Makineria e jetës dhe paradoksi i pesë dollarëve: një meditim para freskave të riverës-Eva Gjoni

Makineria e Jetës dhe Paradoksi i Pesë Dollarëve: Një Meditim para Freskave të Riverës

Në zemër të Institutit të Arteve në Detroit (Detroit Institute of Arts), aty ku dikur ngrihej hyrja kryesore e një muzeu që sfidonte kohën, ndodhet një prej dëshmive më të fuqishme të simbiozës mes artit dhe industrisë. Është një pikturë murale e realizuar rreth viteve 1932–1933, një dhuratë vizionare nga Edsel Ford, djali i manjatit të makinave Henry Ford, në bashkëpunim me drejtorin e atëhershëm të muzeut, William Valentiner. Autori i kësaj kryevepre komplekse, artisti meksikan Diego Rivera, arriti të mbyllte brenda katër mureve të gjithë ciklin e prodhimit të fabrikës “Ford River Rouge”, por mbi të gjitha, ciklin e vetë jetës njerëzore.

Kur qëndron përpara këtyre muraleve, ajo që të godet menjëherë është gërshetimi i elementeve tokësore me ato teknologjike. Rivera ka pikturuar aty të gjitha racat njerëzore, secila e simbolizuar nga një gur apo mineral tokësor, duke treguar se pavarësisht dallimeve, ne jemi të gjithë produkt i të njëjtit brumë planetar. Në një kënd, simboli i jetës dhe pjellorisë femërore qëndron si një kontrast i butë ndaj ftohtësisë së çelikut. Por, përtej kësaj harmonie natyrore, shtrihet dualiteti i teknologjisë: ajo që sjell zhvillimin galopant, por që njëkohësisht ka fuqinë të vrasë dhe të tjetërsojë individin.

Pjesa që të trondit më shumë, dhe që mbetet në mendje si një pyetje e hapur mbi moralin e kapitalizmit, është paraqitja e punëtorëve në radhë. Gjatë vizitës, kur ciceronia më pyeti se përse ishte menduar pikërisht ajo “pagesë 5-dollarëshe” për ditën, përgjigjja më erdhi pothuajse natyrshëm, ishte një mjet për t’i mbajtur ata nën presionin e vazhdueshëm të frikës nga e nesërmja.

Në ato vite, 5 dollarë dukeshin si një premtim për mirëqenie, por në të vërtetë ishin prangat e arta të një sistemi që kërkonte bindje totale. Punëtorët nuk mund të ngriheshin në revoltë për kushtet e vështira apo për ajrin e rëndë të fabrikës, sepse e dinin që jashtë dyerve priste një ushtri njerëzish të uritur. Të nxirrnin në rrugë me një lëvizje të dorës, dhe nesër ishe pa “5-dollarëshin” tënd.

Kjo ndjenjë kalimtare është pikturuar me mjeshtëri përmes figurës së urës. Punëtorët e vendosur në rresht mbi atë urë nuk janë banorë të përhershëm të asaj hapësire; ata janë thjesht udhëtarë kalimthi. Ata kapërcejnë një ditë jete mbi ato dërrasa e rrota dhëmbëzore, por nuk kanë asnjë garanci se do të jenë aty të nesërmen. Në këtë teatër industrial, ku shfaqen edhe figurat e Edsel Fordit dhe drejtorit të muzeut si vrojtues të këtij procesi, njeriu shndërrohet në një numër kronometri.

Sot, ky vend është një Institut Arti, por piktura mbetet një pasqyrë e gjallë e asaj periudhe. Ajo na kujton se pas shkëlqimit të makinave që dolën nga fabrikat e Detroitit, fshihej djersa dhe ankthi i një klase punëtore që jetonte mes dy botëve: krenarisë për progresin dhe tmerrit të zëvendësimit. Dita 5-dollarëshe nuk ishte thjesht një rrogë; ishte çmimi i lirisë së tyre të vënë në provë, e ngrirë përgjithmonë në muret e mrekullueshme të Riverës.