Albert Habazaj
Loti si rruzull drite
-elegji për yllin e Vlorës, Avdurraman Meçe-
Albert Habazaj
Tek shket, loti më bëhet rruzull drite
Për Duron tonë, që iku burrërisht,
Profili ballë Dinjitetit i ndritet
Dhe dy metër vend mori aq qetësisht.
Fisnik i qeshur ishte. Dhe mal. Dhe det.
Vlorës, tjetër si ai – zor t’i vijë,
Ç’bujar mirësie ishte në jetë
Dhe i bukur sa dituria e tij.
I sejtë qe ai njeri i ylltë?!
Kur dhe shkëmbinjtë ballë dallgësh treten,
Asnjë rrufe s’ia qorroi dot sytë,
Ai kishte bërë betim me veten…
Fatkeq për veten, fatmir për të tjerë,
S’pati motër, as vëlla, familje s’krijoi,
Gjer në amshim – me nënën e mjerë,
Ndoshta Duron Diogjeni kërkoi…
Avdurraman Meçe qe prill me borë
Ku përsosmëria gjet’ standard të ri,
Në tri principata – princ me kurorë:
N’ matematikë, informatikë, letërsi.
Në një tjetër botë hynim, kur flisnim
Me një gotë përpara për poezinë,
Po t’i shaje Dritëroin, sytë i nxinin
Dhe furtunë tjetër pasonte stuhinë…
Si ai, poet e shkrimtar shkrimartë
Nuk kam takuar shumë, sinqerisht!
Që e patëm në Vlorë, për ne qe fat,
Që na iku…, oh, ç’ më ka ardhur ligsht.
Vlorë, 15 tetor 2021