
GËZUAR, ATDHEU IM!
Shqipëria rri si zonjë,
me male, fusha dhe pyje,
kush të dojë le ta shikojë,
balli i saj puthet me yjet.
Ca bastardë, ca hajdutë,
që pas karriges janë strukur,
do t'i hedhë tek hidhen plehrat
dhe do bëhet më e bukur...
Si përherë, dhe këtë vit,
urimin me shpirt kam shkruar:
-Shqipëri, o yll e dritë,
qofsh gjithë jetën e bekuar!
................................................................
METODAT TONA
Me metoda Don Kishote,
bëjmë shtetin e askundit:
llumi i ajkës del në krye
dhe ngre lart ajkën e llumit.
.......................................................
DREJTUESVE TË SHTETIT
Ju vishuni me rroba të shtrenjta,
po deshët edhe me veshje të florinjtë,
por para syve të popullit tuaj,
jeni të gjithë si mbreti i përrallës,
krejt lakuriq...
.........................................................................
PRONARI
Ndërtoi një hotel gjigand,
aq sa s'numërohen katet.
Por, ah, ç'e gjeti të zinë:
shkoi SPAKU-u, i rroi...mustaqet.
.................................................................
ÇMIMET VJETORE
U ndanë Çmimet Vjetore në Letërsi,
u ndanë njëlloj si çdo vit tjetër.
U vlerësua me soj e sorrollop barku i miqësisë,
Lulushet e partisë morën nga një letër...
Te kjo ceremoni qe dhe ministri vetë.
Munguan vetëm shkrimtarët e vërtetë...
..................................................................................
LAJMET E VITIT
Ky vit pati edhe lajme të reja,
lajme që patën jehonën e vet.
Një muaj të tërë jehoi në media,
si u nda Maria për herë të pestë.
Sot u dha lajm tjetër: nuk është e vërtetë...
....................................................................................
SKANDALET
Kanë dalë në skenë skandale të reja
dhe po trumbetohen me zhurmë të madhe.
Po skandalet tek ne janë një gjë e zakonshme,
e pazakonshme tek ne është të mos ketë skandale.
......................................................................................................
MEDIA
Median, mjedisin, partitë dhe pushtetin,
e mbuluan ca që e quajnë veten VIP-a.
Kanë ngritur kokën kallinjtë pa farë,
mendojnë se tani u ka ardhur dita.
Lereni madhështinë e shtirur, o rripa!
..............................................................................
DIKTATURAT
Diktaturat vijnë lehtë, ashtu pakuptuar,
del dikush, ia mbyll dritën lirisë,
të dyzon karakterin, në zemër të fut frikën,
të lë si të verbër në errësirë.
Ruajeni lirinë tuaj si dritën, o njerëz,
liria është shenjtëria e jetës.
..................................................................................
DIKUR...DHE SOT
Dikur sharjet, fyerjet, fjalët e pista,
i dëgjoje rrugëve, vend e pa vend.
Sot i dëgjon nga gojët e ndyra,
të deputetëve tanë mjeranë në Kuvend.
Kërminj partish, pa tru e pa mend...!
..............................................................................
THËNIET
Idioti tha një thënie të vjetër,
ashtu siç e kish thënë një idiot tjetër.
I mënçuri tha një thënie të ditur,
i hodhi dritë nga mendja e tij e ndritur.
...............................................................................
HAJDUTËT
U mbush atdheu me hajdutë,
por sot nuk vjedhin njëri- tjetrin,
janë bërë si lukuni me ujq,
me thonj e dhëmbë po shqyejnë shtetin.