Ambra Agaj

Ai ishte si ferri, dhe unë mëkatoja çdo ditë për të qenë me të. E dija që po digjesha, por nuk më interesonte. Nëse ai ishte zjarri, unë isha gati të bëhesha hi. Nuk kishte rrugë shpëtimi, nuk kishte pendesë—vetëm epsh, vetëm një dëshirë e pangopur për të ndjerë duart e tij, buzët e tij, aromën e tij.
Era e tij më kishte mbetur në lëkurë, në rrobat e mia, në çdo cep të mendimeve të mia. E ndjeja ende, sikur flaka e tij të më kishte djegur shpirtin dhe tani nuk doja më të shërohesha. Aroma e tij ishte një mallkim i ëmbël, një varësi që më dehte sa herë e nuhasja bluzën që kisha veshur kur isha me të. Sikur të kisha mundësinë ta mbaja atë çast përjetësisht—prekin e tij, mënyrën si më njihte, si më deshifronte me duar, me buzë, me frymëmarrjen e tij të ngrohtë që digjte çdo grimcë të qenies sime.
Trupat tanë, ata njiheshin më mirë se ne. Sikur të kishin ekzistuar bashkë shumë përpara se ne të merrnim vesh se ishim krijuar për njëri-tjetrin. Më ledhatonte sikur të kishte vite që e dinte çdo ndjesi timen, çdo dridhje që i përkiste vetëm atij. Më kishte njohur aq thellë, aq në mënyrë të frikshme, sa ndonjëherë më dukej sikur kisha humbur brenda tij, brenda asaj bote kaotike që më çmendte e më bënte të doja më shumë… gjithmonë më shumë.
Por pastaj, si një erë që ndryshon papritur drejtim, gjithçka u bë e shpifur. E njëjta aromë që më kishte bërë të ndihesha e sigurt, tani më neveriste. Bluza që dikur mbante kujtimet e tij, tani ishte e rëndë mbi lëkurën time, e mbushur me një mashtrim që më digjte shpirtin. Nuk ishte se ai më kishte harruar—jo, ne kishim bërë një marrëveshje, një premtim të heshtur se do të ishim si më parë. Por ai e harroi. Ose ndoshta vendosi ta harronte. Dhe tani ai sillet sikur unë jam thjesht një nga ato. Sikur nuk jam më unë. Sikur nuk jam më ajo që dikur e çmendte, që dikur e donte si të mos kishte tjetër. Dhe ndoshta kjo është pjesa më e rëndë—jo që ai nuk më do, jo që nuk më kërkon, por që ka zgjedhur të më shohë si diçka kalimtare, diçka që nuk vlen më si dikur
Nuk është më njësoj. Ai ka harruar sa i çmendur ka qenë pas meje.Ka harruar menyren sesi me ka dashur ndoshta dhe un do e bej nje dite.Por jo sot. Sot, unë ende ndjej erën e tij. Ende e kujtoj si ferrin në të cilin do të kisha hyrë pa frikë, përjetësisht.