Leximi me zë dhe rëndësia e tij për zhvillimin e fëmijëve-Përgatiti:Gladiola Jorbus


Leximi zhvillon dhembshurinë, imagjinatën, ndjeshmërinë dhe aftësinë për të ndryshuar këndvështrimet. Ai na mëson për kulturat e tjera që ekzistojnë në botë. Duke e lejuar fëmijën të dëgjojë tregime që në moshë të vogël, ai mëson të krijojë imazhe  dhe të mendojë. Aktivitetet fëminore të leximit të hershëm në shtëpi, hedhin një themel për të lexuarit në shkollë. Hulumtimet kanë treguar një lidhje midis leximit me zë të lartë dhe rezultateve të studimit. 

Duke u lexuar me zë fëmijëve të vegjël, u mësojmë atyre që herët ritmin e gjuhës dhe rregullat e gjuhës së shkruar. Fëmijët që dëgjojnë shumë fjalë janë më të përgatitur për t’i parë fjalët e shtypura në libër kur të fillojnë shkollën. Procesi i të mësuarit të leximit do të jetë më i lehtë dhe më i shpejtë për këta fëmijë.
Hulumtimi i profesorëve Ingvar Lundberg dhe Mats Myrberg tregon se një shtatëmbëdhjetë vjeçar që ka lexuar shumë gëzon një fjalor prej rreth 50.000 deri në 70.000 fjalë, ndërsa ai që nuk ka lexuar përdor 15.000 deri në 17.000 fjalë. Për të qenë në gjendje të përballemi në shoqëri, të punojmë dhe të marrim udhëzime të përditshme, na duhen të paktën 50.000 fjalë.

Leximi me zë për fëmijët është një aktivitet i vlefshëm që ka shumë efekte pozitive në zhvillimin e tyre gjuhësor dhe aftësitë njohëse.

 Nëpërmjet leximit me zë, fëmijët kanë mundësinë të dëgjojnë fjalë, fraza dhe fjali të ndryshme. Kjo ndihmon për të zgjeruar fjalorin e tyre dhe të kuptuarit e gjuhës. Fëmijët që janë të ekspozuar ndaj leximit me zë, shpesh karakterizohen nga një aftësi më e fortë për t’u shprehur.

 Nëpërmjet tregimeve, fëmijët kanë mundësinë të udhëtojnë në botë të tjera, të takojnë personazhe dhe të përjetojnë aventura. Leximi me zë nxit imagjinatën dhe ndihmon fëmijët të zhvillojnë krijimtarinë.

Përmes teksteve të ndryshme, fëmijët mësojnë fjalë dhe koncepte të reja. Leximi me zë u jep atyre mundësinë për të kuptuar dhe përdorur këto fjalë në kontekste të ndryshme. Rrëfimet, shpesh përmbajnë emocione dhe dilema morale, kështu që fëmijët kanë mundësinë të diskutojnë dhe të kuptojnë emocione të ndryshme dhe mënyrën se si personazhet i trajtojnë ato. 

 Leximi me zë të lartë është një moment i përbashkët ku fëmijët dhe të rriturit ndajnë një histori. Ai krijon afërsi dhe ofron mundësi për bisedë rreth përmbajtjes. Fëmijët gjithashtu mësojnë të dëgjojnë të tjerët dhe të flasin me radhë. Nëpërmjet librave, fëmijët fitojnë njohuri për kultura të ndryshme, vende, ngjarje historike duke zgjeruar perspektivën e tyre dhe duke u sugjeruar një kuptim të botës përreth. 

Niveli parashkollor luan një rol të rëndësishëm në zgjimin e interesit të fëmijëve për tregimet, tekstet dhe gjuhën e shkruar. Përmes leximit me zë të lartë, stafi parashkollor mund të mbështesë zhvillimin gjuhësor të fëmijëve dhe të zgjojë dashurinë për të lexuar. Është një investim që i ndihmon ata të mësojnë dhe të kuptojnë më mirë të ardhmen. Fëmijët sot lindin në një botë të mbushur me tekste dhe imazhe – shenja, reklama, libra dhe gazeta, tabela dhe mbi të gjitha teknologji. Si e shohin fëmijët këtë botë tekstesh dhe imazhesh? Cilat përvoja mund t’u japin atyre mjetet për të trajtuar të gjithë informacionin dhe për të fituar pushtet mbi gjuhën e tyre?

Ndërveprimi ndërmjet fëmijës, të rriturit dhe librit krijon mundësi për biseda të mira rreth librit, të cilat nga ana e tyre janë treguar se kanë efekte në zhvillimin e shkrim-leximit të fëmijëve. Libri frymëzon të gjithë të rriturit që shpesh t’u lexojnë me zë fëmijëve dhe në këtë mënyrë edhe ata vetë do të pasurohen shpirtërisht.