ARMENIDA QYQJA – STOMATOLOGE, TREGIMTARE DHE POETE E SPIKATUR-Zekerija Idrizi:


Zonjë Armenida Qyqja ka lindur në Tiranë në vitin 1977, ku dhe ka kryer shkollimin fillor dhe të mesëm. Në vitin 1995 emigron në Vankouver të Kanadasë, ku jeton me familjen e saj. Kushtet mizerable ekonomike, madje më së shumti kushtet e pafavorshme psiko-sociale, arsimore e politike në Shqipërinë post-komuniste e detyrojnë atë, të marrë rrugën e mërgimit. E mllefosur skajshëm nga gjendja e mjerueshme në atdhe në gjitha rrafshet e jetës, Armenida do të thur vargjet poetike plot gjëmë, mllef e protestë te poezitë e saj me tituj: “Atdheu në harresë”, “Ditë apolloniane”, “Britmat e egos”, “I vuajturi Atdhe”, “Shqipëria brenda mureve te teatrit”, “Popull i vdekur” etj.

Veçanërisht ajo klith në vargjet e poezisë me titull “NUK KAM ATDHE”, teksa shkruan zëshëm:

“Nuk kam Atdhe,

As të parë e as të dytë,

Kam veç një gropë në shpirt,

Një gropë që as mbyllet

E as mbushet me kohë,

Një gropë nga fundi i të cilës,

Ai firon i padiktuar, pareshtur,

Kurjozitet i mjekësisë, para-normales,

Biçim hemoragjie e brendshme,

Por jo e gjakut, e frymës…

Nuk kam Atdhe, o njerëz,

As të parë e as të dytë!

Kam vetëm atë që ju vrisni

Me tymra, helme e plumba,

Dështime, përzënie masive…

Atë kam, të skamurin gjer në kockë,

Që po vdes, po mbaron në këmbë,

Dhe një shtëpi, në një dhé të largët,

Ku unë ndiehem dhe pas tridhjetë vitesh,

Si një copë mishi e huaj…”

Madje, ajo kritikën akoma më të fuqishme ua adreson politikbërësve palaço e maskarenj në poezinë me titull “MERCENAR TË KAOSIT”, ku më thumb të kritikës i vë “krijuesit e kaosit në shoqëri e shtet”:

“Anoreksi mendore e shpirtërore,

Që s’ka stimulim e as ilaç,

Sëmundja më e poshtër kronike

Që do vrasë më me sukses rracën njerëzore

Se çdo virus i shpikur laboratorëve…

E ju o mercenarë të ushtrisë së kaosit,

Çdo t’u thoni një ditë

Kafkave boshe të fëmijëve tuaj,

Që s’do dinë gjë tjetër,

Veç të tunden e të shkunden, pavetëdije,

“Tequila, tequila, va, va”…”

Armenida ka specializuar në studimet e mjekësisë – drejtimi stomatologji dhe punon në një ordinancë si ndihmës stomatologe.

Me krijimtari ka filluar të merret që nga bankat e shkollës fillore, ku ka qenë aktive me shkrime dhe recitime poezish në grupin letrar të saj.

Mandej një kohë të gjatë, afro dydekadëshe, ajo ka pauzuar nga shkrimet, për t’u rikthyer më vonë më fuqishëm se kurrë më parë në botën e poezive dhe të tregimeve në prozë. Në një interval të shkurtër kohor ajo do të shpërthejë po sikur një vullkan eruptiv në rrugëtimin e saj maratonik, duke botuar disa libra në poezi e prozë brenda dy vitesh.

Poetja shqiptare Armenida Qyqja, e njohur për ndjeshmërinë dhe talentin e saj të kultivuar, ka publikuar së fundmi vëllimin e saj të ri me poezi të titulluar “Mbi një gjysmë kafke bunkeri”. Ky vëllim përmban 114 poezi dhe është botuar nga Botimet Jozef në Tiranë, duke sjellë kështu një tjetër vepër të rëndësishme për lexuesit shqiptarë.

Vëllimi ka marrë vlerësime të larta nga kritikë dhe profesorë të njohur. Poezia që i ka dhënë titullin librit është interpretuar nga artisti i njohur Xhelal Tafaj, duke e sjellë në jetë përmes zërit të tij të fuqishëm. Madje-madje, shumë perla të saj të rralla poetike janë interpretuar me zë melodik edhe nga aktorë e artistë të tjerë të mirënjohur të atdheut, si: Reshat Arbana, Bujar Asqeriu, Marissa Rrasa Ashiku e Engjellushe Alla.

Në poetikën e Armenidës dominojnë kryesisht lirikat dashurore, por edhe temat: atdheu, liria, katrahura 34 vjeçare në Shqipëri, pozita e femrave në segmentet krucialë të shtetit, plagët e shoqerisë në post-modernizëm, jetesa mërgimtare e deri te konspiracioni dhe marifetllëqet e tij jashtëmase të sofistikuar. Do theksuar edhe faktin tjetër po të rëndësishëm që në dominancë në poezitë e saj ajo i drejtohet natyrës, peizazheve të saj piktoreske, të cilat ia ringjallin muzën kreatoriale: maleve, fushave me lule e gjelbërime, lumenjëve, liqeneve, detërave, yjeve, diellit, hënës e qiejve. Ajo, madje, u drejtohet me një dashuri të thellë edhe pothuaj gjitha vendeve e qyteteve të bukura të Shqipërisë, deri edhe ato antiket, si: Amantia, Aulona e vjetër, Olimpia, Apolonia, Bylisi, Oriku apo Rozafa sepse ato “janë toka e gjakut tim”, – shprehet krenarisht poetja Armenida.

Librat e Armenida Qyqja nuk kanë kaluar pa rënë në sy para emrave të mirënjohur të kritikës letrare, si: prof. Eris Rusi, prof. Bardhosh Gaçe, prof. Tefe Topalli, prof. Ilir Shyta, studiuesi Defrim Cani, profesoresha Jonela Spaho dhe kritik e studiues si Shpendi Topallaj.

Poetikën dhe tregimtarinë prozaike të kësaj autoreje i karakterizon një gjuhë mjaft solide e mjeshtërore letrare në pikëpamje semantike e ortografike, si dhe në pikëpamje estetiko-artistike.

Shih për këtë dhe poezitë e tregimet e saj do të publikohen nëpër shumë revista, gazeta e portale me vlerë kulturo-artistike e letrare në atdhe dhe në mërgatë.

Armenida deri më sot ka publikuar disa vëllime me poezi dhe prozë, përfshirë:

“Përtej Kangjellave të Shiut” (Poezi) – 2018

“Letra pa Zarf” (Poezi) – 2020

“Puthje në Eter” (Poezi) – 2020

“Mes Rrahjeve të Zemrës” (Poezi) – 2020

“Dyzët Plus” (Poezi) – 2021

“A Bunch of Poems Instead of Flowers” (Një Buqetë me Poezi në Vend të Luleve) – 2022

“I Vdekuri që Qesh” (Prozë me tregime) – 2022

“Kthjeja Zemrën Pranverës” (Poezi) – 2023

“Sizifi i Shpirtit Tim” (Poezi) – 2023

Vëllimi i saj i fundit “Mbi një gjysmë kafke bunkeri” i disponueshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë në platformën online Bukinisti, duke u dhënë mundësinë lexuesve të kenë qasje të lehtë dhe të shpejtë në krijimet e saj të fundit.

Aktualisht ka në dorëshkrim dy vëllime poetike, një libër me tregime dhe dy novela, që shpreson t’i botojë të ardhmen e afërme….

Uroj që Armenida të ketë shëndet dhe të ardhmen të na befasojë këndshëm dhe me të tjera perla e vepra letrare!

Me respekt dhe konsideratë atdhetare:

Zekirija Idrizi Shkup

Berlin – Shkrimtar