Arben Iliazi

Zogjtë
Zogjtë kanë zërin e njerëzve
Në reflekset e qetësisë përfund pemëve
Strukur nën lëkurë
Rahin kahët
Sillen rrotull
Në ajrin shterp.
Nuk ikin dot nga ky vend.
NË KOPSHTE TË FTOHTA
Në kopshte të ftohta
pritjesh që ringjallen nga shiu,
është strukur gjith jeta ime,
që kurrë s’e njoha.
Fillimet vijnë me një mbarim
me hijet që s’i takova,
në ajrin që dridhet sipër meje,
nën të njëjtat dhimbje druri.
Kush m’i mori vuajtjet dhe në det m’i shpuri?
SHËTISIN THNEGLAT
Shëtisin thneglat në ëndërrat e mia të djeshme.
Duke dalë nga guaska e lavdisë së nëndheshme
Mbi hipokrizitë e lodhura
Të kapitura.
Ikin mes qiellit e tokës
Ngaqë ndihen gjithnjë të uritura.
KUR NJË BURRË…
Kur një burrë gjashtëdhjet vjeç nuk është
Në kohën që është
Merreni hidheni në një lumë të përdëllyer
Që derdhet atje ku buron.
Të pluskojë si një idiot i ngazëllyer….