Të bëhemi një-Kaltrinë E. Uka


Të bëhemi një

Netët vijnë me një zjarr të rrallë malli

që përtërijnë kujtime

e me flakërimet e agzota të së djeshmes

bëhen një me shtjella tymi.

Më mungon,

siç i mungon feksjes së agimit flokëkuq

kthjelltësia e paqtë e mëngjesit,

e malit shembja e gurëve në shkundullimë.

Ç’t’u bëj netëve që vijnë drejt meje

si një dëm i pandreqshëm

si një udhëtim i gjatë e i trishtë?!

Janë shndërruar në mungesë të rëndë

fytyra jote e çiltër

hija e largët e gishtërinjve të tu

përkëdheljet ujë në grykëderdhje shpirti,

e netëve si kjo, pres t’vish,

me këtë zjarr të rrallë malli

për të ribërë kujtime

e me flakërimet e agzota të së sotshmes

të bëhemi një me shtjella tymi…

K.U