Toga e (para)fundit- Ruzhdi Gole

Ruzhdi Gole

Kush janë vrasësit :

pushkët, pushkatarët ?

… dihet kush janë të vrarët…

Pas një kodre, mali 

afër buzë një përroi

nga pushkatarët 

cili qëlloi i pari,

i fundit qëlloi ?

Kush u rrëzua i fundit

nga të vrarët 

të pa mundurit ?

Të gjithë pushkatarët 

me të njëjtën armë

qëlluan

duke shkrepur 

çdonjeri 

pushkën e vet,

para togës 

së pushkatimit

secili prej atyre 

që do të vritej 

ishte vrarë 

përpara shkrepjeve

në pranga në polici

në burg la duart

në gjyq tingujt 

iu shuan

në lutje për t’u falur 

në falje gjuhëprerë.

Hijet e të gjallëve 

vriteshin

nga ushtarë 

të (pa)fajshëm

zelltarë të vërtetë 

rrëpire, buzë përroi, … 

edhe zelltarët 

të (pa)fajshmit

vriteshin

nga të tjerë 

pushkatarë 

këta nga të tjerë

vrasës heronj …

Dihet kush janë 

të vrarët,…

vrasësit…