Pa Atdhe…Qerim Skenderaj

PA ATDHE…
Bota po zjenë si vullkan,
Zjarrë, flake, llavë, baltosje.
Një komb qesh e tjetri qanë,
Kudo flitet për shfarosje.
Hekur, pluhur dhe kufoma,
Është tharë ndjenja humane,
Shuhen jetë – lule të njoma,
Orgji, shthurje e mejhane.


Varret s’kanë të numëruar,
Mish e kocka bërë përshesh,
Toka i ha të copëtuar,
Më të rinjtë edhe më shpesh.


Në lindje e perëndim
Sundojnë njerëzit e fortë.
Miliardarë, në çdo veprim
Të pashpirt e të pabotë.


Vrasin, presin e shkretojnë,
Ngrejnë pluhur, tym e flakë.
Jetën po e shkatërrojnë,
Botën e mbytin në gjakë.


Shtypin globin pa mëshirë,
Popujt, kombet le të vdesin.
Veç ata të jenë të lire,
Të pushtojnë universin.


S’ka nevojë për luftë frontale
Për të shuar krejt një komb.
Mjafton urrejtja raciale,
Një avion edhe një bombë.


Këtë e shesin si “ndihmë”
Për kombet viktimë, të gjorë,
Sepse mbanin përmbi shpinë,
Një satrap a diktator.


Marrin shënjë përmbi satrapin
Për “hakmarrje”, si çdo herë,
Por së bashku me kasapin,
Vrasin dhe mijra të tjerë.


E shtypën, e bënë pjatë
Globin, një disk fluturues,
Që të ngrihen sa më lartë
Ndër planete, si pushtues.


Zot, o zot, ç’gjëmë e madhe
Të çmendur me të vërtetë.
Tokën e mbollën me varre
Për para e për pushtet…
U duhet tjetër planet,
Të sundojnë dhe atje.
S’mund të rrojnë pa pushtet,
Çka se mbeten pa atdhe!...