Armenida Qyqja

Zvogëlohet e zvogëlohet dielli atje lart,
Dorëzohet vjeshta, dyll i verdhë hidhërimi,
Ajo është shumë larg syrit të tij
Për ta tunduar me hiret e saja…
Si një grua e lënë pas dore prej kohësh
Do ta lëshojë gjer në dhembje veten,
Larg do ta zbojë dhe atë pak gaz
Që i kishte mbetur qark buzëve…
Miliona gjethe presin tani
Në zinë e saj, pa zë të mbyten,
Ndërsa unë përpiqem, shpëtim të gjej,
Ty të thërras nga pellgjet e mallit
Që s’paskan të sosur këtë fund tetori…
-ARMENIDA-
Tetor 2025