Hannie Rouweler (Holandë) – Përktheu Irma Kurti

VJESHTË NË KOPSHT

(Për viktimat e Gazës)

Dje një erë e fortë i shtyu gjethet e verdha midis

gjetheve të blerta, duke i rrotulluar në kopsht.

Vazot me lule dhe bimët u përmbysën,

era njeh vetëm forcë dhe dhunë,

sot ishte disi më e qetë.

Unë i mblodha gjethet, shumë të tjera janë ende

në pemë. Para se të mbarojë vjeshta, ato do të bien,

duke lënë degët e zhveshura siç ndodh çdo vit.

Do të zhduken më shumë viktima sesa gjethe.

Kam shkruar më parë për numrin e njerëzve që kanë vdekur

pa shkak, praktikisht të vrarë. Atëherë, numri i tyre

 ishte i barabartë me numrin e banorëve në këtë qytet,

edhe shumë të tjerë janë zhdukur nga faqja e dheut, dhe pothuaj

s’i intereson askujt. Ata s’janë të afërmit, as burrat, gratë a fëmijët e tyre.

Ata janë më pak të vlefshëm se gjethet e panumërta

që ndodhen ende në pemë. Në kopshtin tim. Derisa të rrëzohen

edhe ato përfundimisht.