Një vështrim mbi librin:“Pyjet dhe sharrat e Pukës në vite”-Prof. Ass. Genci Kacori


Prej rreth tre muajsh, ka ardhur në duart tona, libri “Pyjet dhe Sharrat e Pukës në vite”, i autorëve Gjon Fierza, Pjetër Dema dhe Preng Prenga, për të cilin dëshiroj të shpreh disa mendime personale. Libri është bërë i njohur masivisht në dy promovime: në qytetin e Fushë-Arrëzit dhe Fakultetin e Shkencave pyjore në Tiranë.

Evidentimi i zhvillimeve të ndodhura gjatë një periudhe tepër të gjatë kohore dhe prezantimi i tyre para lexuesve, kërkon përgjegjësi të madhe, sepse historia nuk mund të shkruhet pa referenca dokumentare. “Gërmimi” nëpër arkiva, është një punë shumë e vështirë, pasi kërkon vullnet, përkushtim dhe pasion, e në këtë rast, të tre autorëve ato nuk u kanë munguar dhe rezultati është realizimi i këtij botimi. Kjo është arsyeja, që, iniciativën e tyre, për shkrimin e libri, e vlerësoj jashtëzakonisht shumë.

Libri, në dallim nga librat e tjerë për pyjet dhe industrinë e drurit, është i pari që trajton historinë e një ndërmarrje të industrisë së drurit, nga më të rëndësishmet të vendit tonë. Dokumentacioni i gjetur, pavarësisht pretendimeve të autorëve për mungesa të tij, mendoj se ka qënë i shumtë dhe i mjaftueshëm, për ta faktuar më së miri, historinë e Sharrave të Pukës, më vonë, e emërtuar Ndërmarrja e Përpunim Drurit, Fushë- Arrëz.

Libri është konfiguruar në tre kapituj.

Kapitulli i parë, është një vështrim historik, që u përket periudhave kohore 1912-1944, 1945-1950, 1951-1960, 1961-1970, 1971-1980, 1981-1991 dhe 1992-2016.

Për periudhën 1912-1944, jepen informacione për pyjet, organizimin e shërbimit pyjor, legjislacionin, aktivitetet e shfrytëzimit të pyjeve nga sipërmarrësit shqiptarë dhe të huaj, duke u ndalur më hollësisht në N/prefekturën e Pukës, etj.

Pas çlirimit të vendit, në funksion të synimeve afatgjata të qeverisë, masat e shumta të ndërmarra prej saj, ishin piknisje për të gjithë zhvillimet e mëtejshme, të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë kombëtare, pjesë e të cilave ishin edhe pyjet dhe industria e drurit.

Sharrat e shtetëzuara, u bënë baza e ndërmarrjes së re, e cila gjatë disa dekadave, do të shndrohej dhe do të bëhej një nga më të mëdhajat e industrisë së drurit në vendin tonë. Në mënyrë kronologjike, autorët tregojnë evoluimin e Sharrave të Pukës.

Shfrytëzimi i pyjeve dhe prodhimi i lëndës së sharruar, filloi të shtrihej edhe në pjesë të tjera të fondit pyjor, me krijimin e stabilimenteve dhe sektorëve të rinj, shoqëruar me vështirësi të ndryshme, për ndërtimin e rrugëve pyjore, prodhimin, transportin e brendshëm, mekanizimin e punimeve, transportin e largët, etj.

Krahas shfrytëzimit të pyjeve dhe prodhimit të lëndës së sharruar në pyje, vëmëndja filloi të drejtohej nga përpunimi i drurit, që gradualisht do të bëhej pjesë shumë e rëndësishme e aktivitetit të ndërmarrjes. Stabilimenti i Fushë – Arrëzit, i krijuar në vitin 1949, për prodhimin e përqëndruar të lëndës së sharruar, u bë “zemra” e sektorit të përpunimit të drurit. Pas tij, u ngritën zdruktaria për prodhimin e arkave të amballazhit, fabrika e staxhionimit, fabrika e kollofonit, reparti i parketit, reparti i mobilje-orendive dhe së fundi, fabrika e pllakave të fibrës.

Gjithçka, autorët e shtjellojnë bazuar në informacione të shumtë dhe të ndryshëm, për strukturat, planet e prodhimit, investimet dhe për shumë probleme të tjerë, që kanë qënë pjesë e pandarë e ecurisë së ndërmarrjes.

Aspektet historike, janë shoqëruar në mënyrë të harmonizuar, me emrat e drejtorëve, n/drejtorëve, kryeinxhinjerëve, kryetarëve të degëve, specialistëve të ndërmarrjes, si dhe të drejtuesve dhe shumë puntorëve të kualifikuar e të thjeshtë, të stabilimenteve, sektorëve, reparteve dhe fabrikave, për të gjitha periudhat. Në fakt, ata kanë qënë autorët e vërtetë të historisë së Sharrave të Pukës, së bashku me shumë persona të tjerë, emrat e të cilëve ka qënë e pamundur të përmenden. Interesante janë edhe informacionet biografike të disa drejtuesve, specialistëve apo të punonjësve të ndryshëm, që e plotësojnë më së miri, këtë kapitull.

Pjesë e pandarë, janë marrëdhëniet e ndërmarrjes me strukturat shtetërore, qoftë të nivelit lokal, qoftë dhe me ato qëndrore, në funksion të problematikave të shumta, që e kanë shoqëruar atë ndërmarrje gjatë viteve.

Në fund të kapitullit të parë, autorët japin një panoramë, mbi zhvillimet në sektorin e pyjeve, për periudhën 1992-2016, në nivel qendror dhe veçanërisht ato të ndodhura me pyjet dhe shërbimin pyjor, në ish rrethin e Pukës.

Kapitulli i dytë, në mënyrë të detajuar, u referohet historive të njësive kryesore të prodhimit, të nxjerra nga konteksti i përgjithshëm i ngjarjeve, të trajtuara në kapitullin e parë. Në këtë mënyrë, lexuesit i krijohet mundësia të njohë më mirë, ecurinë e aktivitetit të secilës njësi, që nga momenti i krijimit e deri në mbylljen e saj.

Edhe në këtë kapitull, nuk mungojnë informacionet e shumtë dhe të larmishëm, që plotësojnë më së miri, historinë e secilës strukturë.

Në kapitullin e tretë, janë përfshirë kujtimet e një pjese të ish drejtuesve, specialistëve të lartë e të mesëm, punonjësve të administratës, e deri të puntorëve të kualifikuar dhe të thjeshtë, që kanë punuar dhe kontribuar, ndër vite, në atë ndërmarrje.

Nëpërmjet tyre, autorët tregojnë përpjekjet e bëra gjatë viteve, vështirësitë dhe sakrificat e shumta, si dhe kënaqësitë për gjithçka arritën, por edhe zhgënjimet për çfarë nuk arritën.

Sharrat e Pukës, kanë meritën e madhe, jo thjesht për krijimin e një qyteze të vogël me baraka druri, Fushë Arrëzit, por, për kontributin e tyre konkret, në transformimin e saj, në një qytet të ri, të quajtur “Qyteti i sharrtarëve”. Arritjet tepër të rëndësishme, të industrisë së drurit, gradualisht edhe të sektorëve të tjerë, u bënë mbështetje për rritjen dhe zhvillimin e qytetit. Këto janë fakte tepër domethënës, në historinë e Sharrave të Pukës.

Libri përmban një mori të madhe detajesh, për çështje të ndryshme, që e bëjnë atë mjaft interesant. Ai shoqërohet me një galeri shumë të madhe fotografish njerëzish, ngjarjesh, objektesh, tabelash, fotokopje pasqyrash e shkresash, etj., të inkuadruara në çdo kapitull.

Libri reflekton këndvështrimet e autorëve, për gjithçka ata kanë trajtuar. Kush e ka lexuar apo kush do ta lexojë, ka krijuar dhe do të krijojë opinionin e vet, së bashku me objeksionet, sipas këndvështrimit personal. Dhe kjo është më se normale.

Pa hyrë në hollësi, personalisht konstatoj dy mangësi: një redaktim jo korrekt i librit, si dhe paraqitjen jo shumë cilësore të materialeve ilustrues ndonjë foto apo tabele.. Megjithatë, këto nuk ia zbehin aspak vlerat këtij libri.

Të gjithë atyre që kanë dhënë kontributet e tyre dhe janë në jetë, leximi i librit, do t’u sjellë kujtime dhe do t’u ngjallë nostalgji për kohët e shkuara, si dhe krenari për gjithçka realizuan. Të tjerët, pavarësisht nga çfarë dinë, ose jo, do të kenë rastin të njohin historinë e dokumentuar, të pyjeve dhe Sharrave të Pukës. Ndërsa për gjeneratat e ardhëshme, libri do të jetë dritarja, për të parë dhe për të njohur të shkuarën.

Sharrat kanë qënë pionieri i zhvillimit të industrisë së drurit, në ish rrethin e Pukës, që u pasua nga zhvillimi i sektorëve të tjerë të industrisë dhe të ekonomisë. Kontributi i atij rrethi, sa i vogël për nga sipërfaqja dhe numri i banorëve, ka qënë jashtëzakonisht i madh, për ekonominë tonë kombëtare.

Koha, pa dyshim, do ta merrte me rrjedhën e saj të pakthyeshme dhe do ta çonte drejt harresës, historinë e Sharrave të Pukës. Por, është meritë e tre autorëve, Gjon Fierza, Pjetër Dema dhe Preng Prenga, që nëpërmjet këtij botimi, e shpëtuan këtë histori dhe e vunë atë në vendin që i takon, si në historinë e Pukës, ashtu dhe në historinë e industrisë së drurit, të vendit tonë.

Gjon Fierza, Pjetër Dema dhe Preng Prenga, kanë arritur të realizojnë një punim të vlerësueshëm maksimalisht dhe ky është sukses i tyre. Përgëzime dhe urimet më të mira, të tre autorëve.

E shoh me vend të falënderoj dhe vlerësoj;  Shoqatën e Specialistëve të Pyjeve me kryetar z. Kolë Malaj, Shoqatën e Prodhuesve të Mobilerisë shqiptare me president z. Tonin Alia që në bashkëpunim me Bashkinë Fushë-Arrëz me kryetar z. Hil Curri dhe Fakultetin e Shkencave Pyjore në Tiranë me dekan prof. dr. Elvin Toromani, organizuan promovimin e këtij botimi.