
Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Hyrje historike
Dimri i vitit 1943-1944 shënoi një nga periudhat më të vështira dhe më të lavdishme të qëndresës së popullit shqiptar kundër pushtuesit nazifashist. Në jug të vendit, në krahinën e Smokthinës, batalionet territoriale dhe çetat vullnetare të fshatrave u bënë mburojë e gjallë për vendin e tyre, duke u përballur me operacionin masiv gjerman, i njohur si Operacioni i Dimrit.
Kjo trevë, e njohur për burrëri, tradita luftarake-atdhetare dhe lidhjen e fortë me luftërat e 1920-s, u gjend sërish në vijën e parë të frontit. Në Karterin e Velçës, në Beun e Vajzës, në Shullër e Ramicë, luftëtarët smokthinjotë dhanë prova të pakrahasueshme heroizmi.
Në dhjetor të vitit 1943, ky heroizëm u pagua me jetë: djem të rinj, baballarë familjesh, luftëtarë të vjetër të 1920-s e komandantë të njësive territoriale ranë në betejat e ashpra kundër nazistëve. Emrat e tyre sot qëndrojnë të gdhendur në kujtesën historike të krahinës si simbole sakrifice dhe besnikërie ndaj Atdheut. Ky material sjell me nderim historinë e tyre, rrugën e tyre dhe aktet e tyre të lavdishme të rënies.
Në rrugën e Zigur Lelos
Arif Lelaj (1898-1943)
Avdul Arif Lelaj (1920-1943)
Nga dera e Lelajve, që nga Arifi e deri tek Zigur Lelo, atdhedashuria ishte bërë traditë e pashkëputur. Avdul Lelaj, lindur në vitin 1920 në Shalës-Mesaplik, u përfshi herët në veprimtarinë antifashiste të zonës. Me krijimin e njësitit gueril dhe çetës territoriale të fshatit, ai u shqua si luftëtar aktiv në beteja si Gjormi, Drashovica e deri në Beun e Karterit të Velçës.
Në Operacionin e Dimrit, në dhjetor 1943, në përpjekjet e ashpra kundër forcave gjermane, Avduli bie në fushën e betejës dhe trupi i tij nuk mund të tërhiqej nga shokët. Nëna e tij, Nënë Nurhana, duke sfiduar gjylet, shiun e dimrit dhe rrezikun e vdekjes, çan rrethimin dhe e merr mbi supe trupin e të birit. Ky akt i pashoq nënë-trimërije u përhap në gjithë Mesaplikun si simbol i dhimbjes, krenarisë dhe atdhedashurisë shqiptare.
Trimi nga Matogjini
Feti Sinan Sefedini (1920-1943)
Lindur në Matogjin, rritur në Kaninë, Fetiu u rrit me ndjenjën e padrejtësisë dhe mungesës së bukës së gojës. Ai përqafoi herët idetë e Lëvizjes Nacionalçlirimtare, duke u shquar për kujdesin ndaj shokëve dhe aftësitë drejtuese. U caktua komandant kompanie, detyrë të cilën e mbajti me nder, duke qenë gjithmonë në radhën e parë.
Në dhjetor 1943, në përleshje të drejtpërdrejtë me njësi gjermane, me thirrjen “Para partizanë!”, bie dëshmor në krye të luftës. Kompania e tij e përcolli me nder komandantin që i kishte frymëzuar me zemër e me pushkë.
Në rrugën e gjyshit
Izet Yzeir Caushaj (1920-1943)
Izet Caushaj i Ramicës mbante mbi supe trashëgiminë e lavdishme të gjyshit të tij, Caush Tafilit, komandant i çetës së Ramicës në Luftën e Vlorës. I rritur me këngët për 1920-n, Izeti u rreshtua në batalionin territorial të Shullërit dhe mori pjesë në të gjitha betejat e krahinës.
Në dimrin e vitit 1943, duke kryer detyrën si zbulues në zonën e pushtuar nga gjermanët, bie heroikisht i rrethuar në Krahëbardhë. Populli i këndoi me krenari:
“O Izet zemër me çika,/ Dhe pse s’pate njeri pranë,/ Nuk e dije ç’ishte frika,/ Një i vetëm me gjermanë”.
Pushkën gati për Atdheun
Qamil Karafil Jahaj (1892-1943)
I lindur në Mesaplik dhe rritur mes këngëve të trimave, Qamili u bë vetë legjendë. Shtëpia e tij ishte vatër mikpritjeje për luftëtarët dhe strehë e sigurt për çetat. I angazhuar në Luftën e Gjormit, Drashovicës e Selenicës, ai ruante pushkën gati për Atdheun.
Në dhjetor 1943, në Karter të Velçës, përballë sulmeve të pamëshirshme gjermane, Qamili luftoi deri në çastin e fundit. I plagosur rëndë, thërret shokët: “Merrni pushkën dhe mos më lini në duar të armiqve!”. Rrallë historia njeh qëndresë të tillë burrërore.
Luftëtar në dy luftëra
Shaqe Hoxha (1900-1943)
Nga Matogjini, rritur jetim dhe i kalitur nga varfëria, Shaqia u bë luftëtar qysh në vitin 1920. Me pushtimin fashist, ai u rreshtua në çetën territoriale dhe luftoi krah popullit të Smokthinës në të gjitha betejat.
Më 28 nëntor 1943, në drejtimin Beun-Smokthinë-Karter-Velçë, forcat gjermane u përballën me rezistencën titanike të territoriales së Shullërit. Aty, mes zjarrin të artilerisë dhe rrethimeve të panumërta, Shaqe Hoxha dha jetën për lirinë e Atdheut. Bashkëshortja e tij, Qafileja, u bë një nga figurat më të shquara të ndihmës dhe bazës partizane në Smokthinë.
Anëtar i Këshillit Nacionalçlirimtar
Tare Myslym Kokallaj (1910-1943)
Nga Ramica, bir i një familjeje me traditë të Luftës së Vlorës, Tare Kokallaj u rreshtua në Batalionin e Shullërit dhe u shqua në Luftën e Gjormit, Selenicës dhe Drashovicës. Në shtator 1943 u zgjodh anëtar i këshillit antifashist të fshatit.
Më 6 dhjetor 1943, në luftimet e Beunit, duke mbuluar tërheqjen e shokëve, mori dy plumba dhe ra dëshmor, ndërsa populli i ngriti këngë:
“Në Beun e në të dalë/ Zjarr e vrerë përmbi gjermanë/ Taria një deli djalë/ E mori plumbin në ballë/ Tek vështronte për Elmazë”.
Në brigjet e Beunit plak
Elmaz Adem Rrokaj (1902–1943)
Luftëtar i 1920-s, pjesëtar i çetës së Zigur Lelos, Elmazi e rinisi betejën 23 vite më vonë kundër fashizmit e nazizmit. U rreshtua në batalionin vullnetar të Shullërit dhe mori pjesë në gjithë përpjekjet e zonës.
Më 6 dhjetor 1943, në Beun e Vajzës, në vendin ku kishte luftuar edhe në vitin 1920, ai ra heroikisht, duke u bërë simbol i lidhjes së brezave në luftën për liri. Shokët e nderuan duke ngritur mbi varrin e tij disa gurë kujtese, siç bënin të parët.
Përfundim
Në luftërat e Beunit, Vajzës dhe Karterit të Velçës, Smokthina shkëlqeu me bijtë e saj. Dëshmorët e dhjetorit 1943 janë gurë të pashlyeshëm në themelet e historisë sonë kombëtare. Ata ishin jo vetëm luftëtarë të lirisë, por edhe zë i ndërgjegjes së popullit që nuk pranoi kurrë nënshtrim.
Lavdi e përjetshme dëshmorëve të Smokthinës!