



Nga Çaush Kullafi
Sot, në mjediset e Akademisë së Shkencave në Tiranë, u zhvillua një aktivitet kulturor dhe letrar me vlera të veçanta: promovimi i librit “Po kthehem në Hotesh”, me autor shkrimtarin dhe studiuesin Skënder Murrja. Ky aktivitet, i cili bashkoi figura të njohura të botës akademike, letrare dhe artistike, u moderua me profesionalizëm nga gazetari i njohur Defrim Methasani, i cili me kulturën dhe finesën e tij krijoi një atmosferë të ngrohtë e dinjitoze.
Në këtë promovim referuan personalitete të shquara të mendimit shkencor dhe krijimtarisë letrare shqiptare. Një ndër fjalët më të vlerësuara ishte ajo e Prof. Faik Xhanit, “Mjeshtër i Madh”, i cili me ndjeshmëri dhe kompetencë akademike solli një analizë të thellë të veprës, duke e cilësuar autorin Murrja si një zë të rrallë që ruan kujtesën dhe shpirtin e vendlindjes.
Këtë aktivitet e nderoi me pjesëmarrjen e saj znj. Luljeta Prençi, drejtoreshë e gjimnazit “Ibrahim Rugova” në Kamëz dhe njëkohësisht kryetare e Federatës së Paqes Universale për Bashkinë Kamëz. Prania e saj i dha veprimtarisë një dimension të veçantë institucional dhe qytetar, duke dëshmuar përkushtimin e saj të vazhdueshëm në promovimin e vlerave të dijes, kulturës dhe bashkëpunimit ndërshoqëror. Në fjalën e mbajtur për botuesin Murtaj, znj. Prençi theksoi rolin e botuesve dhe krijuesve si ura që lidhin brezat përmes kulturës dhe paqes shpirtërore. Pjesëmarrja e figurave të tilla të arsimtarëve, drejtuesve dhe aktivistëve të njohur i jep çdo ngjarjeje akademike një peshë të veçantë, duke e kthyer atë në një tribune ku ndërthuren vlerat intelektuale me ato shoqërore.
Pjesëmarrja e kryetares së Bashkisë, znj. Festime Mjeshtri, i dha aktivitetit një vlerë të veçantë, duke e bërë atë më të plotë e më kuptimplotë. Prania e saj tregoi respektin dhe mbështetjen që pushteti vendor i kushton jetës kulturore dhe intelektuale të komunitetit. Me fjalën e saj të përzemërt, znj. Mjeshtri vlerësoi kontributin e autorëve dhe organizatorëve, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve vendore dhe njerëzve të kulturës për të nxitur artin, librin dhe vlerat shpirtërore në shoqëri. Ajo solli një frymë optimizmi, përkushtimi dhe frymëzimi, duke dëshmuar se kultura mbetet një prioritet i rëndësishëm për Bashkinë që ajo drejton.
Në këtë aktivitet të pasur me emocione dhe reflektime, u dëgjuan edhe interpretime artistike të veçanta, ku veçanërisht kënga e artistes së njohur Vera Laçi i dha aktivitetit një ngjyrim shpirtëror e artistik, duke e kthyer sallën në një udhëtim të vërtetë ndjenjash e kujtimesh.
Si i ftuar në këtë promovim, u ndjeva i nderuar dhe komod, mes njerëzve të dijes, artit dhe shpirtit shqiptar. Energjia pozitive, respekti për fjalën e shkruar dhe dashuria për atdheun u ndien në çdo moment të këtij takimi që dëshmoi se kultura jonë ende frymon gjallë e me dinjitet.
Ky aktivitet për mua ishte më shumë se një promovim libri, ishte një festë e shpirtit kombëtar dhe e fjalës së bukur shqipe, një përkujtim i rrënjëve tona, i njerëzve që nuk e harrojnë vendin e tyre, por “kthehen” në të përmes kujtesës dhe artit.