E VËRTETA PËR NOLIN
POSTIMI XXVII
Vijon nga POSTIMI XXVI
Raportet politike e mundësitë teknologjike të rrjedhura nga ky zhvillim i kurdisur me kohë të keqe për Shqipërinë nga të huajt, ngacmuan kapacitetet komunikative të oponencës (genus deliberativum) duke nxitur- dhe në funksion të substancës së ekzistencës. Kërkimi i mundësive për formulimin e gjithëfarshëm të atdheut solli në përkim si thirrjen e lashtë të të qenurit, aq edhe kapacitetet reale të ushtrimit të vetëm të mundur të shqiptarisë- shqipen e apeluar në- dhe përmes publicistikës. Këto kushtëzuan formatin ndoshta më unik të një kulture e publicistikës së ndodhur ndonjëherë, që bënte të merrte frymë edhe atëherë kur organizmi mbajtës – shteti shqiptar nuk ishte. Ose të paktën me aq sa dukej nga jashtë dhe me termat historikë të pranuar deri tani. Kompesimi bazë i mungesave, i nisur nga mundësia për ta ushtruar shqipen në kapacitetet komunikative të publicistikës dhe më pas për ta përdorur për gjithçka, shpjegon dhe kurdisjen e kohës historike. ‘Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet’ – artikuluar si koha me vendin shqip, bashkë me ‘leterën’ e ligjëruar në alfabetin e përbashkët sipas parimit një tingull – një shkronjë sepse ‘me këtë mund të shtypeshin libra kudo n’Evropë’, edhe pse janë në nivelin gati as material për të nisur një sipërmarrje katërpushtetëshe, rezultuan- atëherë si formulim vepre dhe sot si analizë zhvillimi- si bërthama reflektive dhe zhvillimore të duhura në një rinisje të universit shqiptar. Shqipëria e vetme e ruajtshme u bë sa konkrete në veprën historiko-eseistike aq dhe ‘manual ekzistence’ duke i përmbajtur gati në nivele laboratorike vërtetimin e potencialit ligjërimor të gjykim – kritikës me kapacitetin aktualizues të pandalshëm po ligjërimor.
Realiteti që dilte nga një sundim shumëshekullor me një gjendje
ndërmjet ‘dhunës politike dhe dhunës religjioze greke’, sipas Konicës, me gjithë rezultatin e asaj që Fishta e quan njësia shqiptare ‘etnike, etnopsikologjike e kulturore historike që ka rrjedhur nga njësia e saj gjeografike’, ishte një tjetër tregues
për të kuptuar përpjekjet dhe pritmëritë. Efektet e një botimi
vepronin në shumë krahë dëshmon dhe konkludon Konica, ndërkohë që ‘numri i atyre që lexojnë dhe kuptojnë gjuhën është
mjaft i ngushtë’, pavarësisht se nga ana tjetër ‘asgjë nuk i ftoh më
tepër shqiptarët se kur u thuhet se kanë të bëjnë me një injorant’. Trazimet në një vend që ‘deri më 1877 shumë pak…kishin ide se
gjuha e tyre mund dhe duhej të shkruhej‘ sipas Konicës, riformuluan, sipas nesh, kontribute të mëdha që vetë dilnin nga ëndrra të kulturave të komunikimit, praktikisht të pamundura në Shqipëri, por thellësisht të gjetshme si kapacitete primare ligjërimi në kohë tjetër të saj.
Koha e Skënderbeut është…..
Vijon POSTIMI XXVIII