Të gjunjëzohesh perpara fjalës-Nga Margarit Done

(Mbi poezinë “Në gjunjë para fjalës” te autores Olimbi Dafa)

Të qenët “në gjunjë” përpara fjalës nuk është nënshtrim, por njohje e një pushteti, autoriteti që tejkalon truporen dhe të dukshmen, veti që i ka fjala, jo si shenjë apo mjet, por si thelb, substancë metafizike e qenies njerëzore.

Struktura e poezisë ndërtohet mbi vargje–sentencë dhe forma gati gjëagjëzore, ku fjala përkufizohet përmes mohimit:

s’është zjarr, s’është akull, s’është plumb, s’është helm. Kjo metodë apofatike (përkufizimi përmes asaj që nuk është) e zhvendos fjalën nga rrafshi material drejt një qenie aktive njerëzore, duke e bërë të paprekshme, por thellësisht vepruese. Fjala nuk ka trup, por lëndon, nuk ka peshë, por rëndon, nuk ka dhëmbë, por kafshon. Këtu qëndron paradoksi filozofik i saj, fuqia e fjalës buron pikërisht nga mungesa e formës.

Në këtë poezi, fjala shfaqet si energji ambivalente. Ajo ngroh dhe ftoh, shëron dhe helmon, ngre dhe vret. Ky dualizëm e bën fjalën të ngjashme me forcat elementare të natyrës dhe njëkohësisht me ndërgjegjen njerëzore. Autorja nuk e idealizon fjalën, por e trajton si përgjegjësi morale. Prandaj paralajmërimi “Ndaj kujdes kur të lëshohet” merr peshën e një maksime:

fjala, sapo shqiptohet, nuk i përket më folësit.

Simbolika e përdorur nga poetja Dafa është e pasur dhe organike. Fjala shndërrohet në rrënjë që lëshon, në lule që çel, në aromë që përhapet, në flutur që ndalet lehtë mbi sup. Këto figura e paraqesin fjalën si jetë, si formë që mer kuptim. Ajo nuk shfaqet dhunshëm, por vepron në heshtje, depërton,por mbetet. Në këtë kuptim, fjala është më e fortë se zhurma dhe më e qëndrueshme se materia.

Një nga kulmet poetike të tekstit është pohimi se “pesha e fjalës s’varet nga numri, por nga vlera”. Kjo sentencë përmbledh gjithë esencën e poezisë.

Fjala e vërtetë është e përqendruar, e matur dhe e domethënshme. Ajo nuk ka nevojë për tepri, sepse forca e saj qëndron në saktësi dhe ndershmëri. Këtu autorja i kundërvihet zbrazëtisë së fjalës së shumtë dhe i jep përparësi fjalës së bukur, asaj që lind nga vetëdija dhe ndjeshmëria.

“Në gjunjë para fjalës”, si një togfjalësh metafore lapidare, është një poezi që i përket traditës së urtisë poetike, ku vargu shndërrohet në mendim dhe metafora në ligj shpirtëror. Olimbi Dafa e ngre fjalën në rangun e një arti magjik, por edhe të një aspekti moral: fjala mund të jetë flutur ose plagë, dritë ose hije. Dhe pikërisht për këtë arsye, njeriu duhet të qëndrojë përherë në gjunjë përpara saj, jo nga frika, por nga vetëdija e fuqisë së saj të pakthyeshme.

…………………………………………………..
NE GJUNJE PARA FJALES
S’eshte zjarr po te ngroh,
S’eshte akull, po te ftoh
S’eshte helm,po te helmon,
S’eshte qen ,po te kafshon!
S’eshte plumb , po te vret,
Nuk ka dhembe ,Po fort kercet
S’eshte pupel , po e merr era
Pesha e fjales s’varet nga numri
Por nga vlera .
Fjala d’ka krahe , po fluturon’
S’eshte drite, po rrezaton
Nuk ka peshe ,po rende peshon
S’eshte peme , po rrenje leshon ,
Eshte lule me arome ,
Trendafil qe lulezon!
S’eshte puse,po eshte e thelle ,
S’eshte pis , poor vjen ere .
As nuk duket , po shikohet,
Ndaj kujdes kur te leshohet!
Po te iku dhe se pe ,
Kot e mban ne duar fre ,
Lum kush nxierr fjalen e bukur
Sikur ndalet supit flutur .
OLIMBI DAFA