
(Mbi poezinë “Në gjunjë para fjalës” te autores Olimbi Dafa)
Të qenët “në gjunjë” përpara fjalës nuk është nënshtrim, por njohje e një pushteti, autoriteti që tejkalon truporen dhe të dukshmen, veti që i ka fjala, jo si shenjë apo mjet, por si thelb, substancë metafizike e qenies njerëzore.
Struktura e poezisë ndërtohet mbi vargje–sentencë dhe forma gati gjëagjëzore, ku fjala përkufizohet përmes mohimit:
s’është zjarr, s’është akull, s’është plumb, s’është helm. Kjo metodë apofatike (përkufizimi përmes asaj që nuk është) e zhvendos fjalën nga rrafshi material drejt një qenie aktive njerëzore, duke e bërë të paprekshme, por thellësisht vepruese. Fjala nuk ka trup, por lëndon, nuk ka peshë, por rëndon, nuk ka dhëmbë, por kafshon. Këtu qëndron paradoksi filozofik i saj, fuqia e fjalës buron pikërisht nga mungesa e formës.
Në këtë poezi, fjala shfaqet si energji ambivalente. Ajo ngroh dhe ftoh, shëron dhe helmon, ngre dhe vret. Ky dualizëm e bën fjalën të ngjashme me forcat elementare të natyrës dhe njëkohësisht me ndërgjegjen njerëzore. Autorja nuk e idealizon fjalën, por e trajton si përgjegjësi morale. Prandaj paralajmërimi “Ndaj kujdes kur të lëshohet” merr peshën e një maksime:
fjala, sapo shqiptohet, nuk i përket më folësit.
Simbolika e përdorur nga poetja Dafa është e pasur dhe organike. Fjala shndërrohet në rrënjë që lëshon, në lule që çel, në aromë që përhapet, në flutur që ndalet lehtë mbi sup. Këto figura e paraqesin fjalën si jetë, si formë që mer kuptim. Ajo nuk shfaqet dhunshëm, por vepron në heshtje, depërton,por mbetet. Në këtë kuptim, fjala është më e fortë se zhurma dhe më e qëndrueshme se materia.
Një nga kulmet poetike të tekstit është pohimi se “pesha e fjalës s’varet nga numri, por nga vlera”. Kjo sentencë përmbledh gjithë esencën e poezisë.
Fjala e vërtetë është e përqendruar, e matur dhe e domethënshme. Ajo nuk ka nevojë për tepri, sepse forca e saj qëndron në saktësi dhe ndershmëri. Këtu autorja i kundërvihet zbrazëtisë së fjalës së shumtë dhe i jep përparësi fjalës së bukur, asaj që lind nga vetëdija dhe ndjeshmëria.
“Në gjunjë para fjalës”, si një togfjalësh metafore lapidare, është një poezi që i përket traditës së urtisë poetike, ku vargu shndërrohet në mendim dhe metafora në ligj shpirtëror. Olimbi Dafa e ngre fjalën në rangun e një arti magjik, por edhe të një aspekti moral: fjala mund të jetë flutur ose plagë, dritë ose hije. Dhe pikërisht për këtë arsye, njeriu duhet të qëndrojë përherë në gjunjë përpara saj, jo nga frika, por nga vetëdija e fuqisë së saj të pakthyeshme.