VEÇ NJË FJALË E MIRË
Ca rreze t’arta, mblodha në pëllëmb,
një ditë shtatori, diellë në horizont
pas ecjes së gjatë, ulem të pushoj,
ndoshta jam i lodhur, apo po gaboj!
Si pema në vjeshtë, gjethet kur zverdhon,
frutat pikojnë, poshtë në tokën mëmë
ashtu plaket robi, koha i kalon,
vjen çasti i fundit, këtë botë ta lëshon!
Dhe i lumtur mbetet, kur shijon lirinë,
frutat më të ëmbla, fëmijët e tij
me nipa e mbesa, t’mbushur ka shtëpinë,
edhe pasi t’shkon, len gjurmët e tij!
T’gjitha në këtë botë, nuk plot’sohen dot,
me plot merak, matanë do të shkojmë
kur kujtojm jetën, na duket si një lojë,
ëndërr e shpejtë, në një natë të vonë!
Po të thotë njeri, kthehu nga e para,
me gëzimet e jetës edhe me të qara
pyetje e vështirë, duhet të mendosh,
deri sa përgjigjesh, koha të skadon!
Jeta është e shkurtër, hap e mbyllë një derë,
nuk mbetet asgjë, veç një fjalë e mirë
njerëzit që ke dashtë, në zemër i mban,
gjer sa të kesh frymë, lot’shëm i kujton!
Touk-Bahçe, 27 shtator, 2024
Samy