Arta Tagani

Arta Tagani
Rruga vazhdon drejt
gjithmonë drejt,
rrethuar nga pemët
ku gjethet e para vallëzojnë në heshtje,
të zverdhura,delikate
bien përtok.
Një ditë tjetër, një betejë,
kur silueta lodhet nga vetja
përkulet, zhytet
bëhet hije që kërkon dritë.
Ngrihet!
Rruga gri
vetëm cati
dhe silueta pemsh
Drejt!
Për të marrë pak frymë nga era.
Në arritje,
presin dritare të tjera,
përtej tantellave të thurura me grep
në qelqet e dritareve të mia.
Ku është ai vend?
Kafene e Arengarios thuajse në qoshe,
kafeja e zezë, e nxehtë,
Arsye zgjimi
Estetika e kishës arsye e fshehtë,
Shija arsye e dytë.
Rruga kthehet në të djathtë,
fshihet…
dhe pastaj drejt!
Ku është vendmbërritja?
Kërcej lart
Hidhem në ajër… lart, lart
Ajri më mbulon, më shtrin
më ngrin gjersa toka e lejon.
Më ngrin lart,
përgjatë trungut të lëvozhgët limfatik
gjer në kurorë,
ku ajri frymon me gjethet
merr ngjyrë;
i gjelbër, i verdh, i kuqërremt,
i flakt,
i lagësht,pikon
i thatë,kërcet
në duart e mbledhura grusht,
për të pirë verën e ikur
dolli për kthimin e ajrit muzikant.
Kërcej lart,
me shputat e tejzgjatura,
me majat e gishtave të kallitur përtokë
Shkëndijë!
Mes tokës dhe qiellit
Elektrodë!
Dehje
Një lutje
një lutje në mesnatën e vonë…
Kupola kishash,
silueta pemësh
të përflakura nga zjarri i pasionit veror.
Grumbuj zogjsh
mbi kupola…
një zog i hutuar në zemrën e heshtjes,
që s’di ku të shkojë.
Oshëtima e detit arrin deri këtu,
ngarkuar mbi shpinë
melodinë e gjetheve vjeshtake,
që kërcasin ndër këmbët e ngjyrosura
nga shtypja e rrushit.
Këmbë të dehura,
si valë që shkulmojnë tokën
nën ritmin e valles,
të humbura në dalldi.
Grumbuj!
Gjithandej grumbuj gjethesh
që era mbledh ku të dojë.
Grumbuj trishtimi
të spërkatura nga mushti.
Një lutje
vjen nga atje,
arrin der’ atje.
Pëshpërimë!
Gjethet nuk kërcasin këtu,
të zbutura në mjegullnajën padane
Drithërim!