
Vullnet Mato
ASHTU SI DIELLI PUTH DETIN
Dhe kur retë e bardha, pupëlore,
prehen mbi kodër e mbi mal,
veç për ty mendoj, moj engjëllore,
ndej çdo çast, të njëjtin mall...
Ende ka mbetur pa lule lëndina,
pemët ende, janë zhveshur pa gjethe.
Në udhëkryqe ndjenjash të brishta,
dua të të kem përherë me vete.
Zogjtë ende nuk janë kthyer,
të zbrazura krejt, gjenden foletë,
Flokët e tu, ngjyrë zambaku lyer,
të tregojnë magji të vërtetë.
Kjo dritë, që po na kuqëlon sytë,
ky qiell, që na ngjyros bojë blu,
më thonë, si ty nuk ka të dytë,
dua çdo çast, të të kem në sup!
Të të puth, kurdoherë me zjarr,
të zbraz krejt prushin e vetes sime,
të thith nga ty, të ëmblin nektar,
moj e bukura, buzëburbuqja ime!…
Shiko si dielli, po puth valët e detit,
e dita në fund, bëhet mollë e kuqe,
të puthen njerëzit, me njëri-tjetrin,
jo të shqyhen, siç ndodh mes ujqërve!...