Hakë-ngrëna Çamëri-Namik S. Jahaj

HAKË-NGRËNA ÇAMËRI
 
Namik S. Jahaj
 
Klithërima vijnë nga larg
Vetëtimat kuqin retë
Digjen zërat nëpër flakë
Vajton era nëpër fletë
Çahet qielli nga krismat
Plasarit syri nga loti
Si murlan vijnë klithmat
Pikëllimi pëndë korbi


Fshihet reve syri hënës
Prit e prit buzë honit
Më sëmoi pulsi zemrës
Më lëndoi vaji i Gjonit


Nuk e di ç’ fuqi më mori
Më lëshoi tej në lugje
Zemra del nga kraharori
Si një murg:-ikja tutje


Ajo natë m’u duk një vit
Por diçka ndjeu zemra
S’ besova të ishte xhind
Fatmirësi që foli hëna


Ktheu nga unë në je mik
Se fisniku s’mban mëri
S’ bën vaki të kesh frikë
Ç’ maraz ke, o perëndi?


Nuk besova të ish Gjoni
Isha rritur mbas atij
Sa ish thinjur më besoni
Qe verbuar nga një sy


Sa mall ndjeja për t’mirin
Por ai u shty më tutje
Nuk donte t’i shihja syrin
As me hir, e as me lutje


Më dëfto o mik i çmuar
Ç’ dert e duf këndoje sot?
Rrahu krahët dëshpëruar
Syri i verbër rrodhi lot


Psherëtima sjell furtunë
Si një dimër i mërzitur
Egër ktheu syn nga unë
Më verbuat duke pritur


Ishte gjallë enigma ime
I përulem te burimi
Kur dëgjoi zemrën time
Derdhi lot përqafimi


Ajo natë mu duk një mot
Syri nxirë e buza nxirë
Desh t’ i flisja s’fola dot
Edhe gjuha ishte mpirë


Mërmëriu si në t’qarë
Një betejë po na pret
Presin Etërit shpirt- vrarë
Tetëdhjetë e kusur vjet


Pret uratë e perëndive
Hakë- ngrëna Çamëri
Pret kurora e ullinjve
Përmbi trojet pa çati


Pret zanë e mrekullive
Vita jonë yll e dritë
Nëpër trarët e shtëpive
Heq lëkurën vit për vit


Na pret guri i xhevairit
Larg te Biga e Fajkoit
Flet legjenda e EPIRIT
Niagarë lart tek kroi


Na pret deti na pret lumi
Na pret kënga vaji, derti
Pret lavdia që na humbi
Krenaria jonë ku mbeti?


Pret dhe sheshi kuvendit
Syri zhgab i kapedanit
Presin veshjet e argjëndit
Presin zanat e vatanit


Na pret zëri i Profetit
Për një dramë të vërtetë
Na pret mbretëria e detit
Ndoshta Perëndia vet


Krye prijsi çau shtegun
Unë shpend mbas atij
Kaloi malin, kaloi bregun
Ku po vemi marrëzi?


Kallamishtes qante era
Tej vitorja fërshëllinte
Fryn murlan kuis dera
Deti Jon psherëtinte


Vete pranë i mallëngjyer
Por ai më ndënji rëndë
Dallga vjen si e ndërkryer
Më qëlloi me pëllëmbë


Perëndi me mua ç’ pate
Jam yt bir e s’ jam i huaj
Nuk u regjëm me inate
Ç’të kam bërë që të vuaj?


Zemërimi ndjell furtunë
Iku dallga erdhi prapë
Enigma priste mbi lumë
Bëhem zog e nisem lart


Lumi im o dhimbja ime
Pse i kuq o perëndi
Ma bëj velë, buzën time
Gjirin tënd atje të pi


Drama jote brenga jonë
Koha ikën pa mëshirë
Te ylber’ i shpirtit tonë
Thinja na kanë mbirë


Lum’ i ngrirë si në balada
Sipër tij sqepon lejleku
Nëpër terr trokasin hapa
Si një korb duket shtegu


Marr guximin të takohem
Por një hije m’u bë hije
Nuk më la që të afrohem
Dhe aty pa ndjenja bie


Më roit sëmundja e tokës
Si i marrë po haja dhè
Vjen një zë te ujë i kokës
Ngreu bir e fol me ne


Kemi plagë shpirtin tonë
Jemi bërë gur tespije
Hodhi rrënjë ky fati jonë
Asnjë dritë, vetëm hije


Hiri ynë këtu do mbetet
Zoti lart na jep frymë
Kocka jonë s’ka si tretet
Pa u ndezur zjarri ynë


Gjuha mbiu në dhëmballë
Sa u pritëm të na vini
Lemza na bëhet gjinkallë
Zëri ngjiret zog qefini


Na harruat ne të mjerët
Tetë dekada nën-ë dhè
Hi na bënë besë’ prerët
Zogj pa krahë e pa fole


Vajton ende ajo dramë
Foshnja iku nëpër lumë
Zoti i madh kur e pamë
Nën’ e saj u bë shkumë


Bëhet flì mbi valë humbi
U bë pajë e bijës së vet
Nënë-bijë me sy pëllumbi
Ikën mbytur për në det


Zerv- Zervë o sua korbe
Doje gjak po vrerin pive
Shpirti yt me helm kobre
Zë- hiene që kur mbive


Syri jon’ na mbiu te hëna
Mërmërimë nëpër hoje
Presim çdo bëjë mëma
Zerva nxin si kalë Troje


Ende s’ dimë përse ulliri
Nuk çel lule asnjë mot
S’dimë ende përse prillit
Nuk i kthehet asnjë zog


Do kthehen tha enigma
Gjuha flakë përmbi urë
Lumit shkonin ca opinga
Por i zoti s’u pa kurrë


Zëri tij murlan-Shëndreu
Je bekuar që ke ardhë
Duhet zë:-të digjet dheu
Sa të dalë tymi bardhë


Vallë e dini pse buronja
Ujë e gjak gurgullon?
Dini gjë përse shqiponja
Sqepon gjirin kur flijon?


Ndaj dhe vaji u bë këngë
Shpirto t’i ndizet shpirti
Pret BIJA hakë-ngrënë
Bleta Mëmë ta rilindi


Si mëndafsh afrohej agu
Yjet një nga një u fikën
Rrezet si qerpik së largu
Dehen vesë edhe ikën


Unë i veshur në trishtim
Nisem lart ku më thonë
Nis një dert me ligjërim
Syri “ngriu” mbi Dodonë


Prek me sy vëndet e mira
Fati madh kush më pruri
Zanat vijnë shpirt- ngrira
Mbi bedenat palcë guri


Fama e lisit si legjendë
Dymijë degë o perëndi
Njërin sy e mbolla pendë
Syrin tjetër kthej dylbi


Flas me lisin për të tëra
Ulen degët si në lutje
Vinin posht miliona zëra
Ikin lart miliarda lutje


Zot këtu është tjetër diell
Te kjo botë nuk ka halle
Një ylber ngrihet në qiell
Harku tij sa shtatë male


Mbi dy brirët e një dreri
Syri ruan krenarinë
Urë zemrash hark-ylberi
Memorial për Çamërinë


Mbi bedenët një shqiponjë
Si në dramat e Homerit
Rrahu krahët mbi Dodonë
Dridhet harku i ylberit


Zot i madh na jep bekimin
Dhe shpëtona Çamërinë
Ndizi retë e jep kushtrimin
Zbriti ëngjëjt të na vijnë


Lutja ikën shpend në qiell
Kur do vish o Zot në tokë?
Do na e bësh udhën diell?
Se na bëre gjuhën zog ..!