Një mbrëmje dimri në Manhattan-Nga Eduard M. Dilo

Një mbrëmje dimri në Manhattan

Nga Eduard M. Dilo

Sipas orarit të afishuar, treni po vinte në stacionin ku kisha dalë për të shkuar në Manhattan. Nuk isha i vetëm; edhe njerëz të tjerë po prisnin. Zura vend në një stol dhe, disi i shkujdesur, po shikoja telefonin — mesazhet dhe Facebook-un, mos kishte ndonjë gjë të re. Pas pak treni u fut në tunel dhe sinjali u dobësua. Mendova të vizitoja Pemën e Krishtlindjes në Rockefeller Center dhe më pas Katedralen e Shën Patrikut. Ishte vërtet bukur, edhe pse pak ftohtë. Ftohtë, por dimri i Nju Jorkut ka një bukuri të veçantë. Gjithandej flitej se sot Nju Jorku do të mbulohej nga dëbora — thuhej se do të binin 8–12 inç. Në mbrëmje, dëbora filloi të binte. Fillimisht e lehtë, pastaj më e dendur, duke mbuluar rrugët, ndërtesat dhe njerëzit.

Dritat e qytetit pasqyroheshin mbi bardhësinë dhe krijonin një atmosferë pothuajse të pazakontë për një metropol kaq të madh. Bardhësi dhe bukuri nën shkëlqimin e dritave kudo. Sa e bukur është Krishtlindja! Pema e Krishtlindjes në Rockefeller Center shfaqej madhështore. Dritat e saj ndriçonin fytyrat e njerëzve që ndaleshin për fotografi, për një kujtim, për një çast gëzimi.

Çifte të reja përqafoheshin e putheshin pa u shqetësuar nga i ftohti, ndërsa pak më tutje patinatorët rrëshqisnin mbi akull, mes muzike dhe dritash festive. Gjithçka ishte e rregulluar me shije, por ajo që binte më shumë në sy ishte gjallëria.

Në një qytet të njohur për ritmin e shpejtë, ajo mbrëmje dukej sikur i kishte ndalur njerëzit për pak çaste. Qëndrova aty duke vëzhguar, pa nxituar. Ndonjëherë mjafton të jesh i pranishëm, të shohësh dhe të ndjesh, për ta kuptuar se edhe në një qytet të madh, momentet e vogla kanë peshën e tyre.