Treporti historia nga kohët e lashtësisë-Gezim Llojdia

Gezim Llojdia

1.

Emërtimi i sotëm i qytetit antik të Treportit njihet si Kalaja e Treportit dhe muri antik në det. Ky listim me dy elementë ngre pyetje të natyrshme: ku ndodhej saktësisht kalaja dhe në çfarë sipërfaqeje shtrihej muri rrethues në det?

Frymëmarrja e fundit e këtij qyteti nuk është regjistruar në memorien shekullore. Megjithatë, studiuesit gjykojnë se rreth shekullit III pas Krishtit, “ora” e këtij qyteti ndaloi, duke i dhënë fund ekzistencës së tij. Tronditjet historike, pavarësisht gjatësisë së shekujve, mbajnë gjithmonë data. Shekujt IV-V, ashtu si për shumë qytete antike të zonës së Vlorës – Olympia, Cerja dhe vetë Triporti konsiderohen si periudha ku zhvillimi i jetës urbane, ekonomike dhe qytetare ka qenë në kulmin e vet, duke dominuar historinë e rajonit.

Mjegullat e kohës, pavarësisht dendurësisë së tyre, kanë një epilog të përbashkët: harresën. Në të vërtetë, Triporti u zbulua vonë. Muret e tij mbetën për shekuj të tërë nën errësirën e kohës dhe nën valëzimin e ujërave të detit.

2.

Treporti sot.Nëse bankina ishte një gjuhë e ngushtë që shtrihej 200–300 metra në thellësi të detit, rrënojat mund të dallohen qartë nga kodra përballë, e cila dikur ishte pjesë e një garnizoni ushtarak.Shkëmbinjtë e kësaj gjuhe, që ngrihen 0.5-1 metër mbi ujë, luajnë rolin e një valëthyesi natyror, duke krijuar një zonë të qetë dhe të mbrojtur mirë nga dallgët. Në të vërtetë, këta shkëmbinj që thyejnë dallgët ngjasojnë me nëndetëse të vogla, gjysmë të zhytura nën sipërfaqen e ujit.

Gjurmët e kohëve të hershme ndodhen shumë pranë bregut dhe kodrës prej materiali shtufi, e cila zbret thikë drejt detit. Cilit ndërtim të lashtë i përket një strukturë me përmasa të rregullta katrore, që shquhet rreth 30 metra nga bregu, brenda ujit?

Një barrierë e madhe prej blloqesh guri, në një distancë 500-600 metra nga bregu, dallohet nga përplasja e dallgëve mbi të. Kjo barrierë, e cila mund të ketë qenë pjesë e portit antik, mund të ndiqet për pak çaste kur dallgët shuhen për t’u rikrijuar sërish, ose në ditët kur deti është i qetë dhe pa valëzim.

E gjithë hapësira e këtij kepi dëshmon se përmasat e Treportit, edhe sipas mendimit të studiuesve, kanë qenë ndër më të mëdhatë për kohën e vet.

3 .

Kur është gërmuar për herë të fundit në Treport? Prej më shumë se 20 vitesh, arkeologët nuk janë parë më këtu për gërmime as në tokë, as në det. Sa për survejime, ato vështirë se mund të kenë qenë të plota. Sot, Treporti mbetet në pritje të kohës së vet, për të nisur më në fund gërmimet arkeologjike.

4.

Ku shtrihej qyteti i Triportit dhe kalaja e tij?Emërtimi i sotëm i qytetit antik të Triportit njihet si Kalaja e Treportit dhe muri antik në det. Ky përcaktim me dy elementë ngre pyetje thelbësore: ku ndodhej saktësisht kalaja dhe në çfarë sipërfaqeje shtrihej muri rrethues në det?

Frymëmarrja e fundit e këtij qyteti nuk është regjistruar në memorien shekullore, por gjykohet se rreth shekullit III pas Krishtit “ora” e Triportit ndaloi, duke i dhënë fund ekzistencës së tij si qendër urbane. Tronditjet historike, pavarësisht gjatësisë së shekujve, kanë gjithmonë datime të përafërta. Shekujt IV-V pas Krishtit, ashtu si në shumë qytete antike të zonës së Vlorës – Olympia, Cerja dhe vetë Triporti përbëjnë periudhën ku zhvillimi i jetës urbane, qytetare dhe ekonomike ishte në kulmin e vet, duke dominuar historinë e zonës.

Mjegullat e kohës, pavarësisht dendësisë së tyre, kanë një epilog të përbashkët: harresën. Në të vërtetë, Triporti u zbulua relativisht vonë. Muret e tij mbetën për shekuj të tërë të fshehura nën errësirën e kohës dhe nën valëzimin e ujërave të detit.

Triporti ndodhet rreth 7–8 kilometra larg, në gjirin e Vlorës. Ky gji karakterizohet nga brigje të sheshta me thellësi të vogla ujore dhe mbyllet natyrshëm nga shpatet e malit të Llogarasë dhe gadishulli përballë, me lartësi që arrijnë deri në rreth 840 metra.

Triporti përfaqëson një rrip toke në formë istmi, i cili shtrihet rreth 8 kilometra në veriperëndim të qytetit të Vlorës, midis Lagunës së Nartës në lindje dhe detit Adriatik në perëndim. Relievi i këtij rripi toke përbëhet nga kodrina të ulëta që arrijnë deri në 80 metra mbi nivelin e detit. Në disa zona të tjera, toka është shumë e ulët dhe përbëhet nga rërë e imët dhe e bardhë, si në zonën e Kavalonës, në lindje të Nartës.

Në të kaluarën, lidhja e Lagunës së Nartës me detin realizohej përmes tre hyrjeve ujore, nga të cilat sot funksionon vetëm një. Në pjesën më të gjerë dhe më të lartë të Triportit ndodhet fshati i Zvërnecit, ndërsa në pjesën jugore të tij, që zgjatet drejt detit, janë zbuluar mbetje të një porti antik, çka dëshmon rëndësinë strategjike dhe tregtare të zonës.

Administrativisht, ka një sipërfaqe prej rreth 12 000 hektarësh, nga të cilët rreth 42 km² përbëhen nga pasqyra ujore e Lagunës së Nartës. Pjesa tjetër e territorit shtrihet në kodrat që rrethojnë qytetin e Vlorës në verilindje dhe lindje, duke u kufizuar në jugperëndim me Bashkinë Orikum dhe në veriverilindje me komunën Novoselë.

Laguna e Nartës dhe ishulli i Sazanit janë elementë të rëndësishëm natyrorë të kësaj zone. Laguna e Nartës gëzon njohje ndërkombëtare pasi përmbush kriteret e Konventës së Ramsarit. Ajo mbyllet nga kepi i Triportit, i cili, së bashku me kodrën e pyllëzuar përreth, formon një kompleks natyror me vlera të veçanta historike, ekologjike dhe turistike.

5.

Gjiri i Vlorës dhe Kepi i Treportit.Gjiri i Vlorës shtrihet në një hapësirë prej rreth 19 km gjatësi dhe 16 km gjerësi. Ai fillon në veri me Kepin e Treportit dhe përfundon në jug me Kepin e Gjuhëzës. Ky gji përfaqëson një nga hapësirat më të rëndësishme natyrore dhe strategjike të bregdetit shqiptar.

Kepi i Treportit ndodhet në skajin verior të gjirit, në zonën e Lagunës së Nartës, duke krijuar një lidhje natyrore midis lagunës, detit Adriatik dhe hinterlandit të Vlorës. Ky pozicion e ka bërë Treportin një pikë kyçe për lundrimin, tregtinë dhe mbrojtjen detare që në lashtësi.

6.

Treporti në listën e qyteteve antike/Zona e Vlorës përfshin disa nga qytetet dhe qendrat antike më të rëndësishme të Ilirisë jugore. Në këtë territor njihen pesë qytete antike kryesore:

Amantia, Olympia, Cerja, Orikumi dhe Treporti, si dhe disa qendra të fortifikuara si Olympia, Cerja dhe Treporti.

a) Vështrimi i studiuesve të huaj.

Studiues të huaj e kanë identifikuar Treportin si një qytet të rëndësishëm, por për një kohë të gjatë pak të njohur. Në zonën bregdetare në jug të Apolonisë dhe në hinterlandin e Orikumit shtrihej territori i fisit ilir të amantëve, me qendrën e tij kryesore Amantinë. Ky territor shtrihej nga lumi Vjosa deri në malet Akrokeraune dhe përfshinte një rrjet kështjellash dhe qytetesh të fortifikuara.Luginat, qafat dhe vendkalimet natyrore lidhnin zonat e brendshme malore me bregdetin. Në bregdet ose në pozicione ndërmjetëse ndodheshin kalaja e Treportit (si skelë detare), Kanina, Himara (Himera) dhe qyteza e Borshit. Më në brendësi gjendeshin Mavrova (Opympa), Amantia dhe qyteza e Cerjes, e cila kontrollonte rrugën që lidhte territorin amant me Kaoninë.

b) Neritan Ceka për Treportin.Sipas arkeologut Neritan Ceka, Triporti ishte një qytet i rëndësishëm, ndonëse për një kohë të gjatë pak i njohur. Ai u zbulua nga Karl Paç në vitin 1904, i cili evidentoi një mur të pazakontë që zgjatej nga kodra drejt bregut të detit.

Ky mur ka ngjallur diskutime të shumta, pasi fillimisht u mendua si një rrugë që lidhte qytetin në kodër me një lagunë apo skelë detare. Gërmimet e viteve ’70 sqaruan se bëhej fjalë për një mur rrethues, i cili dëshmonte për ekzistencën e një vendbanimi shumë të madh, pra të një qyteti me rëndësi të veçantë.

c) Dr. Moikom Zeqo dhe legjenda e qytetit të mbytur.Dr. Moikom Zeqo, duke folur për arkeologjinë nënujore, përmend edhe legjendën e Kepit të Treportit. Sipas tij, në këtë zonë janë gjetur trakte muresh të një ndërtimi urban antik, çka e bën të besueshme legjendën e ekzistencës së një qyteti të mbytur.

Ai thekson se mund të kemi të bëjmë ose me një pozicion më të hershëm të qytetit, ose me një qytet tjetër, apo edhe me një fazë të hershme të vetë qytetit të Vlorës.

7.

Treporti -pozicioni dhe rëndësia e kalasë.Sipas A. Baçes, në skajin verior të Gjirit të Vlorës, në Treport, shtrihet një varg i ulët kodrinor që vazhdon nga veriu në jug dhe arrin deri në buzë të detit. Në veri ndodhet Liqeni i Nartës, në perëndim dhe jug deti, ndërsa në lindje gjendet një truall rreth 1 km i gjatë dhe 0.5 km i gjerë, i kufizuar nga një varg tjetër kodrinor paralel.

Kodra më jugore e këtij vargu ka burime uji të pijshëm dhe bie me pjerrësi 30–35 gradë, ndërsa nga anët e tjera është e thepisur me shkëmbinj të lartë. Ky pozicion e bënte zonën natyrshëm të fortifikueshme.

Qyteti i fortifikuar dhe skela përmenden edhe nga Evlija Çelebiu, i cili shkruan se në perëndim të fshatit Zvërnec, mbi një shkëmb buzë detit, ndodhej kështjella e Jengjeçit, nga e cila ruheshin vetëm rrënojat e mureve dhe një liman shumë i madh. Sipas tij, gurët e kësaj kështjelle u përdorën nga Sulltan Sulejmani për ndërtimin e fortesës së Vlorës.

Sondazhet arkeologjike treguan se linja e mureve rrethonte një sipërfaqe prej rreth 3 hektarësh. Bankina niste në rreze të kodrës dhe vazhdonte si një gjuhë e ngushtë për 200–300 metra në det, ndërsa më tej shtrihej në vijë të drejtë për rreth 650 metra, duke u renditur ndër më të mëdhatë e kohës. Kjo gjatësi lejonte ankorimin e një numri të madh anijesh.

Trualli midis vargjeve kodrinore është i mbushur me gjurmë ndërtimi, fragmente qeramike dhe skarcitete, që dëshmojnë për praninë e punishteve pranë shpatit të kodrës së fortifikuar.

Pozicioni strategjik i Treportit, lidhja me hinterlandin amant dhe kontrolli i kalimit detar midis Orikumit dhe zonës së amantëve, dëshmon se kemi të bëjmë me një qytet bregdetar me rol ekonomik dhe ushtarak të rëndësishëm. Referencat e Strabonit dhe Ptolemeut, si dhe interpretimet e studiuesve si Tomashek, e forcojnë këtë tezë, duke e lidhur Treportin me Aulonën e lashtë.