Kur flet “Historia Serbe” (5)-Përgatiti Avni Halimi


KUR FLET “HISTORIA SERBE” (5)

Në vazhdim, ditari ushtarak i oficerit serb, Dragoljub M. Diniq, të cilin e ka titulluar “NËPËR SHQIPËRI – me skuadrën e Shumadisë për pushtimin e Shqipërsë”, bën fjalë për sfidat dhe synimet e ushtrisë serbe gjatë pushtimit të Shqipërisë, ku qëllimi kryesor ishte dalja në Adriatik dhe kontrolli i qyteteve bregdetare shqiptare. Terreni malor, moti i ashpër dhe ndërveprimi me popullsinë lokale janë faktorë thelbësorë që ndikuan në ecurinë e marshimit. Përmes këtij teksti, kuptojmë jo vetëm strategjinë dhe vështirësitë ushtarake të pushtuesve serbë, por edhe mënyrën se si ata përpiqeshin të manipulojnë politikën dhe ekonominë lokale për të siguruar kontrollin e territorit malor shqiptar.

Në atë kohë, rrjetet rrugore të Shqipërisë ishin të kufizuara dhe të zhvilluara në mënyrë shumë primitive. Rrugët më të shkurtra drejt bregdetit dhe të pakontrolluara nga ushtria otomane kalonin kryesisht përmes territoreve të ashpra malore të populluara ose të kontrolluara nga forcat lokale shqiptare, të cilat jo një herë kanë ditur të organizojnë rezistencë të fortë ndaj pushtuesve. Territori i Mirditës, për shkak të kushteve gjeografike të vështira, ndoshta ishte më pak i mbrojtur në mënyrë aktive nga grupe të organizuara rezistence por edhe shumë më pak të kontrolluara nga ushtria e pushtuesve otoman, duke e bërë atë një rrugë të favorshme për të shmangur betejat e menjëhershme.

Historikisht, Mirdita kishte një traditë të gjatë të autonomisë dhe rezistencës kundër pushtimeve të jashtme. Kjo zonë njihej për fiset e saj të forta dhe luftëtarët e pamëshirshëm. Duke kaluar përmes Mirditës, ushtria serbe mund të shpresonte të negociojë ose të krijojë aleanca me udhëheqësit lokalë, duke ofruar armë dhe dhurata, siç përmendet në tekst, gjithnjë në të mirë të një “aleance kundër okupatorit turk”! Meqë fiset mirditore ishin më të pavarura nga qendrat e mëdha të pushtetit otoman, serbët mund të kishin shpresuar të evitonin një rezistencë të organizuar dhe të përfshinin disa nga këto fise në planet e tyre.

Pavarësisht vështirësive të mëdha që dilnin nga relievi i ashpër gjeografik, rruga përmes Mirditës nga ushtria okupatore serbe konsiderohej si rruga më e drejtpërdrejtë dhe e shpejtë për të arritur në bregdetin shqiptar. Ky terren gjithësesi që ofronte një lloj mbrojtjeje natyrore nga sulmet e papritura të kundërshtarëve. Forcat që marshonin përmes maleve do të përballeshin me më pak rrezik nga sulmet e drejtpërdrejta, sepse edhe forcat vendase do ta kishin të vështirë të organizonin sulme në këtë lloj terreni. Pra, zgjedhja e ushtrisë serbe për të kaluar përmes Mirditës ishte një vendim strategjik që kombinonte disa përfitime: shmangien e rezistencës së menjëhershme, ruajtjen e fshehtësisë, dhe mundësinë për të arritur në bregdetin shqiptar përmes një rruge më pak të pritur. Edhe pse terreni ishte jashtëzakonisht i vështirë, serbët shpresonin se do t’i shmangnin përplasjet direkte dhe do të përdornin avantazhin e tyre taktik për të arritur qëllimet e tyre ushtarake.

Pushtimi i qyteteve bregdetare shqiptare, si Shëngjini dhe Durrësi, ishte një objektiv strategjik për forcat serbe, pasi i ofronte Serbisë dalje në një nga rrugët më të rëndësishme tregtare dhe gjeostrategjike në Mesdhe. Urdhri për ta shpallur bregdetin shqiptar si “zonë ushtarake” tregon për qëllimet afatgjata të pushtimit dhe rëndësinë që kjo zonë kishte për Serbinë.

Ndërveprimi i ushtrisë serbe me popullsinë lokale shqiptare është tjetër aspekt që spikatet në këtë ditar. Në tekst përmend sesi ushtarët serbë blejnë ushqime nga vendasit dhe, në disa raste, përballen me vështirësi në sigurimin e furnizimeve bazë. Përshkrimi i fshatarit shqiptar që reagon ndaj napoleonëve tregon për varfërinë dhe mjerimin e popullsisë lokale, e cila jetonte në kushte të vështira ekonomike dhe sociale. Megjithatë, në këtë ndërveprim shihet gjithashtu një distancë kulturore dhe armiqësore, pasi për ushtarët serbë, popullsia vendase ndonëse “e egër” është, thjesht, një burim i furnizimeve që nevojiten për të mbijetuar.

Përpjekjet e ushtrisë serbe për të fituar mbështetjen e vendasve në Mirditë tregon për rëndësinë e politikës së brendshme gjatë pushtimit. Duke u ofruar armë dhe sahate bajraktarëve shqiptarë, pushtuesit përpiqen të sigurojnë bashkëpunimin e tyre ose të neutralizojnë çdo rezistencë. Kjo tregon për një strategji të pushtuesve serbë, ku përveç forcës ushtarake, përdorej edhe diplomacia dhe ryshfeti për të kontrolluar situatën në terren. Megjithatë, përpjekja për të blerë aleatë me flori dhe armë tregon një mungesë të thellë të besimit në popullsinë vendase dhe një përdorim oportunist të bashkëpunimit.

Në këtë vazhdim të këtij ditari bëhet fjalë edhe për vështirësitë në komunikim dhe nevojën për ngritjen e stacioneve rele për të mbajtur lidhje me njësi të tjera. Dobësitë taktike dhe logjistike që ndodhin gjatë marshimit tregojnë se, nëse ushtria serbe do të përballej me një tërheqje të papritur, ajo do të përballej me një situatë katastrofike. Kjo thekson vulnerabilitetin e pushtuesve serbë në një terren të panjohur dhe të vështirë, ku çdo lëvizje kërkonte planifikim të kujdesshëm dhe mbështetje të qëndrueshme logjistike.

Më poshtë po japim vazhdimin e pestë të këtij ditari ushtarak serb:

IV.

30 tetor i vitit 1912.

Moti: i ndryshueshëm, shi me erë,

murmurima të forta.

Srriqe (Shëngjin) – Gjugjë

Ky ishte urdhëri për marshin e sotshëm: Detashmenti sot do të lëvizë në drejtim të fshatit Konaj, caku i sotshëm për prijetarët do të jetë fshati Bisak. Të merren të gjitha masat me qëllm që ky marshim të kryhet pa kurrfarë pengese.

Urdhëri për marshim nuk ndryshon.

Regjimenti II i kombinuar ka lënë një rreshter me dhjetë ushtarë për të mbajtur lidhjen rele me katundin Shënepremte dhe Domgjon. Janë të sigurar me ushqim dhe me para për dhjetë ditë dhe, nga banorët e vendit do të blejnë me para gjëra ushqimore që u duhen.

Nga komandanti i Armatës III erdhi urdhëri:

“Nëse arrini të dilni në bregdet para komandantit të Divizionit II të Drinit, mos pritni por menjëherë shpallne vendin zonë begdetare ushtarake me këta kufij: San Giovanni di Medua (Shëngjini i sotshëm, përkthyesi) – Durrës, që përfshinë edhe pellgun e Drinit dhe Magjes, dhe menjëherë të më informoni mua dhe Komandën Supreme, për informim ta gjeni rrugën më të shkurtër, qoftë kjo edhe përmes Italisë. Nëse ia dilni që të jeni në kontakt me komandantin e Divizionit të Drinit, ia thoni edhe atij që të na informojë sa më parë.”

Realizimi i marshimit:

Detashmenti u nis në ora 6 në drejtim të fshatit Srriqe (Bjeshka e Shëmërisë dhe fshati Shëngjin) duke vazhduar drejt Domgjonit dhe fshatit Konaj. Edhe kjo rrugë nuk ishte e shënjuar në hartë por, prijetarët tanë e shënuan gjatë lëvizjes nëpër këtë drejtim. Ky rrugëtim ishte pa dyshim më i tmerrshmi prej të gjith rrugëtimeve që i kemi bërë, si për nga vështirësitë ashtu edhe për nga rreziqet me të cilat u prballëm. Është e pamundur që të rrëfehen të gjitha peripetitë e këtij rrugëtimi.

Një stuhi e tmerrshme na zuri në kreshtë, duke zbritur një shkëmbi të thepisur, humbëm lidhjen, fytyrës na rrihte shiu e bora, ulur, duke u zvarritur e rrëshqitur tatëpjetë derisa ramë në buzë lumit, aty u grumbulluam dhe natën e kaluam në një kasolle. Aty i gjetëm edhe disa shokë tanë. Këtu pamë: Një baba dhe një djalë, babai sikur vinte nga Prizreni dhe Shkodra, kurse i biri isshte gjysëm njeri e gjysëm egërsirë, syhapur e me shikim të trembur, duke vështruar shtëpizën e vet të vogël e të ngushtë: një gjel, një pulë dhe dy dhi. Kur ia ofruam paratë tona, ai i shikonte mu si fshatari ynë analfabet që i shikon hardhitë e vjetra, por kur ia ofruam dy napoleonë, nga shkëlqimi dhe nga tingjt e tyre që dilnin deriasa i tundnim në dorë, instiktivisht reagoi dhe sikur u pajtua. Kjo ishte pagesa për natën që kaluam aty si dhe për disa kokrra misër.

Prijetarët tanë gjatë kësaj dite kishin arritur deri te shtëpitë e para të fshatit Domgjon, të rraskapitur si vetë ashtu edhe kafshët.

Në përgjithësi, rruga që kaluam ishte nëpër një anë të thepisur të një gryke të ngushtë e të friksshme dhe, e tillë ishte deri te rrafshi i krahut juglindor të lumti Sirç, dhe nga aty sërish përpjetë një lartësie tmerrësisht të thepisur të Majës së Runës, nëpër Runë e në drejtim të perëndimit. Edhe kjo rrrugë e thepisur ishte tepër shumë e vështrë, ndaj dhe na duhej që shpesh t’i shkarkojmë kuajtë, të cilët, fatkeqësisht, shpesh rrokulliseshin e përfundonin në lumë. Prej larësive të thepisura e deri te lumi Fan gjëja e ngarkuar duhej që të zbriste shmë me ngadal dhe me kujdes maksimal, sepse kreshtat gjatë natës ishin të ngrira nga acari që, megjithat, po zbutej derisa po zbrisnim në drejtim të zonës bregdetare. Rruga prej Fanit e deri në Domgjon edhe pse ishte me lakesa të pjerrta, megjihatë, ishte më e lehtë për t’u kalur.

Në rrugëtimin e mëtejmë moti po mbante i thatë me një të ftohtë dimri, por pa ngrica, megjithatë, nëpër grykë frynte erë e furishme, shiu i përzier më dëborë përcillej me vetëtima e bubullima të frikshme.

Kushtet atmosferike si dhe banorët lokalë e bënin të papërshtatshëm ndalesën për të pushuar, ushtarët nuk po ia dilnin që të thaheshin, naj dhe, marshimi i nesërm, ishte shumë i shkurtër.

Kolona po zgjatej shpesh edhe nga 10 kilometra. Na arriti një skalion nga njësitet gjegjëse për ushqim që gjendeshin në Prizren dhe, ushtarët morën nga gjysëm buke! Rrugës kishin arritur të blejnë edhe ndonjë kafshë të vogël dhe, kësisoj, ushtarët morën edhe nga pak mish. Megjithatë, duhet thënë që, në përgjithësi ushqimi është i pakët dhe i mjerë.

Përkundër të gjitha këtyre kushteve të trishtueshme, ushtarët po ia dalin që të përballen me të gjitha sfidat dhe, disiplina, vullneti dhe morali i tyre është i lartë dhe i shkëlqyeshëm.

Rruga nëpër të cilën kaloi skuadra deri këtu paraqet edhe një dobësi tonën komunikuese dhe, sikur të detyrohej për ndonjë tërheqje të papritur, do të përballeshim me një situatë shumë fatale.

Në fshatin Domgjon u ngrit një stacion rele dhe ay lamë një nënoficr dhe gjashtë ushtarë. Në Mirditë po ia kalojmë shumë mirë. Mirditorët me gëzim po i presin ushtarët tanë dhe po na kërkojnë armë që të luftojnë së bashku me ne. Kemi ndërmarrur gjithçka që ta ruajmë disponimin e tyre. Për t’i bërë për vete këta njerëz duhet që bajraktarëve apo kapetanëve t’u dhurojmë sahate si dhe armë. Për ta paraja flori do të thotë gjithçka dhe është një kurth i mirë. Argjendin nuk e duan gjithaq, ndërsa paranë prej letre e marrin vetëm nëse u premton se më vonë do t’u zëvendësohen me metalik floriri.

Në Domgjon lamë një ushtar dhe një oficer në gjendje shumë të rëndë shëndetësore.

Domgjoni është fshat i një bajraktari fisnor, ka një kishë dhe një kullë mbrojtëse.

7