Eva Gjoni

Ai kishte shumë netë që ishte i refuzuar nga ajo. Mundohej t’i qëndronte pranë, ta mbështillte qetësisht, por nuk mundej. Mendimet e saj ishin aq të etura për ta sulmuar, sa atij nuk i mbetej gjë tjetër veçse të largohej dhe të kthehej përsëri më vonë, me shpresë që ajo do t’i dorëzohej. Sa herë i duhej të shkëputej prej saj, udhëtonte mbrëmjeve dhe takonte shumë të tjerë si ai, të refuzuar. Në bisedat me ta tregonte për të, si kishte nisur ftohja mes tyre. I kujtohej mjaft mirë kur u bë nënë për herë të parë, frika e saj.
Qëndronte pranë tij e sodiste si flinte, kontrollonte frymëmarrjen, e puthte, e merrte në krahë kur qante, i këndonte ëmbëlsisht. Mbështetej me kurriz nga unë, por nuk më pranonte, vetëm në agim të ditës dorëzohej për pak. Netët më të tmerrshme për mua ishin kur ajo më çirrte me thonj, më largonte me urrejtje, sikur nuk donte të më shihte kurrë; ishin ato netë kur fëmija nuk ndihej mirë. Unë nuk mund ta ndihmoja, e rëndoja më shumë, ajo përpëlitej në lodhjen e saj. Ndaj ikja për të. Në orët e para të mëngjesit, e dërmuar, donte të më kishte pranë, të qëndronte me mua, por jo shtrënguar pas vetes, jo futur thellë në botën time; më pranonte të isha një mbulesë e lehtë mendafshi, që të më hiqte pa mundim në çdo lëvizje të tij. I raskapitur, prisja ditën tjetër, mbase, mbase do ishte ndryshe.
Ndër vite unë isha dëshmitari i vetëm i luftërave që bënin mendimet e saj, si bërtiste pa zë, si u jepte zgjidhje gjërave, si rendiste të nesërmen. E shikoja si ëndërronte… ajo bëhej krejt ndryshe, as në ëndrrat e mia nuk mund ta shndërroja ashtu. Fytyra i bëhej më e bukur dhe trupi ishte i dëlirë. Në ato momente kisha tentuar ta joshja, zgjatja duart ta prekja butë te ajo pjesa midis vetullave e rrëshqisja ngadalë drejt ballit, pastaj zbrisja poshtë te tëmthat, deri pranë veshit, një veprim që atë e relaksonte… por duart zhyteshin në asgjë, humbisnin; ajo nuk ishte aty në ato çaste. Në këto netë ndërronim vendet, unë aty në krevatin e saj dhe ajo drejt ëndrrës. Bëhesha xheloz për ato mendime që kishin atë fuqi magjie mbi të. Unë nuk guxoja t’ia prishja atë magji.
Bota ime po zvogëlohej çdo ditë e më shumë, po më shkurtoheshin minutat, orët, koha ime ishte kthyer në kohë dremitjesh të shkurtra. Më vinte keq sa shumë e mundonte veten dhe sa shumë kishte nevojë për mua, por nuk më pranonte. Kisha humbur dëshirën e saj për mua, kisha humbur misionin, po bëhesha një barrë për të. Në ditë të veçanta fitoja ndaj saj, ajo i dorëzohej e gjitha pushtetit tim. Ishte e lëshuar në qetësinë time, nuk i ofroja ëndrra, doja të ishte e lirë nga çdo mendim.
Në ato orë isha unë zotëruesi i mendimeve, ndjenjave, trupit. Por kjo ndodhte rrallë, gjithmonë e më pak isha prezent i netëve të saj. Çdo natë lexonte, shikonte filma, pastaj doli FB, hynte të lexonte postime, por shikonte se kishte edhe të tjerë si ajo me gjumërat e tyre të braktisur. Shpresoj që ajo të më dojë si dikur, kur dëgjonte zërin e mamasë që i thoshte – çohu, është vonë për në shkollë ,lutej të flinte edhe pak, ajo fjalë “çohu” ishte për të si ajo pika e shiut mbi llamarinë, edhe sot e tmerron fjala çohu !
Unë i lumtur e mbaja shtrënguar pas vetes, i jepja gjithë ëmbëlsinë time. Ato minutat e mëngjesit ishin më të bukurat për ne, kishim dalë nga errësira, ishim në dritë, por përsëri bashkë. E di, nuk vjen më ajo kohë, por dua të më dojë pak më shumë, vetëm pak… unë, gjumi i saj!