LUTFI MEMA
ZËRI I TOKËS…

Të moshuarit i kapi dimri,
nga të rinjtë kërkojnë pranverë,
vetë nuk e ndalin udhëtimin,
s’duan që ta shohin tokën djerrë…
Lot në syrin tuaj të përgjumur,
ju kishit qëndruar si shkëmbinjtë…
—Bijtë tanë, ju ku keni humbur,
se nga lagështira qajnë shtëpitë…?
Shtegëtarë të largët andej mbetët,
ecni shpirtkëputur nëpër udhë…
Në halle ne kokën e mbështetëm,
është shurdhuar dhe rënkon çdo rrugë…
Ja dhe syri i hënës del pas malit,
mbushur plot me dhimbje netët, ditët,
ne rënkojmë, se ju duam pranë,
se s’na njohin mbesa edhe nipër…
E dëgjoni ju zërin e tokës…?
Shqipëria, bij, për ju ka mall,
mbetët ju në viset e botës,
malli ynë rritet, bëhet mal…
Ju këtu do flisni me pranverën,
ne do ta qëndisim këtë ëndërr,
do të prehij nën qiellin e kthjellët,
ne këtu, o bij, i kemi rrënjët…
Sa do rrini ju në dhe të huaj…?
Kjo tokë krahëhapur po ju pret,
Ju këtu e keni gjakun tuaj,
oh, ky mall dhe gurin e tret…
Ju këtu do rrini ankoruar,
mos e lini tokën të rënkojë,
ne kërrusur, për ju sytë verbuar
vendit do t’i vëmë vello, kurorë…
—Mbetëm ne këtej si derëzez,
ikëm ne nga lumë i varfërisë,
Shqipëri, s’të presim në besë,
lule do t’i sjellim historisë…
Krahëror i madh i Shqipërisë
në një kor me ne do të këndojë,
brigjeve, atdheut, dashurisë.
do t’u japim frymë dhe do gëzojmë …
LUTFI MEMA
Personalitet i Shquar i Arsimit Kombëtar