Tri poezi -Nikollë Loka

Nikollë Loka

 Thonë se po rritesh

Thonë se po rritesh,

ngjitesh shkallëve në lartësi,

duke u tundur,

në mëdyshje, përkundur,

me pak marramendje

e pak çudi,

prej ndjesisë se bota largohet

dhe ftohet,

teksa ti shkel mbi orbita gri.

Është vështirë të zbresësh;

luhatesh, po të presësh,

këmbë shkallësh thyhen një nga një.

Malin e kërkon

deri në fund të zemrës,

dhe një dëshirë ia shpreh humnerës,

që ëndrra të shkojë e të vijë.

E bie;

lartësia humb,

e ti zgjohesh,

gëzohesh

se paske qenë në ëndërr duke rënë!

Hap sytë:

nuk je në përplasje

me vendin, as me kohën.

Thonë se po rritesh

e burrërohesh,

po bëhesh më i pjekur,

më i rëndë.

 

 

Udhëton nëpër natë

 

Udhëton nëpër nate,

dhe kohën e sjell buzë njē ëndrre;

veten përcjell…

Mbi udhët që flenë në shpinën e erës,

e prek gjumin e parë;

dhe si ëndrrimtar,

të lind një dëshirë të shihesh me ëngjëj,

në një serenatë,

ku vallëzojnë trup e shpirt të pandarë,

në një vals magjik të hënës dhe yjeve,

ku të pret gjumi i dytë para agimeve.

E shtyhesh më përtej,

në udhën me dritë,

ku nis një ditë e re.

Të mbyllen sytë dhe ndërsa fle,

bëhen bashkë agimet varg

në një udhëtim të gjatë…

Dhe si në balladat e ringjalljes,

çlirohet shpirti prej qënies,

çlirohet gjumi prej ëndrrës;

e udhëton i lirë me hapat e lehtë të zgjimit,

drejt qiellit,

andej nga lindin agimet.

 

 

Le të bëhesh…

 

Le të bëhesh mal, – më thotë mali,

e më rrëmben në krahë;

le të bëhesh ah, – më thotë ahu,

sa më pa;

le të bëhesh gur, djalë Rozafe,

– më thotë shkëmbi i bardhë,

mirë se ke ardhë!

Le të bëhesh qiell, – më thotë qielli,

dhe ëmbël m’i hedh sytë;

le të bëhesh diell, – më thotë dielli,

e më hedh dritë,

le të bëhesh det, – më thotë deti,

që të dukem vet i dytë.

Le të bëhesh ajër, – më thotë ajri,

le të bëhesh frymë;

le të bëhesh zjarr, – më thotë zjarri,

le të bëhesh dhimtë!