Myrteza Mara
KTHEHU KURBATKË
Kurbatka, dikur, më lexoi fatin,
Në një fill të hollë prej xhaketës;
Unë gati klitha, do merrja vrapin
M’u duk se më lexoi librin e jetës.
Kisha në dorë një shegë të ëmbël,
Ia fala kurbatkës si shpërblim;
Më uroi duke psherëtirë me zemër,
Dhe iku, siç ikën një perëndim.
“Do jetosh gjatë, më tha, kurbatka,
Në rrugët e tua shikoj pak diell;
Në mes të shpirtit s’do shuhet flaka,
Në mes flakës do rritet një brengë.
Një brengë si mal i lartë me akull,
Që nuk do e tres as zjarri i shpirtit!”
Këtë mbaj mend nga fall i kurbatkës
Tani që me dekada i numëroj vitet.
Kishte të drejtë, kurbatka e zbehtë,
Më duhet ta besoj tani në muzg;
Tani që vitet vrapojnë si ortekë
Akulli i brengës si mal me gur.
Ktheu kurbatkë, ktheu dhe një herë,
Si shenjë falli merr një shishe gjak;
Ndoshta dallon ndonjë rreze diell,
Aq sa brengën ta tresim në flakë.
S’kthehet kurbatka, iku pas ortekëve,
Kështu ndodh edhe për të tjerë;
Neni i parë i kushtetutës së jetës:
Fati shkruhet vetëm një herë!