Anna Gavalda – Autorja bestseller franceze që botën po ndryshon-Zekerija Idrizi


Zekerija Idrizi

Të lexosh një libër dhe ai të ushtrojë ndikim aq të thellë sa dhe të ndryshosh rrënjësisht stilin e bontonin e jetesës, është rast sa sublim aq edhe i shenjtë. Këtë ndikim dhe jehonë të thellë po e shkakton te lexuesit shkrimtarja franceze Anna Gavalda.

Romani bestseller i saj me titull “Ensemble, c’est tout” (“Zusammen ist man weniger allein” – “Bashkë njeriu ndjehet më pak i vetmuar”) është shitur në miliona kopje; është përkthyer në shumë gjuhë të botës; statistikisht lexueshmëria e këtij romani në Francë ka përfshirë të gjitha grupmoshat e qytetarëve nga 12-92 vjeç; si dhe ka shkaktuar një revolucion pozitiv social te lexuesit: qindra të rinjë e të reja franceze kanë kthyer në shtëpi, në votrat e ngrohta familjare, prindërit dhe gjyshërit e tyre nga ngujimet shumëvitëshe nëpër shtëpi pleqsh – këto votra të ftohta banimi e jetese … Shkrimtarja Anna Gavalda “Mersotë e akulltë e të pa ndjenja” kamyanë (nga romani i A. Camysë “I huaji”) të shoqërisë franceze dhe perëndimore i kthen në qenie të ngrohta e socio-humane në ngrehinat familjare dhe në shoqëri në përgjithësi… E mora këtë libër dhe e putha me shumë dashuri, mandej e shtrëngova në kraharor, në zemrën time …

***

Ndërkohë që këtë muaj kam zhvilluar ca debate të thella inter-religjioze me dy pastorët (priftërit) e kishave rimo-katolike dhe evangjeliste-protestante në Berlin: z. Kale Henz, pastor i Kishës St. Christophorus dhe znj. Martina Weber, pastore e Evangelischegemeinde Nikodemus. Ata kanë një respekt të veçantë për mua, qoftë si shqiptar, qoftë si teolog i festë islame. Do zhvilluar detyrimisht gjitha debatet, leximet dhe studimet e duhura rreth ekumenizmit dhe religjioneve krahasuese në mënyrë që, së pari, të thelloj njohuritë e mia rreth religjioneve abrahamike, dhe, së dyti, të jem sado kudo në nivelin më solid për t’iu qasur projektit tim libror të radhës rreth jetës dhe veprës së famëmadhes Nënë Tereza dhe pikëtakimeve kulturale, etike dhe religjioze në mes të Krishterizmit dhe Islamit.

Të jem i sinqertë tani në rrëfim: përçdoherë kur bisedoj me ithtarë të religjioneve të tjera më vetëtijnë në kokë sentencat proverbiale, të cilat, nga përsëritja e shpeshtë dhe nga zbatimi i përpiktë, veçmë i kam mësuar përmendësh

Pas debatit të para dyditshëm me zonjën Martina Weber, duke e ditur preferencën time në leximin dhe studimin e literaturës së filozofisë së ekzistencializmit, veçanërisht atë të Sören Kierkegard, Martin Heideger,Karl Jaspers, Albert Camy, Zhan Pol Sartre, Stevan Cvajg, Jean Améry etj., ajo më preferoi në lexim autoren e spikatur franceze Anna Gavalda, e cila është më e lexuar sot në Francë dhe me gjerë në botë. Me theks të veçantë ajo më sugjeroi romanin e saj “Zusammen ist man weniger allein” (titulli në origjinal: “Ensemble, c’est tout” – “Bashkë njeriu ndjehet me pak i vetmuar”), të cilin e huazova nga libraria gjigante e Kishës përkatëse.

Me të arritur në banesë, hapa menjëherë këtë roman dhe pash që është mjaft i vëllimshëm, me 552 faqe, gjë që, pavarësisht faktit që ka qenë libri më bestseller i saj fillimisht në Francë, mua më duhej pak më shumë kohë për ta lexuar të tërin. Siç rëndomë i qasem çdo libri, fillimisht lexova gjitha recensat dhe mbresat e redaktorëve dhe lexuesve për romanin në fjalë. Lexova madje dhe tërë biografinë e kësaj autore inteligjente bashkë me pothuaj gjitha intervistat dhe performimet e saj promovuese mediale. Dorën në zemër, lexova dhe pjesë të konsiderueshme nga narracioni romanor. Konstatova që kemi të bëjmë me të vërtetë me një shkrimtare gjeniale, me një ish-studente dhe absolvente të letërsisë nga Universiteti i Sorbonës dhe paralelisht edhe me një profesoreshë gjuhe dhe letërsie në shkollat franceze. Ajo, fillimisht, hapin e parë në krijimtari e hodhi me botimin e librit të saj të parë me tregime të shkurtëra “Ich wünsche mir, dass irgendwo jemand auf mich wartet” (titulli në origjinal “Je voudrais que quelqu’un m’attende quelque part” – “Do kisha dashur, që dikush të më pret mua kudoqoftë”), botuar në shtëpinë e vogël botuese “Le Dilettante” të drejtorit Dominique Gaultier, në Paris, për të vazhduar më tej me tregime dhe romane të tjera.

Përshtypjen më të thellë më bëri fakti që kjo autore, në bazë të prononcimit vetjak, asnjëherë nuk shfrytëzon televizorin, tranzistorin dhe nuk blen gazetat ditore. Ajo jeton me dy fëmijët e saj në pjesën e vjetër të qytetit të Parisit, në Centre Pompidou – në pjesën antike Marias, ku shtrihen shumë kopshte, lulishte dhe parqe. “Banoj këtu meqë këtu është dendur prezent kultura: Arti, libraritë-bibliotekat dhe, para së gjithash, kinematë. Tre herë në javë vizitoj kinematë, – i përgjigjet ajo gazetarëve gjermanë Helmut Schneider dhe Ursula Scheidl. Teksa lexoja këto lajme impresionante, margaritarë, më vetëtinte në kokë jetëshkrimi po impresionant i nobelistit japonezo-britanik për letërsi vitin 2017, z. Kazuo Ishiguro, i cili një kohë të gjatë kishte çkyqur telefoninë fikse në banesë dhe kishte ndërprerë gjitha lëvizjet e takimet miqësore, në mënyrë që t’i rrekej vetem shkrimeve dhe botimeve letrare, ndërkohë që detyrat më elementare shtëpiake i kryente bashkëshortja e tij bashkëpunëtore dinjitoze.

Përmbylltazi, romansierja e shquar Anna Gavalda, ka arritur gjenealisht, me një gjuhë sa të thjeshtë aq edhe të sofistikuar rrëfimore, te romani i saj “Ensemble, c’est tout” të shtroj tërë narracionin e saj përmes katër personazheve me katër botë e karakterologji të ndryshme, se si ata arrijnë të jetojnë shkëlqyeshëm në një koegzistencë të lumtur nën pullazin e një apartmenti, mes tyre dhe gjyshja e Franckut, Mademoiselle Paulette Lestafier, e cila definitivisht do të reintegrohet në shtëpinë e saj pas shumë viteve jetesë të saj në shtëpi pleqsh. Për më tepër, madje, shikuar hermeneutikisht, ky libër flet për shoqërinë e sotme, të modernes e post-modernes, i cili i kthen socio-filozofikisht në qenie socio-humane të gjithë “mersotë” e akulltë, absurdë e të dehumanizuar-deri dhe në shkallë krimineli-vrasësi, pa pikë sentimentalizmi në shpirt nga narracioni i dikurshëm romanor “I huaji” të filozofit ekzistencialist Albert Camy.