Arben Iliazi

Më 13 janar 1941 vdiq në Cyrih Xhejms Xhojs, shkrimtari dhe dramaturgu i madh irlandez, lindur në Dublin në vitin 1882.
Romani i tij me 800 faqe, “Uliksi”, të cilin e shkroi për dhjetë vjet, (1912-1922), ishte i destinuar, të ndryshonte përgjithmonë fatin e letërsisë bashkëkohore, duke përmbysur përfytyrimin tradicional për strukturën e romanit dhe duke shënuar lindjen e një epoke të re në krijimin e një modeli artistik të botës
Autorët e mëdhenj të fillimshekullit XX, si Marsel Prusti, Virxhina Ulf dhe Xhejms Xhojs, kthejnë fragmentizmin dhe çoroditjen e së tashmes përmes mënyrave të reja të të shkruarit, ku koha kronologjike dhe lineare e romanit të shekullit XIX zëvendësohet nga një kohë e ndërgjegjes.
Me një hijeshi të parezistueshme dhe simbol i etjes për dije, “Uliksi” është heroi me shumë fytyra. Ai bëhet arketipi i bredhjeve dhe anktheve të përditshme të njeriut bashkëkohor, simboli i një perceptimi të ri dhe revolucionar të kohës. Protagonisti kryesor, irlandezi hebre Leopold Blumi, nuk është hero apo antihero, por thjesht një njeri mendjehapur e shumë i njerëzishëm, gjithmonë i vëmendshëm ndaj më të dobëtve dhe të ndryshmëve, me mirësjellje edhe ndaj atyre që nuk janë të tillë.
Personazhet e lindur nga pena e Xhojsit zbulojnë se përvojat e së kaluarës nuk janë vetëm të kaluara, por vendosen në pavetëdije. Pavetëdije nga e cila shfaqen vazhdimisht fragmente të së kaluarës dhe përzihen me të tashmen, në një mënyrë që jo gjithmonë është e vullnetshme. Në të vërtetë, koha e vetëdijes përbëhet nga çaste të padukshme që kalojnë nga njëra tek tjetra dhe formojnë një rrymë që vazhdimisht pasurohet: “Lumi i ndërgjegjes”. Në personazhe, koha pëson transformime të rëndësishme: krahas një kohe objektive, kronologjikisht lineare, ekziston ideja e një kohe subjektive, e përjetuar nga vetëdija e personazheve.
Personazhet e Xhojsit tregojnë padurim përballë ngurtësisë së rendit moral dhe, përballë kërkesave të mendimit, dëshirojnë në radhë të parë të argëtohen dhe të çlodhen. Aty ku besonim se kishim të bënim me vlera të patjetërsueshme, shfaqen praktika heterogjene. Në vend të procesit të ngjitjes, me të cilat ishim mësuar të identifikonim historinë, na shfaqet, na del një pamje ndryshimesh kaleidoskopike. Ato realitetet që i konsideronim si natyrore përcaktohen si objekte historike, por sidomos është vetë kronologjia ajo që zhbartet nga çdo perspektivë progresi. Shkurt Xhojsi na e shpalos aventurën njerëzore në një trajtë të shpërndarë, në vend që të na e japë në një forcë unike, ose ta ngërthejë në një linjë të vetme rrëfimi.
Xhojsi ishte i pari që iu kundërvu vazhdimësisë së rreme të kohës njerëzore.