
Shqipëria nuk është vend multi-etnik
“Një shtet brenda shtetit”, vendimi i palogjikshëm dhe me një prapaskenë të errët për fatin e kombit shqiptar u shpall me krenari nga udhëheqja jonë afro një vit pas censusit të popullsisë. Ndërkohë vetë ky census, rezultatet e të cilit vunë në diskutim numrin e vërtetë të popullatës së përgjithshme të Shqipërisë duke shërbyer si pista të sabotazhit për vendet fqinje, thelbësisht është etapa e radhës në misionin antishqiptar të politikës së Tiranës.
Manipulimi i procesit të regjistrimit demografik nxjerr në pah synimet dashakeqe të qarqeve të ekstremit të djathtë të cilat, jo vetëm që karakterizohen nga një shqiptarofobi e tmerrshme dhe e pakuptimtë, por mund të shërbejnë si shkaqe për incidente diplomatike apo konflikte të armatosura në fuçinë e barutit të quajtur Ballkan. Shqiptarët, si objektivë e hershme e politikave gjenocidiale duhen të marrin mësim nga historia!
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 1930 shpalli vendimin se “çështja e kombësisë dhe ekzistenca e një pakice është çështje fakti dhe jo çështje e së drejtës.” Nëse karakteristikat dalluese të një komuniteti etnikisht të ndryshëm si gjuha, tradita, kultura, përkatësia etnike dhe historia e dokumentuar janë zhvilluar në një pjesë të caktuar të “atdheut të dytë”, në këtë rast të Shqipërisë, duke u integruar me së miri në shoqëri, atëherë komuniteti fiton standartin e një minoriteti, i cili ka lidhje të vazhdueshme me kombin që i përket dhe gëzon çdo të drejtë themelore të garantuar nga legjislacioni ndërkombëtar. Ekzistenca e një pakice vjen si rrjedhë e historisë, kurse përpjekjet e cilitdo shtet për të krijuar minoritete false në territoret e shtetit fqinj janë metoda anti-ligjore që cënojnë paqen dhe u shërbejnë planeve afatgjata të ekspansionit. Pavarësisht se vetëdeklarimi i lirë dhe identiteti etnik nuk janë çështje ndjesie, censusi i vitit 2023 në Shqipëri u bazua mbi “vetëidentifikimin” i cili solli si rezultat regjistrimin e nëntë minoriteteve. Me statusin juridik të fituar, minoritarët u bënë degë e fuqishme e influencës së shteteve ballkanike në Shqipëri e cila mbulohet nga justifikimet e shëmtuara për mbrojtjen e të drejtave për minoritetet, ndërkohë që e kundërta ndodh me shqiptarët e mbetur jashtë kufinjve, të cilët, edhepse përbëjnë element shtetformues për disa vende në rajon, vazhdojnë të vuajnë diskriminimin shtetëror dhe mohimin e lirive themelore kombëtare.
A ekzistojnë minoritete në Shqipëri?
E shkuara e kombit tonë shpreh më së miri forcën e mbijetesës, e cila ishte meritë e mënyrës së jetesës së shqiptarëve si një shoqëri e mbyllur, e organizuar sipas dokeve e zakoneve të lashta, duke ruajtur ashpërsisht origjinalitetin e racës. Megjithatë, dyndjet e huaja gjatë shekujve kanë lënë gjurmët e tyre në territoret shqiptare çka përfshin edhe krijimin e pakicës kombëtare e gjuhësore. Një komunitet i tillë janë vllehët, për të cilët intelektuali dhe rilindasi i madh Sami Frashëri në veprën e tij të famshme “Kamus-ul Alam” shpjegon se ishin mercenarë të ushtrisë romake që u vunë në mbikëqyrje të Via Egnatia-s, e cila lidhte Adriatikun me Kostandinopojën dhe për këtë arsye zona që nga qyteti i lashtë i Apollonisë e deri në Maqedoni ose Thesali ishte e populluar nga fiset vllehe. Në vëllimin XII të enciklopedisë britanike thuhet se “vllehët janë banorët e latinizuar të provincave të epokës romake të cilët gjetën strehë në malet e larta prej dyndjeve barbare” dhe pikërisht kjo tërheqje e tyre çoi në “shkrirjen” e mëvonshme të vllehëve ose arumunëve me popujt e vendit pritës, si në këtë rast me shqiptarët. Autori vlleh Valentin Dhimitër Mustaka në librin “Latinët e harruar” hedh dritë rreth procesit të greqizimit të popullatës vllehe: “Gjatë periudhës osmane shumë nga vllehët u greqizuan, sidomos në zonën Pogon-Zagori (Gjirokastër) ku disa u greqizuan nga kisha. Plot 37 fshatra në Zagori janë greqizuar. Mund të themi se greqizimi i vllehëve brenda Shqipërisë së sotme është në vazhdim si një proces i pandërprerë, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite…” Duhet theksuar se për shkak të bashkimit me popullatën vendase, pra me shqiptarët, vetëdija kombëtare vllehe u zbeh së tepërmi e duke qenë se ata e ruajtën besimin fetar ortodoks, procesi i greqizimit të tyre me anë të fesë u arrit lehtësisht. Kjo justifikon faktin se si shteti helen vazhdon ta konsiderojë popullatën vllehe si një pjesë të rëndësishme të etnosit grek.
Panorama reale për krahinën e Dropullit ku banon zyrtarisht minoriteti i sotëm grek shfaqet në regjistrin kadastral osman të vitit 1520, sipas së cilit Dropulli ishte një zonë e populluar nga shqiptarë autoktonë, mbiemrat e të cilëve kanë trajta shqiptare të kalendarit të krishterë si Gjini, Gjoni, Leka, Pali, Guma etj. si dhe nga një numër i vogël arumunësh të shpërndarë në pak fshatra. Albanologu grek Titos Jochalas argumenton se gjatë sundimit osman kisha bizantine ka arritur t’i asimilojë shqiptarët e Dropullit. Në vërtetim të kësaj teze mund të përmendim letrën e parësisë së dymbëdhjetë fshatrave të Pogonit (Dropull) dërguar Patrikut të Stambollit në vitin 1856 ku kërkohej ardhja e një prifti shqiptar pasi banorët nuk e kuptonin priftin grek. Në librin “Përkatësia Etnike e Epirotasve”, shkruar nga Ejup Ramadani theksohet se: “Gjatë shek.XVI-XIX përmendet depërtimi i vllehëve nga malet e Pindit dhe Maqedonisë jugperëndimore drejt ultësirës së fushës së Delvinës (Vurgu dhe Finiqi i sotëm, zona minoritare greke brenda republikës së Shqipërisë) e deri poshtë në Akarnani. Por kishte edhe prej atyre të vendosurve në territorin midis Janinës dhe Artës, që u greqizuan.” Mit’hat Frashëri në veprën “L’a Population de l’Epir” të vitit 1915 shkruante: “Logjika greke ka edhe shprehje të tjera të çuditshme si vllahofonë-helenë, duke dashur të nënkuptojë helenët që flasin vllahisht, pra vllehët ortodoksë shqipfolës të Epirit.” Në studimin e tij “Epiri, Pellazgët, Etruskët dhe Shqiptarët” albanologu Shaban Demiraj thotë se disa nga fshatrat e rinj të Finiqit të sotëm, kryeqendrës së Vurgut, janë krijuar në fund të shek.XVIII ose në fillim të atij XIX. Omer Pashë Vrioni dhe Ali Pashë Tepelena sollën në Vurg dhe Dropull bujq nga krahina greqishtfolëse (vlleh nga Maqedonia dhe Thesalia të asimiluar në grekë) për të punuar në orizore dhe këneta, prona të bejlerëve shqiptarë të Gjirokastrës, Delvinës dhe Çamërisë. E njëjta dëshmi vjen edhe në vitin 1815 nga konsulli francez në qytetin e Janinës, François Pouqueville. Në sajë të numrit tepër të lartë të të ardhurve dhe propagandës së egër të kishës greke, u arrit helenizimi i plotë i krahinave të Dropullit dhe Vurgut.
E njëjta dramë është luajtur edhe në zona të tjera ku kanë mbirë minoritete të panjohura për historinë shqiptare, natyrisht duke shfrytëzuar politikisht elementin vlleh. Historiani kroat Milan Šufflay i cili në veprën “Serbs and Albanians” ka trajtuar me seriozitet çështjen e origjinës së popullatave në ato zona ku sot pretendohet se ka minoritet, bën të ditur vazhdimësinë e fiseve vllehe të sllavizuara kryesisht në Pejë, Prizren, Ulqin, Raguzë, Shkodër e Pukë: “…Statutet qytetare të Kotorrit të shekullit të XIV i dallojnë qartë kroatët më në veri nga sllavët (Sclavi), të cilët të përzjerë me rumunë (Vualachi) dhe shqiptarë banonin në afërsi të qyteteve…” Milan Šufflay flet rreth vendosjes së popullsisë arumune përgjatë brigjeve të dy degëzimeve të mëdha të lumit Drin dhe në zonat e ulëta rreth Shkodrës, duke faktuar origjinën vllehe të banorëve të Vrakës së sotme, të cilët u njohën zyrtarisht nga shteti shqiptar në vitin 2017 si një pakicë kombëtare serbo-malazeze. Asimilimi i klaneve vllehe vërehet edhe në të ashtuquajturin minoritet sllavomaqedonas të Prespës, ku bujqit e ardhur gjatë periudhës osmane dhe të punësuar tek familjet e pasura myslimane të Korçës pranuan këmbimin e identitetit etnik në kuadër të ortodoksisë lindore.
Por me sa duket feja e pakicës vllehe nuk ka qenë një problem i madh për politikat shovene të fqinjëve tanë pasi në zonën e Gorës dhe Gollobordës, respektivisht në rrethet e Kukësit, Dibrës dhe Elbasanit, të ashtuquajturit goranë të cilët u vendosën në këto dy krahina gjatë sundimit të mbretit bullgaro-vllah Ivan Asen në shek.XIII dhe që pranuan Islamin nën pushtetin osman, sot deklarohen si bullgarofonë. Njohja zyrtare e këtij minoriteti u bë në vitin 2017, pa munguar ndërhyrja indirekte e përfaqësive diplomatike dhe strukturave të tjera paralele të shtetit bullgar për të arritur shifrën prej 20% të të vetëdeklaruarve.
Krijimi i zonave minoritare në pjesë të territorit ku historia nuk njeh autoktoni të popullsive fqinje me Shqipërinë është ndihmuar edhe nga reforma territoriale e vitit 2015 ku qëllimisht u formuan “bashki të reja” për këto pakica që mbushën censusin e vitit 2023. Vlen të përmendim Himarën, një zonë kompakte shqiptare e njëkohësisht një qendër e rëndësishme e jugut të Shqipërisë e cila prej shumë kohësh është kthyer në objektivë të politikës antishqiptare të Athinës ku investohet për indoktrinimin megalaideist dhe formësimin e identitetit kombëtar grek, duke synuar “shkëputjen” në heshtje nga Shqipëria të qytetit të Vlorës, gadishullit të Karaburunit, krahinës së Labërisë (një urë lidhëse me qytetet e tjera të jugut), zonës së pasur me naftë dhe gaz në ujërat e detit Jon midis ishullit të Korfuzit dhe bregdetit tonë, zona këto me rëndësi jetike për ekzistencën e shtetit shqiptar.
Nxitja për deklarimin e një identiteti nacional fals dhe për më tepër, përligjja e këtij mashtrimi pa iu referuar bazave historike çon në përçarje dhe konflikte të karakterit etnik. Ballkani është i mbushur me precedentë të tillë që mbajnë ndezur motorin e politikës së agresionit dhe për rastin konkret mund të themi se rritja demografike e minorancave që po shkon paralel me rënien e numrit të përgjithshëm të popullsisë në Shqipëri është një akt që cënon rëndë interesat tona kombëtare. Këto enklava që po formohen brenda territorit shqiptar mund të shkaktojnë një konflikt të ri ndërballkanik, për parandalimin e të cilit Shqipëria dhe Kosova (pasi dhe në Kosovë po gjen zbatim ideja e multietnicitetit) nuk kanë kapacitete të mjaftueshme. Nuk duhet harruar fakti se përpjekja e fortë e fqinjëve tanë për kultivimin e minoriteteve të rreme synon zhbërjen e çështjes së shqiptarëve të mbetur jashtë trungut amë, duke i korresponduar minimit të gjeopolitikës rajonale, pra, përgatitjes së kushteve për shpërthime të forta brenda Ballkanit.
Është në dinjitetin e çdo kombi që të krenohet me rrënjët e tij dhe t’i prezantojë në mënyrën më të mirë vlerat e veta qytetare në arenën botërore. Respektimi i popujve të tjerë është një nga normat e së njerëzishmes, të cilën fatkeqësisht shumë shtete të Ballkanit perëndimor nuk e kanë mësuar akoma. Shqiptarët janë treguar tepër tolerantë me “mysafirët e paftuar” por ka ardhur koha që të kthejmë sytë nga vetëdija jonë historike për të mësuar të vërtetat e mëdha, të shkundim përgjumjen epokale dhe të kërkojmë të drejtat tona, të cilat i kanë mohuar dhe vazhdojnë t’i mohojnë armiqtë shekullorë, ashtu sikurse vijon ende t’i shkelë pa mëshirë lidershipi shqiptar që ka pranuar paturpësisht vasalitetin. Shqipëria nuk është vend multi-etnik! Kjo thirrje le të gjëmojë në kokat e tradhtarëve.