Fluturim-Miranda Kabashi


FLUTURIM

Në muzgun e mbrëmjes, më thirrën yjet në mes të liqenit. Atje ku guxon të thurrësh endrrat, mendimet dhe ti kryqëzosh me dëshirat.
Shtrirë, vendosa dy duart nën kokë dhe shikoja hënën lart, ku varka tundej si djep i një foshnjeje të porsalindur nga dallgët e lehta. Yjet duken sikur kanë zbritur poshtë nga pasqyrimi i ujit. Nga larg shihen peshkatarët që kthehen me varkat e lodhura. Fytyrat e tyre ndriçojne nga gëzimi, se fati u ka buzëqeshur… Më tej dëgjohet lëvizja e krahëve të një pelikani, kurse afer bregut dy mjelma në një kurorë dashurie. Brigjeve të liqenit, fshehur nen shelgje lotues shikon tek-tuk ndonjë çift duke u puthur dhe fëmija që mbetet pas, hedh cironkat përsëri në ujë, të nxjerra nga dallgët anës bregut. Me vete kisha marrë librin me poezi të Pushkinit, të cilin e kisha lënë përgjysmë. Shtëpia ime është plot me zhurmë nga vëllezërit dhe motrat e mia, që janë të vegjël. Shpesh herë marr varkën e babait, dhe ai e di që mua më pëlqen të lexoj e ndarë nga kjo bote tragjikomike…

TI DHE JU

Të zbraztën “ju” ajo me “ti”,
Në kuvendim e ngatërroi,
Dhe ëndërra plot lumturi,
Në shpirt të ndezur seç më zgjoi.
I heshtur para saj qëndroj,
Vështrimn’ e dhembshur pa ja ndarë;
E shtrenjtë jeni, – i shqiptoj, –
Të dua! – shpirti flet me zjarr.

Gjumi më zuri e dashuruar me vargjet e tij në valët gazmore, me yjet e rrëzuar në sipërfaqen e ujit. Lundrova gjithë natën nëpër ëndrra, derisa zhurma e peshkatarëve që përshëndetnin njëri-tjetrin me zë të lartë nga larg më bëri të hapja sytë dhe të shikoja qiellin e kaltër… mjelmat notonin larg një pelikani.
Liqeni buzëqesh me valët lozonjare dhe më përshëndet në mbrëmje, sikur të jem një ngjalë në bregun e tij.

Miranda Kabashi