(Në kuadrin e 5 majit, ditës së Dëshmorëve)

Ylli Xh. Duraj
Qamil Poda ka shkruar: “Ka qenë një rast fatlum për mua që u ngarkova nga Qarkori i Partisë Komuniste të Tiranës, e personalisht nga Gogo Nushi që të njihesha dhe të bashkëpunoja me Dino Kalenjën që nga muaji gusht i vitit 1942, kur Dinua u kthye nga Italia në Shqipëri. Me porosi dhe ndërhyrjen e Qarkorit ai u sistemua me punë si kryesekretar në Sekretarinë Sekrete të Komandës së Xhandarmërisë, rrethi i brendshëm, Tiranë. Çdo takim me të, qe një shkollë për mua, ishte shumë inteligjent, i shkolluar, përveç Liceut të Korçës kishte vazhduar studimet e larta për jurist në Itali. Ishte erudit, zotërues i disa gjuhë të huaja, me intuitë e aftësi njohëse, i thjeshtë, i dashur e komunikues si ai. Kishte botë të pasur e me shumë interesa, mbahej pastër dhe vishej bukur. Në kohën e lirë lexonte, shkruante vjersha, pikturonte pejzashe dhe me aparatin e tij fotografik bënte foto në natyrë. Mua më trajtonte si të barabartë, si shok, si vëlla. Gjithmonë më këshillonte si të ruhesha nga ndjekja dhe grackat që mund të më ngrinin spiunët. Ishte talent i maskimit dhe i punës konspirative. Unë e adhuroja dhe doja që të bëhesha aq i zoti si ai.
Në një takim që organizoi me dy-tre drejtuesit kryesor të njësiteve guerile të Tiranës Gogo Nushi na tha se kishte marrë një informacion shumë të rëndësishëm nga Dino Kalenja, prandaj urgjentisht duhet ta studionim dhe të organizonim një aksion për të marrë materiale ushtarake e veshmbathje, të nevojshme për luftën, tek magazinat “Unione Militare”, që ndodhej afër Bankës Kombëtare. Aksioni u realizua me sukses të plotë.
Gogo Nushi gjithmonë na porosiste që për Dinon duhet të dinin sa më pak njerëz, që të ruhej nga dekonspirimi dhe rreziku për jetën, se ishte një nga komunistët më besnik e i devotshëm dhe së shpejti Qarkori do të dërgoi me detyra të tjera në rreshtat partizane.
Sipas porosisë se Qarkorit, por edhe me iniciativën e sugjerimet e vet Dinos, u bënë anëtarë të njësiteve guerile edhe shumë efektiv të xhandarmërisë në Tiranë e në rrethe, që më vonë kaluan në rreshtat partizane, bile disa ranë në altarin e lirisë dhe janë shpallur dëshmor. Një prej tyre ishte Maksut Fetishi, bashkëpunëtor i ngushte i Dinos në xhandarmëri, i cili më vonë shkoi partizan në Brigadën I Sulmuese dhe ra dëshmor në betejën për çlirimin e Tiranës.
Kam bindjen se të gjitha aksionet më të rëndësishme të kryera nga njësitet guerile në Tiranë janë realizuar nga informacionet e sakta të Dinos. Kishte shumë raste që Gogo Nushi dhe drejtuesit kryesor të njësiteve guerile konsultoheshin me Dinon për mënyrën e organizimit të aksioneve, rrugët për të shkuar e për t’u larguar mbas aksionit, e kur ishte e nevojshme, për të siguruar edhe mjetet e transportit. Dinua kontribuoi edhe në organizimin dhe kryerjen me sukses të aksionit për rrëmbimin e arkivit te Ministrisë së Brendshme.
Jo vetëm kaq, po ai na ndihmonte jashtëzakonisht shumë duke pajisur me leje qarkullimi drejtuesit kryesor të luftës, të Qarkorit, si dhe të njësiteve guerile për të kaluar pa probleme në postblloqet e pikat e kontrollit.
Në momentin që u miratua nga Qarkori aksioni për nxjerrjen e të burgosurve politik nga spitali civil, të ideuar, organizuar e drejtuar me mjeshtëri nga vet Dinua, u thirra nga Gogo Nushi dhe më porositi: “Dinua nuk do kthehet më në Tiranë se do ta arrestojnë menjëherë ose do ta ekzekutojnë, prandaj më të përfunduar aksioni shoqëroje vet për në çetën e Pezës, tek Babë Myslymi dhe prezantoje se kush është dhe për kontributin e tij për LANÇ – in. Mbas disa ditësh do shkoj edhe vet në Pezë të flas me Babën”.
Mbas përfundimit të aksionit, bashkë me një shok tjetër të njësitit gueril, shoqërova Dinon deri në Pezë. Kur u takuam me Babë Myslymin, i thashë se kam ardhur me porosi të Gogo Nushi për të sjellë këtu dhe të prezantoj me Dino Kalenjen. Është komunist dhe deri sot ka qenë drejtues i njësiteve guerile që punojnë në ilegalitet. Po vijmë këtu, direkt mbas kryerjes me sukses të një aksioni shumë të rëndësishëm të organizuar nga Qarkori e ku Dinua kishte rolin kryesor. Çeta e Dajtit, sipas detyrës së dhënë nga Qarkori, priti dhe mori me vete 13 të burgosurit politik dhe 11 xhandarët që i ruanin në burgun e spitalit, mbasi i kishin shprehur që më parë Dinos dëshirën për të dalë partizan. Mbas këtij prezantimi, Babë Myslymi e kapi për qafe Dinon e i tha se në Pezë ishte i mirëpritur dhe në besën e tij. Para se të largoheshim i thashë Babës se këto ditë do vijë në Pezë Gogo Nushi e do të flasë më shumë për Dinon.
Kur u ndamë, nuk e mendoja kurrë se po përqafoja për herë të fundit shokun tim të idealeve e të luftës, Dino Kalenja. Kur u ktheva në Tiranë i raportova Gogo Nushit për kryerjen e detyrës”.
Këto kujtime të shtrenjta Qamil Poda i ka ndarë me rastin e 35 vjetorit te rënies se Heroit te Popullit Dino Kalenja, më 29 mars 1979 me pjesëmarrës në një aktivitet dhe me familjarë të Dinos.