“Partine  apo  gruan?  Zgjidh!” Rreth vëllimit me tregime “Dashuri dhe mirënjohje” të Ilias Stana- Koco Kosta

-rreth vëllimit me tregime “Dashuri dhe mirënjohje” të Ilias Stana- Koco Kosta

          Botimi i një libri, i çdo gjinie qoftë, përbën një lindje në krijimtarinë letrare të çdo autori dhe gur në muraturën e letrave shqip.  Krijuesi ndjen lehtësi sa shpirtërore aq dhe intelektuale e estetike. Kreu misionin që i kishte caktuar vetes. Libri, tanimë, është “prodhim tregu” për tek lexuesi. E nëse pena e autorit bie në qetësi për të “shtatzanuar” librin e ardhshëm, interesi i tij bëhet gjithnjë e më i etur të dijë udhëtimin e  të sabotuarit. Si u prit ai nga “baza”? Ky interes ka të bëjë me një lloj investimi të vetes, temave të shtruara, fakteve të prura, trajtimit artistik, mendimin e lexuesit etj. Se vëretet gjatë procesit të krijimit, kur lënda është në laboratorin krijues të autorit, i punon vet, por kurrësesi për veten. Ndryshe mbaji shënimet  në sirtar apo kujtesën e kompjuterit. Nuk shpenzon dhe për botim. Ndryshe botimi. Sa sheh daljen në qarkullim (paçka se sot nuk ka një metër artistik vlerësimi, pasi kush ka lekë mund të botojë sa e si të dojë, pa i dhënë llogari kujt, e botimet janë me tonelata, ndërsa  lexuesit me numërim të gishtave), pra ky libër bëhet pronë e lexuesit.  “Si u prit? Sa plotëson kërkesat e kohës dhe ato të intrigës e thurrjes artistike? C’vlera bie? Si do të ecij më tej? e sa pyetje të tjera, janë interesi i autorit të ndërgjegjshëm për atë ç’ka ka shkruar. Kështu ndodh edhe me librin e sa hedhur në qarkullim “Dashuri dhe mirënjohje” të Ilias Stana.

              1.“Partinë apo gruan? Zgjidh!”. Me këtë mëdyshje të padiskutueshme, me zgjidhje midis jetës dhe burgimit, i drejtohet sekretari i partisë Shpëtim Lisit, specialistit kryesor, përgjegjësit të sektorit të bujqësisë në ndërmarrjen më të madhe të vendit, në Kamëz. Jo sa e si do rritet prodhimi? Cilat janë kërkesat e zhvillimit organik të bimëve të mbjella? C’mekanikë bujqësore kërkohet për rritjen e cilësisë dhe uljen e krahut lodhës të njerëzve? Sa e si duhet të përmirësohet kujdesi për punëtorët apo shtimi i ditëpunës? Jo. Por me një mëdyshje politike. Vur në peshoren e jetës: Partinë nga njeri krah, ngjeshjen ideologjike; – familjen, jetën e personalitetin tënd në krahun tjetër. Një dyshmëri me përmasa Hamletiane: “Të rrosh a të mos rrosh?”. Por që nuk ia bën ti vetes për situatën e ndodhur, por ta bën partia ty. Që, në fund të fundit, të dyja të kërkojnë: Kokën të përdredhur e tredhur propagandikisht; Zemrën të cënuar e vrarë shpirtërisht. Të dyja të kufizojnë, ndëshkojnë, të vrasin e mohojnë lirinë. Kjo alternativë i ngjan fijes së tendosur të jetës kulmet e së cilës kurrë nuk pajtohen e nuk bashkohen. Pa lëshime.  Ishin sa të pabesueshme dhe alogjike, aq dhe konkrte.                                             Shtrimi i kësaj pyetje rridhte jo thjesht për një ngjarje të veçantë. Ajo rridhte e  përcaktohej nga vija e ideologjisë komuniste: “O me ne, o kundër nesh. Vijë të mesme s’ka!”. Kur atë “kundër nesh”, ishte armiku. Kësaj alternartive nuk i shpëtonte asnjë lloj sektori i jetës së atëhershme. Kjo kundërvënie përbën dhe thelbin e tregimeve të Ilias Stanës. Cdo hap, çdo tregim ka në thelb këtë dyzim. Pyetja është e qartë. Do të mundet njeriu t’i dalë ballë kësaj mëdyshjeje? Do t’i nënshtrohet pasojave që rrjedhin nga mohimi i njërit krah në dëm të tjetrit? Shtrimi, dhe aq më tepër zgjidhja e këtyre pyetjeve kërkon maturi e guxim sa qytetar aq dhe  artistik. Sa në prurjen si temë aq dhe në përpunimin letrar. Ndryshe bie në një propagandë të thatë, mbytëse. Stana, ka ditur të gjejë krahpeshimin e tij dhe trajtimin artistik në favor të së drejtës shpirtërore.                                                                                           

Shok jete me besnikëri, familje të ngrohtë, ecje të ndershme përpara. Këtë ëndërronte, kërkonte dhe gjeti dhe agronom Shpëtimi tek vajza që dashuroi me besë jete. Por ja që një ditë, një krijesë që krimbëzon në çdo qelizë jete si fantazmë ogurzezë, me goditje plumbi në temtha, apo ngulje thike në zemër, të vendosë përpara dylemën më idiote “Partinë apo gruan?”. S’ka hapësirë midis tyre, si të themi: një çik parti e pak familje. Ose: eja të gjejmë një të mesme që dhe mishi të piqet, dhe helli të mos digjet.                                          

Tregimi “Dashuri dhe mirënjohje”, në përmasat e një novele, është më tipiku i kësaj mëdyshjeje. Një ngjarje reale  e jetuar në familjen e vet  autorit. Specialist Shpëtimi dashuron dhe lidh jetën me të bukurën e të mençurën Sandra Lika. Jetojnë me njëri- tjetrin e për njëri- tjetrin. Por kjo lloj dashurie ka një… kleçkë. Nuk pajtohet me politikën e shtetit monist. Sandra është pjesë e kampit të internimit. Babai i është arratisur për t’i shpëtuar goditjes komuniste pasi nuk pranoi t’ia jipte Sandrën djalit të një familjeje komuniste. Kjo ishte gjëmë. Përbënte mospajtim, luftë.  Miltua, kryefamiljari, pas njoftimit që merr se po i përgatiteshin hekurat, arratiset duke marr me vete edhe të birin e vogël, me shpresë se do kthehet kur të qetësohen gjërat. Lë mbrapa gruan dhe dy vajzat. Nënë e bijë, Vasilikë e Sandra, pas dy muaj  torturatsh psikologjike,  mendore e deri fizike në qelitë e hetuesisë, internohen.                                                                     

  Në tregim vihet ballë për ballë një dashuri, një familje e re e pastër e sakrijuar, në çelje e shpërthim, me një ligj skëterrë, frymë e jetëmarrës, atë të Luftës së klasave. O me partinë e këtej, o kundra saj dhe andej. Andej do të thotë poshtërimi, persekutimi, asgjësimi. Në mes – gijotina. Më çnjerëzorja? Shteti demokratik (despotik, më saktë) i lë rrugëve në mëshirë të fatit vajzën 5- vjeçare të familjes, Olën. Se ku qe faji i kësaj ënjgëlloreje, një parti e një perëndi e di. Nuk ua japin me vete aty ku i internojnë, “se shtohen gavetat e gojët e kazanit dhe copat e drunjve për shtrat”. Lere mjerane, si Kozetën e Hygoit tek ternadierët apo rrugëve e ç’të jetë shkruar. E shihni sa mendje hollë ishte partia? Të mos thyeshe e të qëndroje i fortë në situata të tilla, nënvizon autori, duhet të jeshë ngjizur nga një lloj brumi i veçantë. Që do të thotë një kuptim e vlerësim mbinjerëzor për jetën. Fëmija jeton me bamirësi të fshatarëve dhe duke lypur. Fle në ndonjë kotec, stan bagëtie apo rrënjë peme. Dhe, sikur të mos mjaftonte ky mizerllëk, thekson Stana, një hije e zezë ndiqte për t’i dëshmuar partisë se cilët bëheshin strehuesit e saj. Jo, po ta dinë mirë seç çfarë i gjen kush del nga istikami politik, apo kundërshton partinë!               

Biografinë e familjes që do të lidhë krushqinë Shpëtimi e di. I njihte se në sektor të tij punonin të internuarit.  Dhe pasojat i dinte. Komunist ishte. U vu së brendëshmi mes dy zjarresh. Mendimit- pra kokës; dhe zemrës- pra ndienjës. Secila ka ligjet, kanunet e veta. Por jo për partinë. Koka duhet të ketë mishkërmën e propagandës komuniste. Zemra ngrohtësinë e ndienjës, të shpirtit vetiak. Në sistemin ku lulëzon dhe përdoret si metër kryesor i zhvillimit të vendit lufta e klasave, këto të dyja nuk bashkëshkojnë. Mendja të sharton, zemra nuk të le. Mendimi ka ballë,- zemra ka valë. Shpëtimi është i vendosur për atë ç’ka bën, ç’ka i dikton zemra. Nuk pendohet për zgjedhjen e dashurisë, që i dhuroi një djalë aq të bukur. Veç këtu u shkel partishmëria aq më tepër nga një komunist. Dhe partia nuk fle gjumë. Nuk e paralajmëroi a  t’i kërkonte mendim a shpjegim. I pretë shkurt drutë ajo. E thirri dhe i shtroi thjesht, butë, qetë, siç janë tërë punët e partisë, dylemën: “Partinë apo gruan? Zgjidh!”. Në përmbajtje të saj kjo pyetje përmblidhte nga më të pabesueshmet. “Me partinë apo me Zotin? Partinë apo perëndimin? Partinë apo demokracinë? Partinë apo Lirinë?”. Ishte sëpatë plitike me forcë jetëshkatërrimin dhe jetëmarrjen.  Shpëtimi nuk zgjodhi partinë. Djaloshi i pastër, i guximshëm, i besës, pa asnjë mëdyshje, dha përgjigjen: “Gruan!”. Kjo nuk qe as e pakët e as e vogël. I doli kundra, shqelmoi politikën e saj. Dhe i dinte pasojat, siç u ishin bërë dhe të tjerëve. Së pari, pushkatimi politik: dorëzoi tesrën e komunistit. E papranueshme që në zemrën e një komunisti të lindë dashuria me një të internuar, të jashtë klasës së tij. Sikur të mos kishte aq e aq vajza të tjera nga familje komuniste! Gjithçka: mendimi, zemra, zorrët, plënc e jashtëqitje duhej të kalonin në filtrin e partisë.  Dhe nisi kalvari i pasojave shoqërore dhe ekonomike. Mënjanim nga shoqëria e çuarje në zona të thella të largëta të vendit. La djersën dhe mendimin e tij të derdhur në parcelat eksperimentale shkencore dhe u dërgua direkt në prodhim, fuqi krahu, pavarësisht se sa i domosdoshëm ishte mendimi i tij për ecjen e jetës, prodhimit. Iu kufizuan  të drejtat shoqërore, pasi hiqej e mallkuara Triskë Fronti e nuk kishe të drejtë për të votuar apo thënë mendimin e lirë. Kudo tregoheshe me gisht si të ishe me leprozë. Mohimi i lirisë së fjalës e deri mendimit, internim politik, burgosje e pse jo dhe pushkatim. Pa gjyq, se mënjanoheshin shpenzimet. (!) Mjaft të bëhej shembull për të mbledhur, ndrydhur, frikuar të tjerët nëse guxonin e luanin bishtin.                    

  Krimi politik i këtij të riu ish- komunist ishte i rëndë. Nuk u ndal tek dashuria, martesa me Sandrën. Bëri dhe bashkim familjar me  një familje të internuar! Poshtëroi e vrau partinë! Dhe përse? Për një grua! Për një shtrat, ndën fustan, thuaj më hapur. Nuk i lejohej komunistit, qoftë dhe xhveshur e mbyllur tesrën në kasafortë të shtrihehj i lakuriqtë me një të deklasuar. Aman. o Zot(!!!). Kjo për partinë, skalonin e saj politik, qe e papranueshme, e palejueshme, e dënueshme. Duhej goditur fortë e thellë që të mos bëhej vijë.  Drama? Nënë Vasilika nuk di ku e ka vajzën e vogël. Rron apo nuk rron? Eshtë në braktisje mendore për fatin e saj. E kërkon, por askush nuk e dëgjon.  As burrin me djalin e vogël të arratisur nuk e di në ç’derë ia ka hedhur fati. Merr frymë, rron se nuk ka forcë të vrasë veten dhe e mba një shpresë: “Ola? Dhëntë Zoti e të jeshë gjallë shpirti i nënës!” Por zemra, shpirtmadhësia e njerëzve të thjeshtë ngrihet e shkel mbi çdo gardh politik. E kjo është meritë e popullit tonë. Dikush e merr, interesohet dhe ua sjell pas vitesh në kamp sa për ta parë, jo të bashkëjetonin. Se kishte shpenzime për shtetin: ta rritje, ta ushqeje, ta strehoje, ta shkolloje, ta… Dhe për kë të bëhej kjo sakrificë shtetërore? Për një pjellë armiku? E sheh e ëma nga pas telave. E strehon një njeri i mirë në familjen e tij. Thamë: shpirti i florinjtë i njerëzve të thjeshtë. Se cili ishte krimi shtetëror i kësaj fëmije, vetëm qorr politikanët dhe organet e “drejtësisë popullore”,  e dinin dhe vendosnin. Dhe zorrët e barkut, theksohet në libër, t’i di e trazon partia.                                                           

Në ujëra të tilla mëdyshëse pothuaj është ndërtuar tërësia e subjekteve të tregimeve. Shpendi, komunist e me post të lartë ushtarak, shtron para së bijës, Betës, këtë dyzim. (“Trimëresha e dashurisë”). Po nuk u shkëpute nga ai djalë familje punëtori, “ do të të  vras me dorën time! (!!!). Dhe fytyrëprishur, gjak trazuar, i vendos grykën e pistoletës mbi ballë”. Ja deri ku arrin brumosja me ideologjinë largpamëse (!) të partisë. E, fundja, ç’është një fëmijë para partisë? Fëmijë mund të bësh sa të duash dhe me kë të duash, me duzina. (Jo me armikun e klasës, se u shtohet fara!). Parti? Ah, partia është një dhe e vetme. Atë nuk ke të drejtë ta prekësh apo cënosh ti, kushdo qofshë, se ta prunë dhuratë, kurorë mbi kokë, të tjerë.  Brigadieri, tek tregimi me të njëjtin titull, sqaron pse nuk mund të rritet edhe më norma në hapjen e tokave të reja. Se është kapitëse për punëtorët. Rrjedhimisht, del kundër vijës së partisë. Themelores:- “Nuk ka kala që s’marrin komunistë!”. E largojnë nga brigada, i ndërrohet sektori e shkon në prodhim me kazmë larg shtëpisë e familjes. Ai që deri një ditë më parë mbante peshën e mbarë prodhimit. Të rrënqethin teksa i kujton e mendon këto fakte të periudhës famëkeqe të monizmit. T’i trajtosh artistikisht, me gjuhë të thjeshtë, të qëmtuar është, kuptohet, meritë e veçantë e krijuesit, në rastin tonë, e Stanës.                                                            Në të tilla mëdyshje shtrohet pyetja edhe tek tregimi “Në kërkim të Zotit” etj. Tema që trajtohet në tregime të tilla është e ndjeshme. Shpesh autori, duke u dhënë i tëri pas tyre, pasi është vet protagonist në të shumtën e tregimeve, ka rënë në ndonjë përsëritje apo skematizëm. Vërtet që nuk dëmtojnë mesazhin që bien, por kërkojnë një hollim  pene në punën e mëtejshme të autorit.                                                                       

          2.  Një vend të veçantë, ndoshta dhe më i arriri, zë tregimi “Burgu”. Simbol i terrorit, tmerrit, frikës. Ngritur në një lagje qyteti, është një trekëmbësh i zi ku diktatura shtrydh e ndrydh shtetasit e vet. Dy rrethime të murta, ngritur mbi të  telat me gjëmba të përshkuar nga energjia elektrike, mes qytetit, hije zymtë, ogurzi e me pamje misterioze. Përreth janë bunkerët enverian. Mizë nuk guxon të hyjë e dalë, pale më njeri. Brenda qelitë ferr. Në çdo qoshe janë vendosur kullat nga ku qëndrojnë ushtarët në pozicion gati shtimjeje. Gjithë Shqipëria, është e tillë: Një burg rrethuar në tel me gjëmba. Si në skenat rrënqethëse të filmave me temë torturat në qelitë naziste. Nëpërmend mënyrën sesi vijeh në skenë në Berlin drama “Arturo Ui” e Brehtit të madh për të krijuar mjedis para se të hyje në shfaqje.  Teatri rrethohej me tel me gjëmba, brenda paradonin njerëz të veshur alla Nazi me qenë- ujq e altoparlantët përhapnin tmerrshëm britma, krisma, ulurima. Në këtë tmerr do hyje për të ndjekur shfaqjen. Kaq i ngjajshëm ishte burgu, që Stana e jep me ngjyra aq të gjalla e rrënqethëse. Djallëzia e pushtetit komunist: Kush ngre kokën a del sadopaka nga vija e saj, ja çfarë e pret. Të frikshëm, verbues, rrënqethës e shpues projektorët që përshkojnë e shpojnë natën, fashojnë banesat e e qytetarëve, si ca skelete të mëdhenj e plot llahtarë, ku vareshin e kryqëzoheshin shpirtërat e vrisnin gjumin e njerëzve të lodhur nga puna raskapitëse e ditës. Me një lajmërim vdekatar: “Kujdesni! Këtu hyjnë shumë, por dalin pak. Shumica dergjen ndën dhe’, në gropat e hapura që s’kanë as emër e as numër!”.                      

                       Edhe më rrënqethës e bën autori zezanën e kësaj ndërtese jetëmarrëse, kur përballë vendos fëmijët, më të pafajshmit e kësaj mbitoke, më të padjallëzuarit teksa luajnë aty pranë. Ndërkohë, kur duhej të thërrisnin kulmin e lojës, “Gol!”, dëgjojnë një zë të mbytur që mbase është njeri, teksa duket se u kërkon këtyre vocërrakëve drejtësi. “O njerëz, o popull! Drejtësi kërkoj!”. Po ku e kujt ia kërkon drejtësinë? Kur dhe tufa e zogjve, kaluar nbi telat me gjëmba e  hynë brenda rrethimit, goditet me breshëri automatiku e gjysma bien sheshit?! Po ku ta dinin fluturakët e mjerë se aty ishte zonë e ndaluar dhe asgjë që binte apo mbante erë Liri, nuk duhej të hynte? Përndryshe? Automatiku. Vdekja.                                                                            

   Por, tërheq vëmendjen autori, një nga netët s’kishin të pushuar  Bam- bamet! Kërr- kërret e automatikëve. Dhe kafshimet: “Ndal! Kush kalon?”. Lagjja u ngrit e llahtarisur. Jo çdo natë ndodhte kështu. Ndaj të gdhirë u zbërthye misteri. Tre të dënuar politikë tentuan të arratiseshin. Dhe e paguan. Mbyllet tregimi: “Dhe ajo thirrja mes hekurave sikur të ndiqte pas. –O popull shqiptar! Jam i pafajshëm!”. Por nuk kishte “faj” më të rëndë sesa t’i dilje kundër vijës së partisë. Diktatura e proletariatit shtypte koka e dërmonte kocka!                                                                                                             

Në një kuptim më të përgjithshëm, përfundon autori, tërë vendi i ngjante këtij burgu- ferr. I vetizoluar, i rrethuar në tërë vijën kufitare në tel me gjemba me ngarkesë elektrike. Në zbatimin e nismës revolucionare komuniste “çdo gjë me forcat e veta”, kjo shpikje ishte nga më të rrallat në torturim e kriminalistikë. Në tela të tillë ishte rrethuar e drejta e fjalës, e mendimit të lirë, e ëndrrës. Mbi gjithçka, qëndronte ligji gjëmëzi: “Agjitacion e propagandë kundër partisë e pushtetit!”. Kjo dhe atëherë  kur mblidhje nga sheshi thërrimet e derdhura thoshje: Ah, të kishim dhe një kokërr qepë! C’ironi për këtë popull!

              3. Si një fije e hollë, prehëse, tërë ndienjë e kundërvnie realitetit të rëndë të njerëzve, hynë e përshkon dallueshëm Humori në rrëfimet e Stanës. I dalluar për penën e hollë, prehëse, qetësuese Stana e kalon humorin si tipar organik të jetës së njerëzve. Si formë shprehëse të satirës, duke nënë në lojë e stigmatizuar negativen, të keqen. Punojnë orë të tëra në bujqësi apo miniera e marrin aq sa mund të mbajnë gjallë vetëm frymën e ditës. Në këtë raskapitje fizike, autori hedh aq nartyrshëm fraza, pjesë, fabula, grimca humoristike. Janë të lodhur punëtorët e krahut, e u kërkohet nga partia dyfishimi i normës. Pra, sakatim fizik. T’i dalësh kundra të pret Burreli apo Spaçi. Dhe derdhet qetë, por shumë gërvishës humori i ndërtuar shkurt, i mprehtë,i shkathët. Nuk janë shakara, barcaleta, anekdota për fol e qesh, për gallatë, të dhëna jashtë kontekstit të rrëfimit. Janë pjesë të jetës që duan t’i heqin asaj rëndesën e ditës, t’u largohen sadopak  halleve në punë e familje, të rutinës: punë- shtëpi- lind fëmijë e përsëri në punë. Po kujtoj këtu kur shokët i vendosin tjetrit, kur ai nuk e kishte mendjen, një hardhuckë në kutinë e duhanit. Dridhte ai 1- 3 kuti duhan në ditë me sdenë se kështu, mes pikërimës së nikotinës dhe tymit të cigares shtynte apo humbiste nga hallet e shumta. Për t’ia prerë këtë ves që i dëmtonte shëndetin dhe ekonominë, ata i punuan rengën me hardhuckën.  Në një tregim tjetër, në vend të pjeprit shokët i vendosin kolegut në çantë breshkë, se vetëm ato gjenin gjatë punës dhe ai e çon në shtëpi për bostan. Sa me humor aq dhe e cuksur është historia e atij që donte të fluturonte në emër të lirisë si helikopter. Të ikte sa më larg halleve, derteve. Bën çmendurinë për t’iu kundërvënë realitetit mundues: Hipën mbi shkëmb të fluturojë! Por përfundon në spital.  Po kështu do të citoja “ngatërresën” me “makaronat e Stalinit”. Bukë me makarona hanin punëtorët e nëntokës përditë në mensë. Bajate. Një nga punëtorët, Lami, mbush pirunin e tij me makarona dhe i afrohet fotografisë së Stalinit, duke iu drejtuar: “Patjetër që ke uri. Provoji pak se janë të mira!”. Ky nuk është thjesht humor. Eshtë ironi! Revoltë! E ndihu fati dhe i shpëtoi Spaçit. Po shtoj këtu historinë me kokrrat e rrushit,  me miun- Samiun etj. Nuk janë prurje humoristike banale, vulgare, erërënda. Spërkatin prehshëm kundërshtitë, kundërveniet ndaj dukurive negative.                                                                         

Tregimet e vëllimit të Stanës brenda vetes kanë kërkesën, konfliktin, pretendimin, luftën e njeriut që kërkon, synon, por realiteti është i ashpër, i fortë, kundërshtues. Dhe personazhet e tij, të ndodhur mes kësaj gjendjeje mëdyshëse: Kërkesa- realitet, gjejnë mbështetje tek spërkatja e situatave me doza të pikura humori. Një humor jo i zi. Por i lehtë, prehës, i kapërdishëm, shpresëdhënës. Krijimi dhe dhënia e situatave të tilla, si shkarazi, kanë rol njohës, edukativ dhe artistik.  Do t’i sugjeroja autorit, se humori ndoshta do të jetë gjina më frytdhënëse e penës së tij. Nejse.       Tregimi “30 shkurti” arrin kulmin si për nga rrjedha dhe nga fabula e ndërtimi. Me ironi e sarkazëm vihet në fshikullim sistemi burokratik e i palogjik i administratës shtetërore të kohës. Sa për të qeshur pikur. Humori kalon rrjedhshëm në satirë. I kërkohet certifikatë lindjeje një të riut për të filluar punë në fermë. Por ndodh e papritura. Datëlindja është më 30 Shkurt!!! Punonjësi i gjendjes civile, që ka bërë gabimin, shprehet se vërtet ai e di që nuk ka 30 ditë shkurti, por do një vërtetim gjykate për këtë. Mos luaj mendsh, po munde!

              Si përfundim. Edhe pse është libri i parë në prozë, pas atyre  dy me poezi, vëllimi është i denjë për ta paraqitur  atë si një tregimtar të sinqertë, me zë e veçantë e cilësor. Zë që i shtohet autorëve shqiptarë që lëvrojnë në mërgim.  Kushdo që e lexon gjen veten, pjesë të jetës së tij në to. Ndaj dhe thua me bindje: “Kështu më ka ndodhur dhe mua”. E, pra, kjo është dhe  dallesa e letërsisë. Të gjesh në të të shprehur dhe veten tënde.  Rrëfimi i I. Stanës  rrjedh qetë, kuptueshëm, të hynë në shpirt e të mbetet në mendje. Kush e njeh nga afër autorin, paçka se çdo rrëfenjë ka personazhe me emra të ndryshëm, është i bindur se në to gjendet ai, jeta e tij. Pak a shumë, në to ka mbresa, kujtime, shënime nga jeta të trejtuara e dhëna harmonishëm artistikisht.        Naracioni  është i thjeshtë, i rrjedhshëm, si një bisedë rrëfimtare, pa hyrje e dalje, pa ngatërresa, befasime false, intriga bajate (përmend tregimet “Rrugës për në Greqi””, “Tek Tarzani në Burrel”, “ Buka e nënës”, “Valsi i lumturisë”, “Mikpritja e Viktorit”) Maja të penës së Stanës janë  situatat rrënqethëse të përshkruara aq mjeshtërisht artistikisht,  kur dikush gjen të sëmurë e në hall në palcë të dimrit vajzën e vogël jetime, (paçka se prindërit i ka, por në internim), që nga thërrimet e mbledhura koshave për vete, gjen në rrugë një zog krah gjakosur dhe i jep sa ngrohtësi aq dhe nga thërrimet e saj. Shenjtërimi i bukës së nënës, ngrohtësisë së tepsisë me trahana. Në mërgim, teksa hapin kanal për linjat telefonike e janë të djersitur, me rroba ngjitur trupit, njera zonjë, e rënda, u bën munxat, e thjeshta u çon kafe etj.) i bëjnë tregimet të lexueshme, tërheqës e me qëndrim estetik. Nuk kanë sforco, nënkuptime apo të thuash “dale, ç’ka thënë autori më parë a më lart”. Ato janë rrëkera përenjsh malorë që ecin vetë përpara, rrjedhshëm, me synim liqenin a detin e jetës.

              Urime autorit në vepra të tjera!