Sokol Demaku
Në kujtim të shkrimtarit, romansierit, kritikut letrar shqiptar po nxjerrë një pjesë nga libri i autorit suedez Sören Sommelius ”Kosova pa yll” botua në vitin 1993 në të cilën përsonazhi kryesor i këtij tregimi është Rexhep Qosja, botuar në shqip në 2025 dhe përkthyer nga Sokol Demaku

Është një ditë e nxehtë vere e vitit 1992…
Vdekja më vjen prej syve të tillë
-Pak vite më parë një nga dramat e mia u ndalua nga censura. “Vdekja më vjen prej syve të tillë” përshkruan fatin e popullit shqiptar gjatë kohës së Aleksandër Rankoviqit në vitet ’50, një periudhë terrori, kur 250 000 shqiptarë u detyruan të emigronin në Turqi. -Serbët po zhvillojnë tani luftën më të tmerrshme kundër kulturës shqiptare në të gjitha nivelet. Universiteti është i mbyllur, ashtu si të gjitha institucionet kulturore e shkencore. Akademia e Shkencave në Prishtinë nuk merr më fonde. Instituti i Studimeve Shqiptare dhe ai i Historisë Shqiptare janë mbyllur. Teatri në gjuhën shqipe pushoi së funksionuari para dy vjetësh.
Rexhep Qosja është shkrimtar dhe një personalitet udhëheqës i kulturës shqiptare në Kosovë, i vendosur në një vilë të madhe mbi një kodër në kryeqytetin Prishtinë. Ne jemi ulur në dhomën e tij të ditës dhe flasim për luftën e vazhdueshme të sundimit serb kundër vetë kulturës shqiptare, sikur të synohej zhdukja e identitetit kulturor të një populli.
Është një ditë e nxehtë vere e vitit 1992. Bashkëshortja e Qosjes na ofron kafe dhe ëmbëlsira. Koha që Qosja përshkruan në “Vdekja më vjen prej syve të tillë” kishte ngjashmëri tepër të mëdha me situatën aktuale për t’u toleruar nga autoritetet lokale serbe. Përveç kësaj, gjithnjë e më fuqishëm është vepruar kundër çdo forme të jetës kulturore shqiptare në Kosovë.
-Lufta kulturore drejtohet jo më pak kundër gjuhës sonë. Para pesë vjetësh, shqipja ishte gjuha zyrtare në krahinën autonome të Kosovës. Sot autonomia e krahinës është shfuqizuar. Kështu, dy milionët e shqiptarëve të Kosovës përbëjnë vetëm një pakicë në Serbi, ku gjuha zyrtare është serbishtja. Shqiptarëve u mohohet autonomia kulturore. “Në Serbi flitet serbisht”. Nga këndvështrimi logjik shteti është i paprekshëm dhe i vetëkuptueshëm. Por në Ballkan dhe në Kosovë ai përfaqëson një luftë totale kundër gjuhës dhe kulturës shqiptare.
Prandaj është një akt i vogël rezistence përdorimi i fjalës shqipe Kosova, me theksim në rrokjen e dytë, në vend të formës serbe Kosovo, që është më e zakonshme në Suedi. Në një kulturë djegiesh librash si ajo që sundon në Kosovë, fjalët nuk mund të zhduken. Vetëm përmes përdorimit të tyre ato marrin fuqi.
Në Danimarkë gjatë vitit 1992 përdorimi i Kosova u përhap gjithnjë e më shumë. Por në Suedi – ku interesimi dhe angazhimi për çështjen e kosovarëve ka qenë shumë më i ulët – pak i kushtonin rëndësi përdorimit të gjuhës.
Si e sheh Rexhep Qosja të ardhmen e Kosovës dhe rrezikun për luftë, e pyes unë.
-Të gjithë flasin për nevojën e një dialogu midis shqiptarëve dhe serbëve. Por dialogu i vetëm i mundshëm është ai midis të barabartëve. Ne gjithmonë kemi theksuar se duam të fillojmë bisedime. Por serbët duan një dialog me ne duke na mbajtur në gjunjë. Dhe kjo është e përjashtuar.
-Jam thellësisht i shqetësuar se situata në Kosovë tani është e tillë që do të çojë në një luftë edhe me armë. Lufta e serbëve në Kroaci dhe Bosnje synon të krijojë zona etnikisht të pastra duke i dëbuar njerëzit nga shtëpitë e tyre. Në të njëjtën mënyrë ekziston një interes nacionalist serb që përmes luftës të nxisë një eksod edhe më të shpejtë dhe edhe më të gjerë të shqiptarëve nga Kosova dhe kështu të zvogëlohet pjesa e popullsisë shqiptare këtu.
-Pas kësaj ata do të kolonizonin Kosovën me serbë nga Serbia dhe Mali i Zi. Ky është qëllimi i terrorit serb kundër nesh shqiptarëve.
-Si mund të parandalohet një luftë?
-Është e mundur që asgjë të mos i ndalojë serbët, përveç një “Desert Storm” të re. Regjimi serb është më i keqi që ka ekzistuar ndonjëherë në Ballkan. Ai nuk ndikohet nga argumentet dhe mund të ndalet vetëm me forcë. Shumë popuj kanë paguar një çmim të lartë për këtë – kroatët, boshnjakët, shqiptarët.
-Serbët janë të interesuar vetëm të mbajnë Kosovën si koloninë e tyre. Ne mund të ndjekim politikën më të mençur që ekziston, por nuk ka rëndësi. Udhëheqësit e sotëm serbë, sidoqoftë, nuk do të shqetësohen për atë që bëjmë ne.
-Pse duhet që Kosova, me nëntëdhjetë përqind të popullsisë shqiptare, të nënshtrohet nën Serbi? Në planin afatgjatë Kosova duhet të ribashkohet me Shqipërinë.
Rexhep Qosja është i bindur se Kosova do të bëhet një barrë gjithnjë e më e rëndë për Serbinë dhe se kjo, në bashkim me një presion gjithnjë e më të madh nga bashkësia ndërkombëtare, mund të sjellë ndryshime. Ose siç shkruan Rexhep Qosja në librin e tij “Populli i Ndaluar”:
“Tani kur shtetet koloniale u kanë kthyer kolonitë popujve që jetojnë në to, është e papranueshme që serbët në Ballkan të vazhdojnë të veprojnë si një fuqi koloniale. Serbët duhet të përkujtohen se tani ekziston diçka më e fortë se pushteti i tyre kolonial: Ideja e Albës, republika e shqiptarëve jugosllavë, Republika e Kosovës. Koha për realizimin e kësaj ideje tashmë ka ardhur. Në vetëdijen e popullit shqiptar, dëshira për këtë republikë luan një rol aq vendimtar saqë nuk do të lihet mënjanë derisa të bëhet realitet.
Historia është dëshmitare e pohimit tim: atë që e synon një popull i shtypur, medoemos do ta realizojë.”
Si janë marrëdhëniet me Shqipërinë e mirëfilltë sot, e pyes unë.
– Ato janë pothuajse të papërfillshme që prej vitit 1981, kur çdo formë bashkëpunimi u ndërpre. Gazetarët nga Shqipëria nuk lejohen të vijnë këtu. Unë vetë e vizitova Shqipërinë këtë pranverë për herë të parë pas njëmbëdhjetë vitesh. Nuk mund të udhëtoja drejtpërdrejt atje, por u detyrova të merrja rrugën anësore përmes Maqedonisë dhe Greqisë.
– Shqipëria ka filluar të ndryshojë pas 50 vitesh komunizëm dhe po përjeton tani një krizë të thellë shoqërore, ekonomike dhe kulturore. Jeta e përditshme atje shënohet nga ndjenjat e hakmarrjes dhe keqkuptimeve.
Rexhep Qosja është forca shtytëse mes një grupi që kërkon të krijojë lidhje pan-shqiptare për të shëruar plagët që kanë krijuar përçarjet ideologjike.
– Kosova është vetëm një pjesë e çështjes pan-shqiptare. Sot shqiptarë ka në Maqedoni, në jug të Serbisë qendrore dhe në Mal të Zi. Situata e grupeve të ndryshme shqiptare trajtohet fatkeqësisht më së shpeshti ndaras. Përveç kësaj, ka shumë shqiptarë në Evropën Perëndimore, në Turqi dhe SHBA.
“Çështja shqiptare” ka të bëjë me fatin kombëtar të nëntë milionë shqiptarëve. Qosja thekson gjithashtu se populli shqiptar kurrë në histori nuk ka sunduar mbi ndonjë popull tjetër dhe as nuk ka ndonjë qëllim ta bëjë këtë.
Kur zbres poshtë kodrës së gjatë nga shtëpia e Qosjes drejt qendrës së Prishtinës, takoj dy policë rëndë të armatosur që patrullojnë. Më shkon mendja te titulli i dramës së ndaluar të Qosjes, dhe kthej kokën mënjanë.
Vdekja më vjen prej syve të tillë…