh”

Nga Halil Rama – Mjeshtër i Madh

Libri i autorit Skënder Murrja “PO KTHEM NË HOTESH” që u promovua më 12 tetor 2025 në Akademinë e Shkencave në Tiranë, me praninë e qindra pjesëmarrësve nga vendlindja e autorit dhe nga miq e shokë të shumtë të tij me banim në Tiranë, Peshkopi e Durrës, u vlerësua për mesazhet që përcjell mësuesi veteran me kontribut të pandërprerë në edukimin mijëra nxënësve në disa shkolla të qarkut të Dibrës.

Fillimisht u ndoq me interes të veçantë dokumentari (I përgatitur nga unë H.R) që pasqyronte me mjeshtri e art shembullin e një mësuesi që me pasionin për dije dhe dashurinë  për nxënësit punoi një jetë tërë. Ishin këto dije të thella e të qëndrueshme që ai i për mishëroi dhe përçoi me përkushtim e  dashuri, të cilat do t’u shërbenin qindra e mijëra nxënësve të tij, nga Derjani i Matit, Luznia, Muhurri, Çidhna, Katër Grykët e Bulqiza, si arma më e fuqishme për  jetën.

42 vite kontribut pa ndërprerje, si mësues dhe drejtor i disa shkollave në tre rrethet e qarkut Dibër, të finalizuara në këtë libër, u vlerësuan maksimalishte dhe nga kryetarja e Bashkisë Bulqizë Znj. Festime Mjeshtri. Ajo e vlerësoi këtë botim si pasqyrë të jetës së një mësuesi të përkushtuar që nuk u nda asnjë ditë nga shkolla duke dhënë mësim dhe duke drejtuar me përgjegjësi institucionet arsimore të Matit e Dibrës.

Luljeta Prençi, drejtore e gjimnazit “Ibrahim Rugova” Kamëz e vlerësoi librin “Po kthehem në Hotesh” një prozë memorialistike që për nga zhanri, është një autobiografi e ndërthurur me kujtime dhe pasazhe të tjera që i kalojnë kufijtë e një autobiografie të mirëfilltë. Kjo sipas saj për faktin se në këtë këtë libër është një jetë, bilanci i së cilës e bën krenar këdo; një jetë përkushtuese dhe që afirmon personalitetin e individit përmes punës.

Kryetarja e Org.Bashkua të Veteranëve të LANÇ e pasardhësve, Znj. Tatjana Parllaku – Çarkaxhiu, ndër të tjera në fjalën e saj tha se OBVLP krenohet me Skënderin, i cili sot punon me përkushtim për të mbajtur gjallë kujtimin, veprën dhe idealet e atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Pikërisht për këtë kontribur madhor ajo dhe Nënkryetari i kësaj organizate Muharrem Gjoka – Mjeshtër i Madh i akorduan mësuesit veteran Skënder Murrja “ÇERTIFIKATË MIRËNJOHJE”.

Demir Osmani që ka pasur fatin që me Skënder Murren të jenë së bashku nxënës në gjimnaz, në Institut, mësues në Mat e Dibër, ndër të tjera evidentoi faktin që “Skënderi i dha arsimit në Dibër rininë, pjekurinë, burrërinë dhe i mori mirënjohjen, dashurinë dhe respektin e shumë brezave.

Në të njejtën linjë e vlerësoi mësuesin veteran Skënder Murrja edhe bashkënxnësi e bashkëstudenti i tij në gjinnazin e Durrësit e në Institutin Pëdagogjik të Shkodrës, Bashkim Lami, i cili në cilësinë e kryetarit të Shoqatës Atdhetare ‘BULQIZA” i dha atij “ÇERTIFIKATË MIRËNJOHJE”.

Faik Xhani, ndër të tjera e vlerësoi Skënder Murren si veprimtar shoqëror për kohën që ishte sekrrtar i Komitetit të Rinisë Luzni e në ushtri, anëtar i Plenumit të Rinisë Dibër dhe kryetar i Sindikatës së Arsimit Bulqizë.

Prof. dr. Arif Murrja – pedagog në Universitetin Bujqësor Kamëz u ndal te një aspekt i veçantë: vendlindja në librin e Skënder Murres…Sepse, me këtë libër ai na kujton se vendlindja nuk shuhet kurrë nga zemra e njeriut. Ajo mbetet udhërrëfyese shpirtërore që na udhëheq në çdo hap të jetës. “Libri ‘Po kthehem në Hotesh’- monografi, është një udhëtim i shpirtit drejt vendlindjes. Që në hyrje autori na ndal te emri i Hoteshit dhe etimologjia e tij. Ai na kujton se vendlindja nuk është thjeshtë hapësirë gjeografike, por një trashëgimi kulturore dhe shpirtërore, që duhet ruajtur me kujdes”, -tha ndër të tjera Prof. dr. Arif Murrja.

Figurën e mësuesit Skënder Murrja e lartësojnë shumë cilësi, por ato që shfaqen më dukshëm, janë sinqeriteti dhe bujaria, mikpritja dhe dashuria që ushqen për të gjithë njerëzit.

Skënder Murrja është dhe një veprimtar i palodhur shoqëror. Ai, bashkë me shumë shokë të vjetër mësues të Dibrës dhe jo vetëm, edhe si anëtar i kryesisë së OBVLP, bën një punë të mirë atdhetare për njohjen dhe vlerësimin e Luftës e të heroizmit shqiptar në shekuj për çlirimin dhe mbrojtjen e vendit nga pushtuesit.

PASUES I NJË FAMILJE ME  KONTRIBUTE NË HISTORINË E KOMBIT TONË

TATJANA PARLLAKU ÇARKAXHIU

KRYETARE E OBVLP*

Përkujtojmë sot me nderim të thellë ata që luftuan me zjarrin e rinisë kundër pushtuesve fashistë e nazistë, ata që dhanë gjithçka për lirinë e atdheut dhe që, edhe pse po shuhen dita-ditës, ne i mbrojmë e i ruajmë si thesare të çmuara të kombit tonë, duke u kujdesur për jetën dhe veprën e tyre.

Është pikërisht Skënder Murrja ai që me përkushtim të madh e vazhdon këtë mision fisnik. Ai është pasues i një familjeje të nderuar e të çmuar, që ka dhënë kontribute të mëdha në historinë e kombit tonë. Një nga pinjollët e kësaj familjeje, Arif Markja, ra dëshmor në vitin 1944 në Junik të Gjakovës, duke dhënë jetën në luftë kundër bishës naziste. Sot, eshtrat e tij prehen me nder në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit, këtu në Tiranë.

Prandaj ne krenohemi me Skënderin, i cili sot punon me përkushtim për të mbajtur gjallë kujtimin, veprën dhe idealet e atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut. Ai dhe shumë pasardhës të tjerë të veteranëve, me shembullin e tyre, frymëzojnë brezat e rinj të rriten me dashurinë për vendin, për paqen dhe për njeriun.

Në këtë ditë të përurimit të librit kushtuar jetës dhe veprës së Skënder Murres, ne shprehim krenarinë tonë që ai është pjesë e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. E falënderojmë për kontributin, përkushtimin dhe ndihmën e tij të çmuar në mbarëvajtjen e punëve të organizatës, në shërbim të veteranëve dhe pasardhësve të tyre — atyre që sakrifikuan gjithçka për lirinë dhe për ditët e lumtura që ne gëzojmë sot.

Ne gjithashtu e vlerësojmë me mirënjohje të thellë Skënderin si krenari e organizatës sonë. Me këtë rast, falënderojmë Skënderin dhe mbarë familjen Murrja për këtë veprimtari të rëndësishme dhe premtojmë se ndihma dhe përkrahja jonë për të gjithë veteranët, pasardhësit e tyre dhe familjet e dëshmorëve, nuk do të shuhet..

* Fjala në promovimin e librit “PO KTHEHEM NË HOTESH”TË AUTORIT SHKËNDER MURRJA